Arben Muça: Shpallja e Pluralizmit,
si i mori në dorë PD frenat e Lëvizjes

Arben Muça: Shpallja e Pluralizmit,<br />si i mori në dorë PD frenat e Lëvizjes<br>
(Vijon nga dje)
10 Dhjetor 1990/ Indinjata studentore vazhdon
Aty nga ora 8 e mëngjesit, vjen një polic i moshuar dhe na thotë me mllef që duhej të dilnim me “mend në kokë” e të shkonim në mësim, se përndryshe nëse nëse nuk shkonim në mësim e na kapnin përsëri në godinat e 21 Dhjetorit apo në ndonjë protestë tjetër, do t’a paguanim shumëfish më tepër se të tjerët.

Dolëm që aty të habitur që na liruan, dhe menjëherë u nisëm për në Q. tonë Studenti. Kur po afroheshim pamë se dhjetra “IFA” të ushtrisë të mbushura me ushtarë e policë me mburoja e skafandra ishin parkuar nëpër të gjitha rrugët hyrëse e dalëse të Q. Studenti. Teksa hymë, në Sheshin para mensave ishin grumbullar si asnjëherë me mijëra student që kishin bojkotuar mësimin bashkë me ta edhe shumë pedagogë fakultetesh kishin ardhur e flisnin në mikrofon.


Teksa pyetëm disa shokë përse nuk erdhën pasditen e djeshme në protest siç premtuan, aty morëm përgjigjen e dhimbshme që ajo protest ishte anulluar , dhe se tashmë protestat do bëheshin vetëm në Q. Studenti, ndaj dhe nuk kishte shumë pjesëmarrës në qendër, ky ishte zhgënjimi i dytë, u ndiem si mish për top pasi askush nuk na kishte lajmëruar teksa ne ishim gati te sakrifikoheshim.

Edhe komunikimi me telegrame dhe telefona nga posta ishte ndërprerë jo pa qëllim nga vetë shteti, dhe nëpër qytete e tjera lajmet ishin ekzagjeruar sipas “oreksit”, sikur në protestat e studentëve ishin vrarë e plagosur shumë studentë . Kështu që me mijëra prindër ishin të shqetësuar për vdekje për bijtë e tyre studentë me të cilët nuk mund të kontaktonin në asnjë mënyrë, kështu që ishin të detyruar të vinin me çtë mundnin për të takuar bijtë e tyre.

Ajo ditë kaloi si pa u ndjerë nën shoqërinë e vëllezërve të mi që mësuan çdo gjë që kish ndodhur, dhe po shihnin se si mijëra student e pedagogë ishin grumbulluar aty, e dëgjonin vetë me veshët e tyre oratorët e rastit që flisnin në mikrofon tek sheshi i mensave teksa erdhi lajmi që Ramizi kishte kërkuar 1 përfaqësi studentore nga të gjithë fakultetet, t’i takonte të nesërmen (datë 11-Dhjetor) .

 

11 Dhjetor 1990
Dita kur diktatura pranoi humbjen
Dita e 11 dhjetorit erdhi më e zhurmshme se ditët e mëparshme, pasi në sheshin e Q. Studenti tashmë po vinin gjithnjë e më shumë për t’u solidarizuar me studentët edhe shumë prindër, punëtorë e intelektualë nga institucionet e gjithë Tiranës. Në mikrofona tashmë dëgjoheshin lloj lloj fjalimesh e sugjerimesh nga ata që merrnin fjalën.

Kështu erdhi pasditja e shumëpritur e asaj dite të shënuar kur autobusi me përfaqësuesit e studentëve u nis për në Pallatin e Brigadave në takim me R. Alinë. Takimi do dëgjohej direkt “LIVE” në Q. Studenti, pasi edhe fonia ishte pregatitur pikërisht për atë eveniment. Kur u mor vesh që ish Byroja Politike ishte shkarkuar, dhe se R. Alia deklaroi që po lejonte Pluralizmin Politik, brohoritjet nga gëzimi në Q. Studenti ishin aq të forta, saqë pothuajse të gjithë pjesëmarrësve në sheshin e mensave i’u ngjir zëri për ditë me radhë, ngaqë aq shumë brohorisnin nga gëzimi.

12 Dhjetor 1990
Konfuzion dhe paqartësi per vazhdimesine
Atë paradite të 12 Dhjetorit, Vaidi kishte komunikuar me Ben Liken dhe i kishte thënë që kishte folur me Azemin dhe disa përfaqësues të tjerë, kishin vendosur tua linin në dorë Intelektualëve me përvojë vazhdimin e pluralizmit politik. 

Ndonëse ishte debatuar shumë që Studentët të kishin subjektin e tyre politik, por ishte hedhur poshtë nga Azemi me të tjerë, duke thënë se Partia Demokratike do i përfaqësonte të gjitha shtresat, dhe se po punohej për programin e saj minimal politik. Pra për të gjithë studentët ishte pak konfuzion dhe zhgënjim, pasi nuk kishim asnjë përfaqësi direkte politike tonën, ndonëse ne e filluam dhe skrifikuam, të tjerë po e aneksonin meritën duke përfituar.

Nuk ishte koha për bajraktarizma dhe debate të kota, koha nuk premtonte për vonesa boshe, duhej të përkrahej çdo Parti e re opozitare që ishte kundër regjimit diktatorial, pamvarësisht kush aderonte në udhëheqjen e saj. Pra ky ishte detyrim moral i gjithë studentëve dhe shqiptarëve, përndryshe regjimi diktatorial do të rikthehej përsëri edhe më i egër.

13 Dhjetor 1990
Lëvizja e parë studentore jashtë Qytetit Studenti
Ashtu si dhe ditët e mëparëshme, 13 Dhjetori në Q. Studenti vazhdonte përsëri me pjesëmarrje masive në sheshin para mensave, ku oratorët e shumtë mbanin fjalime të zjarrta politike, tashmë duke akuzuar haptazi regjimin për krimet e bëra ndaj popullit shqiptar për gati gjysëm shekulli. Në Shkodër kishte plasur revolta e madhe për heqjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha, ku kishte pasur përleshje ndërmjet forcave të rendit dhe demonstruesve. Ishin thyer dhe shkatërruar dyqane nga përleshjet, dhe disa njerëz të futur enkas nga vetë sigurimi i shtetit, kishin përfituar dhe kishin vjedhur dyqanet e thyera gjatë përleshjeve.

Në lajme Televizioni Shqiptar i komentoi këto shkatërrime me epitete politike si rezultat i “Forcave Destruktive” që kërkonin pluralizmin politik. Pra skenari ishte i qartë që regjimi diktatorial po inskenonte skenat e shkatërrimeve vetë, me qëllim që të gjente pretekst që të anullonte krijimin e Pluralizmit politik. Pluralizmi ishte nën kërcënimin konspirativ të sigurmsave të shtetit diktatorial. Aty nga ora 8 e darkes , më vjen në dhomë Vaidi i cili kishte kontaktuar me Shenasiun dhe i kishte thene “më gjej edhe Arbenin, dhe do na duhet për gjysëm ore të nisemi për Shkodër se kemi një detyrë shumë të rëndësishme për të kryer”, që ishte sa e vështirë aq e rrezikshme.

Pasi më tregon çka kishte ngjarë në Shkodër dhe se rrezikohej të anullohej pluralizmi nëse nuk qetësohet situate atje, ndaj duhet që të flisja me kushërinjtë e mi dhe Ferid Llujën që ishin shokë e që respektoheshin nga shkodranët, pasi do takonim e flisnim edhe me Hafiz Sabri Koçin dhe Dom Simon Jubanin, duke ju kërkuar që të ndikonin në popullin e Shkodrës për qetësi dhe tolerancë, derisa të konfirmohej Partia e Parë Opozitare që do ishte Partia Demokratike. Përveç kësaj ne do çonim dhe shpërndanim në Shkodër Programin e Parë Minimal të Partisë Demokratike që sapo ishin shtypur atë pasdite në qindra kopje. Tek rruga e kinoklubit erdhi një makine Flamuri i kuq qe shperndante buken, shoferin e makines Shejnasiu na e prezantoi njeri besnik, si burri i kushërirës së tij që banonte në Tiranë. Me vehte nën sediljet e taksisë që po na çonte në Shkodër kishim future gati 80 kopje të Programit Minimal të Partisë Demokratike.

U nisëm nga ora 8. 30 e darkës, dhe pasi hymë në Bushat, morëm rrugën nga Kosmaçi që të hynim në qytet nga rruga e trenit, nga Mjeda, sepse duhej që të shmangnim rrugën nga Bahçallëku, pasi na kishin thënë që aty tek Ura, ishte patrulla speciale e "Spastrimit" që mvarej direkt vetëm nga Ministri i Mbrendshëm, të cilët kishin dorë të lirë e pamvarësi të vepronin si të donin me njerëzit që ata dyshonin se ishin rebelë, kishin leje të posaçme, edhe t'i ekzekutonin dhe të zhduknin trupat e tyre . Aty nga ora 12:30 a më shumë e darkës arritëm te rruga e Stacionit të Trenit në Shkodër, ku një patrullë e armatosur me kallashnikovë na ndaloi dhe na kërkoi dokumentet dhe na pyetën përse kishim ardhur. Ne ato momente ishim te rrezikuar per jeten.

Shejnasiu doli nga makina duke i treguar nje kartë studenti të vetën, dhe i tha atyre që ne ishim student që kishim paguar makinen, që të vinim në familjet tona, pasi ishim bërë merak për ngjarjet e asaj dite, dhe se postat dhe trenat nuk punonin tash sa ditë, dhe duke mos pasur asnjë komunikim, ndaj dhe ishim shqetësuar edhe ne për familjet tona, por edhe familjet tona për ne. Foli pak gjatë me ta me shefin e tyre dhe ata siç duket u bindën dhe na lanë të kalonim dhe të gjithë ne shkuam nëpër shtëpitë tona atë natë, duke marrë me vehte sejcili nga 20 kopje të shtypura të Programit Minimal të Partisë Demokratike, të cilat do i shpërndanim nëpër shokë, shkolla e kudo që njihnim njerëz të besuar.

Sejcili i dinte detyrat e veta që do i kryenim ashtu siç na i kishte caktuar Shejnasia, t'i bënim thirrje për qetësi dhe tolerancë protesta paqësore pa shkatërrime, pasi inskenimet e sigurimit donin që këkonin pretekst për të anulluar krijimin e Pluralizmit Politik. Unë dhe gjithë gjenerata jonë pjesëmarrëse e lëvizjeve studentore të Dhjetorit 90, jemi krenarë që kemi kryer atë detyrë që historia na e ngarkoi brezit tonë. 

gazeta dosier arben muca

shenasi rama

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë