Arben Puto: E vërteta e procesit
të shpalljes së Pavarësisë

Arben Puto: E vërteta e procesit<br />të shpalljes së Pavarësisë
TIRANE- Kjo është kumtesa e Arben Putos që u mbajt gjatë promovimit të librit të Paskal Milos, “Politika e Jashtme e Shqipërisë”. Në këtë kumtesë historiani i njohur Puto e vlerëson autorin për dimensionin realist gjatë kërkimit të së vërtetës së procesit të shpalljes së pavarësisë. Puto e ka vlerësuar kërkimin shkencor të autorit Milo si aktor dhe autor në këtë sektor dhe e vlerëson për shfrytëzimin e një bibliografie shumë të pasur
 
Paskal Milo është një personalitet i njohur për aktivitetin e tij intensiv në politikë. Kjo nuk e ka penguar të angazhohet me sukses deri tani edhe në shkencë. Është autor i disa veprave me vlerë në fushën e historisëë. Vepra me të cilën ka debutuar i përket vitit të largët 1984, për çështjen e pranimit të Shqipërisë në OKB. Pastaj vijnë me radhë shkrimet në fushën e politikës së jashtme. Kjo që i paraqitet publikut tani është një kryevepër. Është një trajtim mbresëlënës të njërës prej aspekteve më të rëndësisshme të historisë së shtetit të pavarur shqiptar, siç është politika e jashtme. Është një tablo e plotë e gjithëpërfshirëse e periudhës 1912-1939.

Në këtë vepër bëhet një analizë origjinale teorike e krahasuese të zhvillimit të nacionalizmit shqiptar si pararendës e finalizues i krijimit të shtetit të pavarur kombëtar shqiptar. Ka një vështrim kritik të mënyrës sesi janë konceptuar disa aspekte në zhvillimin historik shqiptar e si kanë qenë ato të interpretuara në të kaluarën, sikurse ka edhe interpretime të reja mbi bazën e mendimit të përpunuar botëror në lidhje me gjenezën e tiparet e nacionalizmit në përgjithësi, në Ballkan e në Shqipëri, në veçanti.

Autori ka arritur të qëmtojë fakte të reja e detaje në dokumentacionin arkivor të pabotuar, të huaj e shqiptar, për ta paraqitur në një dimension sa më realist dhe sa më afër të vërtetës procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të portretizojë figurat historike dhe kontributet e tyre në kompleksitetin e tyre e për t’i zbuluar me gjithë dritëhijet, me meritat dhe dobësitë. Është e natyrshme që autori të përqendrohet në figurën e I. Qemalit, si personaliteti kryesor i Shpalljes së Pavarësisë dhe i Qeverisë së Përkohshme të kryesuar prej tij. Është jashtë çdo dyshimi se qeveria e I. Qemalit nuk i kishte mjetet dhe mundësitë për të dalë në marrëdhëniet ndërkombëtare si palë, si subjekt.

Kishte një marzhë veprimesh tepër të ngushtë, aq më tepër që Fuqitë e Mëdha nuk e njihnin qeverinë. Megjithatë, në Vlorë ndodheshin përfaqësuesit e dy Fuqive në rang konsullate. Në kontaktet e vazhdueshme me ta bëhej politikë. Autori e gjykon këtë si një fillim të aktivitetit të mekanizmit shtetëror në politikën e jashtme. Ai shton se: Ismail Qemali dhe shokët e tij u bënë pionierët e diplomacisë shqiptare dhe vendosën gurët e themelit në ndërtesën e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur shqiptar e të qeverisë së tij, për njohjen e Statusit nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e për caktimin e kufijve të saj ishin pa dyshim veprime të politikës së jashtme e në përputhje me objektivin e saj themelor që ishte mbrojtja e pavarësisë, e sovranitetit dhe e tërësisë territoriale të vendit.

Qeveria e Princ Vidit nga pikëpamja formale, e jo për meritë të saj, hodhi disa hapa e kreu disa veprime në politikën e jashtme, por gjithnjë në një mjedis të brendshëm politik të paqëndrueshëm e në krizë. Ajo u njoh ndërkombëtarisht, u shkëmbyen disa përfaqësues diplomatikë e konsullorë. Në përgjithësi, qeveria e Turhan pashë Përmetit nuk arriti të hartojë një program për politikën e jashtme të vendit. Ajo nuk pati as edhe pavarësi në vendimmarrje në politikën e jashtme. Gjithçka imponohej nga Vjena e Roma e nga Fuqitë e tjera të Mëdha. Akti kryesor i politikës së jashtme të Vidit është një akt dorëzimi. Është Protokolli i Korfuzit, që pranoi planin grek për “autonomi të Vorio Epirit”, që donte të thoshte një shtet brenda shtetit, Princit ia imponuan dhe ai e ratifikoi. Ndaj edhe autori bashkohet me mendimin gjerësisht të mbështetur se Principata e Vidit më 1914 ishte një krijesë artificiale e Fuqive të Mëdha, një kompromis i përkohshëm i tyre.

Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u pushtua nga Fuqitë ndërluftuese të Antantës e të Boshtit Qendror. Gjatë saj nuk mund të flitet për shtet shqiptar dhe politikë të jashtme. Tri janë momentet kryesore: shkelja e neutralitetit të shpallur nga vetë Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, kthimi i vendit në shesh lufte midis shteteve ndërluftuese të dy kampeve dhe Traktati i fshehtë i Londrës, më 1915, që parashikonte copëtimin e plotë të Shqipërisë në favor të shteteve fqinje. Edhe pse autori thekson se nuk bëhej fjalë për politikë të jashtme, gjithsesi mbi bazën e shumë burimeve të reja, përmes një dokumentacioni që shfrytëzohet për herë të parë, ai ka arritur të mbledhë informacion me interes mbi veprimet dhe orientimet e personaliteteve kryesore politike të kohës, brenda vendit dhe jashtë tij duke treguar kompleksitetin e sjelljes së tyre. Vihen përballë nënshtrimi, servilizmi e pazaret në dëm të interesave kombëtare dhe meritat e shumicës që edhe në ato rrethana të rënda nuk i reshtën përpjekjet për rimëkëmbjen e pavarësisë dhe integritetin e tokave shqiptare. Nuk mund të bëhej fjalë për politikë të jashtme të saj, por vetëm për marrëdhënie personale ose grupore të individëve politikë me qendrat e qeveritë e vendeve ndërluftuese.

Autori ka dhënë kontributin e tij për të qartësuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në Luftën e Parë Botërore përkundrejt interpretimeve nga më të ndryshmet që janë bërë nga qeveri, politikanë e historianë gjatë e pas Luftës për statusin e saj. Përmes një dokumentacioni të gjerë e të shumanshëm, ai ka vërtetuar se Shqipëria në Luftën e Parë Botërore nuk mbeti as neutrale (asnjanëse), as u bashkua me Antantën dhe as me Fuqitë e Boshtit, por u bë shesh lufte dhe u pushtua nga ushtritë e vendeve ndërluftuese.

Një vend qendror në libër zë çështja shqiptare në Konferencën e Paqes dhe pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Autori, duke shfrytëzuar burime të reja dokumentare e mjaft prej tyre për herë të parë, ka ndriçuar detaje në qëndrimin paraprak të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare në pazarllëqet e tyre rreth saj në Konferencë. Ai ka sqaruar në mënyrën më të plotë të mundshme, mbështetur në burimet arkivore amerikane, edhe evoluimin e qëndrimit amerikan ndaj Shqipërisë dhe është përpjekur që të analizojë shkaqet që e çuan Presidentin Uillson të ndalonte copëtimin e Shqipërisë, përtej interpretimeve subjektive e ndonjëherë naive që i janë bërë aktit të tij.

Libri integron në vijimësi çështjet e Kosovës e të Çamërisë si angazhim periferik të politikës së jashtme të shtetit shqiptar duke sjellë fakte dhe elemente të reja edhe nga një shqyrtim më i thelluar i burimeve arkivore shqiptare.
Siç mund të pritej, politika e jashtme e periudhës së Zogut zë një vend të veçantë. Autori përqendrohet në vitet e Mbretërisë. Është koha kur shteti shqiptar është konsoliduar si shtet i pavarur kombëtar. Kjo periudhë merr një dimension të ri si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Mendoj se kjo është e re në këtë vëllim. Autori ka pasionin dhe këmbënguljen në kërkimin shkencor. Ka qenë edhe aktor, edhe autor në këtë sektor dhe ka arritur të shfrytëzojë një bibliografi shumë të pasur. Ka zbuluar shumë burime jo vetëm arkivore. Ka mbledhur dhe ka konsultuar një literaturë në shumë gjuhë, që citohen për herë të parë në këtë vepër. Vendi përballet me probleme serioze.

Ndryshe nga ç’mund të mendohej, vepron politika e jashtme, nuk është e bllokuar në pozicionet që imponon “protektorati” italian. Zogu ka sensin e politikës dhe bën lojën e tij. Në libër vihet në dukje një nga përçapjet më interesante të tij për t’u bashkuar me Aleancën Ballkanike. Është një përpjekje për t’iu shmangur sadopak diktatit italian, por ajo dështoi për shkak të ngurrimit të shteteve anëtare që i druheshin acarimit të marrëdhënieve me Italinë fashiste.

Por këto nuk janë të vetmet interesa të Mbretit. Ai ka ambicien e lavdisë, të kultit dhe, mbi të gjitha, të pasurisë. Ka shpërdoruar pa fre pasuritë e vendit. Ka marrë nën dorë ryshfete të majme në para, të cilat Italia ia jepte pa “riçevutë”. E fillon dhe e mbaron me nënshtrim ndaj Italisë. Një vit përpara agresionit i thotë Musolinit se çështja shqiptare mund të trajtohet nga Roma jo si një çështje e politikës së jashtme, por e politikës së brendshme të Italisë. Në fakt, ashtu bëhet më 7 prill 1939. Mbreti Zog e braktis vendin dhe merr pasuritë.
Do ta mbyll këtë shkrim me përgëzime për autorin. Është një vepër me vlerë që lexohet lehtë dhe me interes. Shpreh bindjen se Paskal Milo me penën e tij prodhimtare do të na japë faqe të tjera që do të pasurojnë historinë dhe do të jenë një thirrje për ripunimin e historisë në një spektër më të gjerë.
 
Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie