Thuhet se perandori romak Kaligula kishte një kalë të quajtur Incitatus, të cilin e donte aq shumë, saqë vendosi ta konsull të Romës. Nuk ka rëndësi nëse çdo detaj i kësaj legjende është plotësisht i saktë. Rëndësi ka që simboli i çmendurisë së pushtetit ka mbijetuar për dy mijë vjet. Mesazhi që kur pushteti bëhet absolut, aftësia nuk është më kusht për të drejtuar. Mjafton besnikëria dhe mbyllja e gojës.

Kali i Kaligulës është metafora e një sistemi ku posti nuk i jepet më të aftit, më të diturit apo më të ndershmit, por atij që është më i bindur ndaj atij që e emëron.

Në sisteme të tilla, njerëzit fillojnë të ngjajnë me kalin e Kaligulës.

Jo sepse janë domosdoshmërisht të paaftë, por sepse pushteti nuk kërkon prej tyre mendim, pyetje dyshim e karakter, duke i kthyer kështu institucionet në stalla politike vetëm me miratime, duartrokitje e bindje.

Vritet debati, për hir të hingëllimës së propagandës. Vritet meritokracia, për hir të lidhjeve shoqërore dhe vritet përgjegjësia, se vendos besnikëria personale. E kur pyesim se pse një i paaftë vendoset në një post të rëndësishëm, përgjigjja është cinike: “Sepse mundet!”

Ky është thelbi i Kaligulës. Pushteti i pakufizuar nuk ka nevojë të justifikojë zgjedhjet e tij duke u kujtuar të gjithëve se titujt, postet dhe institucionet vlejnë vetëm aq sa lejon Kaligula.

Ndoshta sot nuk kemi më Kaligula që emërojnë kuajt e tyre në Senat, megjithëse po të ndodhte nuk do të habitesha aspak.

Ngaqë kali i Kaligulës është ende gjallë dhe endet nëpër zyra, institucione, parlamente dhe administrata.

Ndoshta, po të ringjallej, Kaligula do të habitej. Jo sepse do të gjente më shumë "senatorë", por sepse do të kuptonte se nuk kishte më nevojë të sillte kalin në Parlament. Disa prej atyre që janë ulur aty kanë pranuar me dëshirë të jenë më pak se një kalë.

Dhe, një demokraci ku deputetët dhe drejtuesit e institucioneve sillen si gomerë, nuk rrënohet as nga opozita, as nga qeveria. Rrënohet nga heshtja e atyre që pranojnë të mbajnë barrën, në vend që të mbajnë përgjegjësinë.