Thuhet se Nermudi ishte mbret i madh. Kishte ushtri, pallate, shërbëtorë dhe njerëz që dridheshin vetëm kur dëgjonin emrin e tij. Ishte mësuar të mundte armiq, të pushtonte toka dhe të jepte urdhra që askush nuk guxonte t’i kundërshtonte.

Një ditë, një mizë i hyri në hundë dhe nëpërmjet kanaleve të frymëmarrjesh shkoi në kokë.

Miza ishte aq e vogël, sa askush nuk e pa. Por Nermudi e ndjeu praninë e saj. U bezdis.

Fillimisht u përpoq ta largonte me dorë.

Pastaj thirri shërbëtorët.

Më pas thirri mjekët, magjistarët, spiunët, madje edhe njerëzit e mençur të mbretërisë.

Askush nuk mund ta gjente mizën.

Sa më shumë kërkonin të tjerët, aq më shumë Nermudi bindej se ajo ishte aty. Filloi të dëgjonte gumëzhimën e saj edhe kur gjithçka ishte e heshtur. E ndiente në çdo mendim, në çdo fjalë që dëgjonte, në çdo njeri që e shikonte. E akuzonte për çdo fatkeqësi që i kishte rënë mbi kokë.

- Duhet vrarë! - ulërinte mbreti.

Dhe filloi të përplaste kokën pas murit.

Një herë. Dy herë. Dhjetë herë.

Muri qëndronte i palëvizur. Miza, ndoshta, kishte ikur prej kohësh. Por Nermudi nuk mund ta pranonte këtë.

Tashmë nuk luftonte më kundër mizës. Luftonte kundër frikës së tij se miza mund të ekzistonte ende.

Sa më shumë përplaste kokën, aq më shumë gjakoste veten.

Oborrtarët heshtnin.

Askush nuk guxonte t’i thoshte se nuk ishte miza ajo që po e vriste.

Dhe kështu Nermudi vazhdoi t’i binte murit me kokë.

Ishte aq i fuqishëm, sa mund të urdhëronte mijëra njerëz. Por nuk kishte fuqi të mundte një mendim të vogël brenda vetes.

Nemrudi vazhdoi derisa nga plagët dhe koka e çarë vdiq.

Në fund, muri mbeti në këmbë.

Edhe mbretëria mbeti.

Vetëm Nermudi nuk ishte më.

Dhe njerëzit, shumë kohë më vonë, ende pyesnin: “A e vrau Nermudi mizën?”
Askush nuk e dinte.

Dhe miza?

Dikush tha se miza nuk kishte vrarë, por kishte ndryshuar formë dhe se ishte në fjalët e atyre që pyesnin. Në heshtjen e atyre që nuk duartrokisnin dhe në sytë e atyre që nuk kishin frikë.

Por askush nuk e pa më kurrë.

Por pikërisht sepse askush nuk e pa, ajo u bë më e madhe se çdo gjë që njerëzit kishin parë ndonjëherë. Atëherë filluan të kërkonin mizën në fytyrat e tyre, edhe pse ajo tashmë nuk kishte nevojë të ekzistonte.
Në fillim, ishte vetëm një mizë.

Pastaj ishte rrezik. Pastaj u bë armik. Pastaj u shndërrua në arsye.

Në emër të saj, njerëzit heshtën.
Në emër të saj, fqinjët u kthyen kundër fqinjëve.
Në emër të saj, u ndërtuan mure.

Dhe sa më pak që ekzistonte miza në të vërtetë, aq më shumë ekzistonte në mendjet e tyre dhe u shndërrua në frikën që kërkonte një emër.

Ishte gënjeshtra që, e përsëritur mjaftueshëm, nuk kishte më nevojë të provohej.

Ishte armiku që duhej të mbetej gjallë, sepse pa të, mbreti nuk do të kishte më arsye të kërkonte bindje.
Ishte një pikë e vogël mbi të cilën pushteti mund të projektonte çdo gjë që i duhej: tradhtarë, të huaj, kundërshtarë, të pabindur.

Miza ishte bërë gjithçka që pushteti donte që njerëzit të kishin frikë.

*Sipas rrëfimit, Nermudi/ Nimrodi thuhet se vdiq në mënyrë absurde nga një insekt (mizë ose mushkonjë) që i hyri në hundë. Insekti e torturonte me dhimbje dhe ai përplaste kokën pas murit, duke menduar se kështu do ta vriste ose do ta largonte.

Megjithatë, nuk është një fakt historik i provuar. Është pjesë e legjendave që lidhen me figurën e Nermudit, shpesh për të theksuar idenë se edhe sundimtari më i fuqishëm mund të mposhtet nga diçka më e vogël.