Dhe befas, një ditë të bukur të vitit 2026, ndodhi mrekullia.

Të gjithë në Shqipëri filluan të shkruanin.

Edhe ata që gjithë jetën kishin vuajtur nga kapsllëku intelektual dhe nuk kishin mundur të hidhnin në letër dy rreshta pa u djersitur. Edhe ata që, po t’i lije përpara një flete të bardhë, do të shikonin njëri- tjetrin me ankth.

Papritur, ata që nuk artikulonin dot rrjedhshëm dy fjali, filluan të shkruanin analiza çdo ditë. Madje edhe dy apo tre në ditë…

Analiza politike. Analiza filozofike. Analiza gjeopolitike. Analiza historike. Analiza sociale. Analiza për arsimin. Analiza sociologjike. Analiza letrare. Statuse në Facebook. Nekrologji ngushëllimi, madje edhe urime për gëzime…

U gdhinë të gjithë analistë, politologë, ekspertë, filozofë të vonuar dhe historianë të çastit.

Dhe faqet e gazetave mbusheshin me të tilla analiza.

Çudia më e madhe nuk ishte që shkruanin, por se shkruanin të gjithë njëlloj.

Të njëjtën strukturë. Të njëjtin ritëm. Të njëjtat kthesa. Të njëjtat fjalë, të njëjtët togfjalësha, të njëjtat “zbulime” që në fund nuk zbulonin asgjë.

“Por problemi nuk është ky. Është ai…”

“Paradoksi qëndron…”

“Këtu shtrohet pyetja…”

“Slogan…”

“Fasadë…”

“Sepse kjo e ajo…”

“Nuk është kjo, është ajo.”

“Nuk është kështu. Është ashtu.”

“E vërteta brutale.”

“Ironia është se…”

“Dhe pikërisht këtu qëndron problemi…”

“Historia na mëson…”

“Në fund…”

Dhe pastaj: etj., etj., etj.

Një komb i tërë sikur kishte hyrë në të njëjtën fabrikë fjalish e fjalësh që nuk ishin as të shqipes. Në struktura gjuhësore, morfologjike e sintaksore të anglishtes. Ndryshonte vetëm emri në fund.

Të gjithë citonin filozofë që nuk i kishin lexuar kurrë. Historianë që nuk i kishin hasur as në Wikipedia. Politologë, sociologë, ekonomistë dhe politikanë të huaj, emrat e të cilëve deri dje nuk ua kishte dëgjuar veshi.

Bënin paralelizma historike me Perandorinë Romake, Weimarin, referonin Mark Aurelin, Machiavellin, Arendtin, Orwellin, Antonio Gramscin, demokracinë amerikane, autokracitë lindore dhe Zotin e di çfarë tjetër.

Bënin akrobacira politike e fjalësh aq të ndërlikuara, saqë jam i bindur se në fund as vetë nuk e kuptonin çfarë kishin “menduar”.

Përdornin fjalë të mëdha për të mbuluar mungesën e një mendimi të vogël.

Përdornin me tepri fjalë e gjymtyrë homogjene, renditje, kundërvënie, paradokse, metafora dhe fjali që tingëllonin thellë vetëm sepse askush nuk merrte mundimin të pyeste: “Po çfarë the, more?”

Dhe kulmi ishte kur në fund të shkrimit vendosnin emrin e tyre.

Krenoheshin. Mburreshin. Prisnin pëlqimet. Prisnin komentet: “Brilante!”, “Analizë e shkëlqyer!”, “Sa bukur e ke thënë!”, “Respekte për mendimin tuaj!”

Dhe të gjithë e dinin.

E dinte autori. E dinte lexuesi. E dinte miku që i shkruante “Bravo”. E dinte edhe ai që nuk guxonte ta thoshte.

Shkrimin nuk e kishte shkruar ai.

E kishte bërë AI (Artificial Intelligence).

Nuk ka asgjë të keqe të përdorësh Inteligjencën Artificiale. Siç nuk ka asgjë të keqe të përdorësh një makinë llogaritëse.

E keqja është kur makina llogarit për ty dhe ti del në rrugë duke u mburrur se je matematikan.

Kur dikush të ndërton fjalinë, argumentin, strukturën, referencën, përfundimin dhe mendimin, ndërsa ti vendos vetëm emrin poshtë, kjo nuk quhet domosdoshmërisht e shkruar.

Kjo quhet firmosje e kopjes; vjedhje.

Fatkeqësia nuk është që AI shkruan.

Fatkeqësia është se shumë njerëz, që për vite të tëra nuk kishin pasur e as dinin se çfarë të thoshin, kishin gjetur mënyrën ta thoshin “shumë bukur”.

Edhe kur nuk kishin menduar ndonjëherë asgjë.

Ndërkohë idiotësia vazhdon.

Sot mund të prodhosh një mijë fjalë pa pasur një ide.

Mund të citosh dhjetë filozofë pa lexuar një libër.

Mund të dukesh analist pa analizuar kurrë.

Mund të dukesh i thellë pa pasur prekur kurrë fundin e një mendimi.

Dhe, mbi të gjitha, mund të vendosësh emrin tënd poshtë një teksti që nuk është i yti dhe të bindesh, me kalimin e kohës, se je vërtet aq i zgjuar sa tingëllon shkrimi.

AI është një mjet i jashtëzakonshëm.

Por nuk mund të të japë atë që nuk e ke.

Mund të të ndihmojë të shkruash më mire, por nuk mund të të japë përvojë.

Mund të të ndihmojë të organizosh një ide, por nuk mund të të jape mendime e një jetë me mendime.

Mund të të sugjerojë një argument, por nuk mund të të bëjë njeri me mendime e argumente të fuqishme.

Dhe populli analist shqiptar vazhdonte të “analizonte”.

Vetëm se, të gjitha analizat tingëllonin njëlloj.

Ngaqë nuk po flisnin ata.

Po fliste e njëjta makinë, ndërkohë që secili kishte vënë firmën e vet.