Rajai nuk është njeri.

Është një gjendje morale, një mënyrë ekzistence dhe degjenerim i karakterit njerëzor.

Rajai nuk lind skllav; zgjedh të mbetet i tillë. Për këtë arsye, rajai është aleati më i çmuar i çdo pushteti të korruptuar, i çdo regjimi autoritar dhe i çdo sistemi që ushqehet me frikë, servilizëm dhe nënshtrim.

As tiranët e as regjimet nuk kanë sunduar e mbijetuar vetëm falë forcës së tyre.

Ato janë mbajtur në këmbë për disa vite sepse kanë pasur gjithmonë pas vetes një ushtri rajash që kanë hequr dorë vullnetarisht nga ndërgjegjja në këmbim të një privilegji, një posti apo një rroge.

Prandaj çdo regjim i korruptuar dhe çdo pushtet arrogant investon tek rajatë dhe ushtritë e servilëve.

Rajatë nuk pyesin nëse urdhri është i drejtë, por nëse nënshtrimi do t'u sjellë përfitime.

Rajatë janë skllevërit absolutë, lumturia e pushteteve të çoroditura dhe armiqtë e përhershëm i lirisë.

Ata janë gjithmonë të gatshëm të tradhtojnë, të lajkatojnë, të shpifin dhe të përkulen përpara çdo autoriteti, pa pyetur nëse ai autoritet është i drejtë apo kriminal. Rajave nuk u intereson nëse pushteti varfëron popullin, shkatërron institucionet apo rrënon të ardhmen e vendit. E vetmja gjë që i shqetëson është ruajtja e rehatisë dhe privilegjeve të tyre që u garanton servilizmi.

Nuk kanë moral, as dinjitet, as ideale; nuk njohin atdhe, as drejtësi e meritokraci. Rajtë kanë vetëm interesa dhe çmim; njohin vetëm padronin dhe urdhrin që e zbatojnë në mënyrë të verbër.

Për këtë arsye, janë potencialisht tradhtarë, spiunë, mashtruesa dhe puthadorë. Sot denoncojnë mikun, nesër shpifin për të ndershmin, pasnesër duartrokasin atë që dje e mallkonin. Besnikëria e tyre nuk është ndaj së vërtetës, por ndaj pushtetit.

Rajatë e matin atdhedashurinë me bindjen ndaj partisë ashtu si zyrtarët që heshtin përballë padrejtësisë, ngaqë heshtja u garanton karrigen. Ata janë autorët moralë të përndjekjes së njerëzve të lirë, të vrasjes së meritokracisë, të largimit të mendjeve më të mira dhe të shkatërrimit të çdo shprese për një shoqëri më të drejtë.

Mos të na gënjejë mendja se krimet më të mëdha kundër një kombi kryhen vetëm nga regjimet. Ato bëhen të mundura nga rajatë që kanë zgjedhur skllavërinë vullnetare.

Ata  janë garancia e pushteteve se abuzimi do të vazhdojë.

Një pushtet i korruptuar edhe mund të rrëzohet me votë. Mentaliteti i rajait është shumë më i vështirë të rrëzohet.

Mentaliteti i rajait strehohet në ndërgjegjen e atij që është gati të shesë lirinë, të vërtetën dhe dinjitetin për interesin personal.

Sa kohë që një shoqëri i nënshtrohet mentalitetit të rajasë dhe nuk përqafon lirinë, atëherë shoqëria është dorëzuar.

Sa kohë që një shoqëri i nënshtrohet servilizmit, bindjes, zvarritjes dhe frikës; liria do të mbetet një fjalë e bukur dhe jo realitet.