Ardian Dvorani i përgjigjet
Brahos: Hap çantën e zezë

TIRANE- Ardian Dvorani, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe relator në çështjen “Meta”, i ka kthyer përgjigje në numrin e sotëm të revistës “Java”, juristit të LSI, Spartak Braho. Dvorani thotë se nuk do të merret me detajime personale, por i kujton Brahos se çanta e zezë që ai mban gjithmonë në dorë, është përdorur vetëm në kohën e diktaturës.

Ishit relator i procesit të Ilir Metës, si gjykoni sot mbi vendimin tuaj të djeshëm?
Nuk kam dhe nuk do të kem asnjë mëdyshje mbi çfarë kam shkruar dhe votuar në vendim. Kam vënë re, se edhe media dhe opinioni publik, në shumë raste nuk e kanë lexuar me vëmendje vendimin ose e kanë paragjykuar gjë që nuk mund ta them për komunitetin e juristëve. Vendimi është një shenjë e shkruar që mbetet. Në të gjitha rrethanat do të jepja të njëjtin vendim me ato prova që mbetën për tu shqyrtuar në përfundim të hetimit gjyqësor. Njëlloj do të vendosja edhe nëse subjekti i hetuar gjyqësisht do të ishte i pasur apo i varfër, i pushtetshëm apo i papunë. Kushtetuta dhe konventa evropiane e të drejtave të njeriut, imponojnë që dyshimet në një proces penal, shkojnë gjithmonë në favor të të pandehurit.

Pak ditë më parë jeni sulmuar ashpër në media nga avokati i zotit Meta, Spartak Braho. Cila është përgjigja jote për të?

Si jurist, do ta kaloja në heshtje. Do të flisja nëse do të ishte një debat profesional, por edhe pse balta ishte “private” do të merresha më shumë me fenomenin. Nuk do të flas për etiketimet personale dhe të pahijshme që më ka bërë. Nga unë nuk do të dëgjoni konsiderata personale për juristin Braho, por për cantën e tij të zezë që ai e mban me vete , nuk do të hesht. Besoj se ajo cantë ku pretendohet se ndryhen sekrete me vlerën e provave për vepra penale, është një rast i nxitur nga e shkuara e tij. Vetëm në diktatura, dosjet dhe cantat e zeza ishin normale, ato u rregullonin jetën atyre që i mbanin dhe jua shkatërronin shumicës tjetër. Si jurist ju them se ligji penal shqiptar kërkon ndjekjen penale të detyrueshme mejnëherë sapo vihet në dijeni për prova për një krim të caktuar dhe për fakte penale. Ndryshe, ato do të ishin arkiva okulte për interesa okulte. Askush përvec shtetit nuk ka të drejtë të vëzhgojë dhe gjykojë jetën private të tjetrit duke i dhënë vetes mundësinë që ti bëjë karshillik institucioneve të vendit dhe inteligjencës së qytetarëve dhe për ti përdorur ato për interesa personale dhe të atyre që ka rrotull.
(ab/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave