Ardo,shampanja e parë shqiptare nga
sheshi i bardhë i vreshtave të Mirditës

Ardo,shampanja e parë shqiptare nga<br />sheshi i bardhë i vreshtave të Mirditës
Për të parën herë Shqipëria shënjon emrin e saj në tregun botëror të shampanjës. Kantina “ARBËRI” vijon me autenticitetin e saj edhe me këtë produkt të paeksploruar për prodhuesit shqiptarë, me shampanjën “ARDO”. Në një intervistë për suplementin “Drejt Punës” të gazetës Shqiptarja.com enologu Rigers Kaçorri rrëfen historikun e emrit që mori po aq kohë sa krijimi i produktit për të “ardhur në jetë”. Ai tregon se Ardo, është fjalë e përdorur nga ilirët dhe nënkuptonte verën që shkumëzonte. Një pije që si lëndë të parë ka një varietet autokton shqiptar, sheshin e bardhë.
 
Rigersi, një i ri me plot pasion për punën që bën, ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij jashtë Shqipërisë, duke grumbulluar eksperienca në universitet më të mira europiane për të realizuar ëndrrën e fëmijërisë pikërisht në vendin e lindjes, në Mirditë. Aty ku edhe duke u bazuar në traditën familjare, në një moshë shumë të vogël u interesua për atë që më vonë u kthye në profesionin dhe dashurinë më të madhe.
 
Kantina “ARBËRI” është prezente në tregun shqiptar prej vitit 2003, ndërsa me kalimin e viteve ka shtrirë produktet në disa vende të botës. Një investim i qëndrueshëm, që ecën me hapa të vegjël duke ruajtur në emër, shije dhe natyrë pikërisht traditën shqiptare.
 
Të shumë kanë qenë personalitet që kanë vizituar kantinën dhe kanë vlerësuar verën “ARBËRI”. Rigersi veçon shënimin e Agollit, pak vite para se të ndahej nga jeta, fjalë të bukura të shkruara nga shkrimtari i madh shqiptar që mbeten përjetësisht në “memorien e kantinës”. Një tjetër arritje për “ARBËRI”-n ka qenë prezenca e saj në drekën e servirur gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Ndërsa edhe Jancis Robinson, kritikja që merret me seleksionimin e verërave të Mbretëreshës së Anglisë është impresionuar nga ky produkt shqiptar.
 
Më poshtë do mund të lexoni intervistën me enologun Rigers Kaçorri i cili bazuar një ëndrrat e tij të realizuara ka një këshillë për të gjithë të rinjtë që e shohin ikjen nga Shqipëria si të vetmen rrugë për të punuar me krenari dhe pasur sukses: “Punoni shumë për ëndrrën që keni, punoni me dashuri dhe përkushtim dhe shpejt do vijë edhe realizimi i saj. Kemi resurset më të mira në Ballkan për të bërë gjëra të mira dhe produkte shumë cilësore, sidomos në sektorin agropërpunues. Studim, punë dhe pasion duke ndjekur ëndrrën që gjithsecili prej nesh ka për një të ardhme sa më të begatë”.
 
Kantina “ARBËRI” sjell shampanjën e parë shqiptare tanimë me emrin “ARDO”, cila ishte rruga nga ideja te realizimi, pse ky emër?
Ishte një iniciativë e marrë në vitin 2012, ndodhesha me ca miq në Bordeaux të Francës për rreth 2 muaj dhe njëri prej tyre më thotë: Po ju prodhoni shampanjë?? Përgjigja ime ishte jo, por në vetvete më lindi një ndjenjë pozitive dhe mendova pse jo mund ta realizoj. Kthehem për festa në Shqipëri dhe i propozoj babait idenë dhe me thotë është e pamundur të bësh këtë gjë në Shqipëri por pas insistimit tim ai pranoi dhe më hapi dritën jeshile. Në fillim nisi si një eksperiment por duke parë eksperiencën e marrë jashtë Shqipërisë dhe ndihmën nga miqtë që kisha andej thashë do bëj më të mirën e mundshme. Ideja ime ishte që si lëndë të parë të kem një varietet autokton shqiptar siç është sheshi i bardhë dhe jo një varietet ndërkombëtar. Kjo është edhe veçoria e “ARDO”, është një produkt 100 % shqiptar. Kështu nisa nga puna. Mora prodhimin e parë të fundvitit të 2011 dhe fillova prodhimin e saj sipas metodës klasike ose siç njihet ndryshe metoda “SHAMPENUAR” dhe bëra mbushjen e shisheve të para në fillim të 2012. Procesi filloi normalisht, por kërkon një kohë prej rreth 18 muajsh rifermetim të dytë në shishe dhe herë pas here shikoja evoluimin e saj dhe ndjesitë ishin gjithmonë pozitive. Me miqtë në Itali bëja herë pas here degustime dhe analiza dhe rezultatet ishin shumë të mira deri kur në shtator-tetor të vitit 2013 dolën shishet e para dhe komplet procesi u mbyll në janar të vitit 2014. Për sa i përket emrit, të them të drejtën kisha disa probleme sepse nuk po gjeja një emërtim të përshtatshëm duke parë edhe ligjin shqiptar që e quan “shkumëzuese”, i lashë vetes kohë dhe studiova tregun shqiptar dhe atë ballkanas pasi sërish doja një emër të lidhur me Shqipërinë. Kështu në fund të 2016 pas një sërë konsultimesh me studiues dhe historianë zgjodha ARDO, fjalë e përdorur nga ilirët, Ardo-verë që shkumëzonte ose fërkohej nga përpunimi dhe nxjerr bulëzat e saj. Për fatin tonë të mirë është një emër i shkurtër siç janë emrat e shampanjave më të mëdha të botës, me 4 shkronja dhe kjo gjë është diçka e mirë për konsumatorin sepse e mban mend shpejt. Duke parë këtë emër kemi bërë regjistrimin në zyrën e patentave në Ministrinë e Ekonomisë dhe Drejtorinë Ndërkombëtare të markave dhe tani është një brand i kantinës “ARBËRI”.
 
”ARBËRI” tashmë është një emër i njohur sa i përket verës, a duket se shampanja po ecën me të njëjtat ritme, e pëlqejnë njerëzit, cilat janë vështirësitë e tregut?

“ARDO”-ja po ecën mirë në treg por duke parë që kryesisht përdoret në raste gëzimi, për të celebruar raste apo për të shënjuar momente të veçanta ecën më ngadalë se vera. Kush e ka provuar jep vlerësimet maksimale. Të gjithë të huajtë e kanë vlerësuar vërtet shumë dhe një pjesë e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri e përdorin për raste dhuratash kur kthehen në vendet e tyre dhe të dhënat që na japin janë vërtet pozitive. Përplasemi me tregun të them të drejtën por “ARDO”-ja është një çështje dëshire dhe faktikisht informacionet që ne marrim edhe pse është një produkt i ri janë vërtet shumë pozitive.
 
Ti je nga të paktët të rinj shqiptarë që ke studiuar enologji, sa dhe si ndikoi tradita familjare në dashurinë për verën dhe a ishte ndihmë në studimet e tua jashtë vendit, apo mjaftoi pasioni?
Në çdo familje të Mirditës është pirë një gotë verë sepse është një zonë katolike dhe kjo pije në çdo festë ndodhej në tryezat tona edhe atëherë kur ishte e ndaluar festa. Tradita e familjes ka qenë një shtysë e madhe për mua sepse jam rritur duke parë familjarët e mi që prodhonin verë në mënyrë artizanale dhe aty ka lindur dhe pasioni im për verën në një moshë shumë të vogël. Vit pas viti shikoja sesi bëhej vera dhe familja më bëri të dashuroj këtë profesion në fillimet e mia. Pasi vendosa të studioj jashtë vendit, pasioni për këtë fushë më bëri të marr më të mirën dhe aty arrita të kuptoj që për të prodhuar një verë të mire duhen njohuritë e duhura sepse nuk mjafton vetëm dëshira dhe pasioni për të prodhuar një verë brenda standardeve europiane dhe botërore. Shkollimi dhe eksperiencat në shkollat më të mira europiane për enologjinë më ka bërë të jem në koherencë të plotë me metodat më të mira të prodhimit të verës dhe kjo ka qenë ndihma më e madhe.
 
Rikthimi në Shqipëri pas një shkollimi të gjatë jashtë për t’ia dedikuar të gjitha dijet dhe eksperiencat e fituara investimit në Mirditë, vendit ku ke lindur, duket sakrificë por edhe kënaqësi e madhe, cilat ishin planet gjatë studimeve dhe si munde t’i konkretizoje?
Gjatë periudhës së studimeve një ndër gjërat që mendoja shpesh me vete ishte a do ia dal që të bëj diçka të bukur për Mirditën time, flas këtu për eksperiencat dhe dijet që merrja ditë pas dite. Eksperiencat, që edhe atje kishin pasur vështirësi të mëdha për tu realizuar, por pas shumë përpjekjesh dhe pune shumë të madhe ishin bërë. Kjo ka qenë e vështirë për mua për të parë a do mundem të fus një mënyrë pune të re në Mirditë përsa i përket verës por them me besim të plotë që jemi në rrugën e duhur dhe besoj që Mirdita shpejt do kthehet në një nga vendet kryesore të prodhimit të verës cilësore dhe një vend i vizituar nga të gjithë.
 
Klima perfekte e bën verën e ARBËRI-it një nga produktet shqiptare më të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit. Ku shtrihen vreshtat tuaja? Cilat janë disa nga çmimet më të rëndësishme që keni marrë dhe ku eksportohet ky produkt?
Vreshtat e kantinës “ARBËRI” ndodhen në të gjithë Mirditën duke filluar nga vreshtat e Bukmirës, ku sot që flasim janë rreth 100 hektarë që punohen nga i gjithë fshati i Bukmirës ku edhe kantina “ARBËRI” jep ndihmesën e saj. Vreshtat e Kodër-Rrëshenit janë një pjesë tjetër ku ne kemi mbjellë një sipërfaqe prej 7 hektarësh me varietete autoktone të zonës. Flasim edhe për vreshtat e Prosekut ku janë në një sipërfaqe më të vogël por me një potencial shumë të mirë. Kemi edhe vreshtat afër kantinës, ato të Kaçorrajve me një sipërfaqe prej rreth 8 hektarësh. Përsa i përket çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare Kantina “ARBËRI” në vitin 2012 ka marrë 90 pikë nga 100 të mundshme në WINE&SPIRITS magazine në New York, në vitin 2014 ka marrë 88 pikë nga 100 të mundshme në WineEnthusiast po në New York, këto janë më të rëndësishmet sepse njihen ndërkombëtarisht dhe janë revistat më me emër në rang botëror. Çdo vit pothuajse vera e Kantinës “ARBËRI” ka marrë çmime edhe kombëtare si për verën e kuqe ashtu edhe për të bardhën. Ne eksportojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbi, Belgjikë, Francë, Kosovë, Mal i Zi dhe Zvicër ku presim të dërgojmë sasitë e para. Eksporti vitet e fundit ka arritur rreth 10% të prodhimit dhe shpresojmë që ky treg të jetë në rritje edhe në vitet në vazhdim.

arberi
 
Kantina ku prodhohet vera që prej vitit 2003 është vizituar nga personalitete të shumta që kanë vlerësuar verën dhe punën tuaj, do veçonit një moment? Gjithashtu vlerësime ka pasur edhe nga personazhe që kanë provuar verën, si janë shprehur?
Kantina është vizituar pothuajse nga të gjithë ambasadorët në Shqipëri po ashtu edhe politikanë të ndryshëm, personalitete të të gjitha fushave dhe ka marrë fjalët më të mira. Të gjithë ata që e kanë parë që nga viti 2003 kur ka filluar rrugëtimi i saj e deri më sot që vërejnë ndryshimet e bukura të bëra me kalimin e kohës vazhdojnë e degustojnë të gjitha produktet tona. Një ndër personazhet që e ka vlerësuar është Papa Françesku, ku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në drekën e tij është servirur vera e kantinës “ARBËRI”. Ky ka qenë një ndër çastet më të bukura të kantinës. Fjalë shumë të mira për “ARBËRI”-in ka shprehur edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli që tani nuk jeton më. Kritikja e njohur e verës Jancis Robinson që merret me seleksionimin e verërave të Mbretëreshës së Anglisë është shprehur me nota pozitive për verën Kallmet 2013 në një shkrim të saj në Londër.
 
Vera “ARBËRI” nuk është vetëm prodhim por edhe një bashkësi sociale. Je keni integruar edhe banorët e fshatrave të zonave rrotull të cilët shesin te ju rrushin nga vreshtat e tyre. Madje mund të themi se mirditorët krenohen për këtë sukses, e kjo në një farë mënyrë tregohet edhe nga një këngë që i është kushtuar verës “Arbëri”, si e përjetuat këtë gjest?
Ne bashkëpunojmë me shumë familje që kultivojnë vreshta në Mirditë sidomos në fshatin e Bukmirës ku janë rreth 55 familje që vit pas viti sjellin prodhimin e tyre që nga viti 2002-2003 kur është hapur kantina. Tanimë është një pjesë e të gjithë Mirditës dhe është kthyer në simbol krenarie për të gjithë mirditorët duke qenë se një pjesë e produkteve të saj eksportohen në disa vende të botes dhe në çdo shishe ka një pjesë të saj. Para disa kohësh Mark Gjoka këngëtari i muzikës popullore bëri një këngë për verën e kantinës si një shenjë falenderimi për këtë punë të bërë gjithë këto vite.
 
Mirdita njihet për prodhimin dhe dashurinë që ka për alkoolin, ku vera cilësohet si “Gjaku i Krishtit”, këtu në fshat ka edhe një histori me Priftin e Kishës, mund të na e tregosh?
Është një histori shumë e bukur që e tregoj gjithmonë me miqtë që vizitojnë vreshtat në Kodër-Rrëshen. Gjatë viteve 2008-2009 po ndërtonim vreshtin e ri dhe prifti i kishës (Padre Lino, që fatkeqësisht nuk jeton më) na shikon duke punuar dhe vjen e thotë që dua të të jap një ndihme për ju, do mbillni vreshtë edhe rreth kishës sepse vera është “Gjaku i Krishtit” dhe në këtë mënyrë të gjithë do mundohen të mbjellin sado pak tokat e tyre me këtë frut shumë të veçante që njihet prej shekujsh. Ne e realizuam dëshirën e tij dhe çdo muaj i dhurojmë një sasi të vogël kishës në shenjë respekti dhe falederimi.

kisha
 
Përveç verës e shampanjës në kantinë, në kushte tradicionale, pa humbur aspak shijen ju prodhoni edhe raki rrushi, cilat janë planet e së ardhmes, duke parë që produktet tuaja po zgjerojnë prezencën në tregun vendas dhe të huaj?
Unë personalisht rakinë e kam parë gjithmonë si një pije që nuk është vlerësuar në Shqipëri dhe them që shumë shpejt do kthehet në një pije luksi për vendin tonë sepse është traditë e gjithë zonave në vend. Me disa metoda më të mira mund të bëjmë raki shumë cilësore dhe pse jo ta eksportojmë edhe jashtë vendit. Kantina “ARBËRI” ka investuar në këtë sektor dhe tani ka një repart të veçantë vetëm për rakinë, duke bërë që të jetë e para kantinë në Shqipëri që ka një repart dhe metodë tradicionale për prodhimin e rakisë. Duke parë mundësitë e zonës kemi në plan të prodhojmë në vitet në vazhdim edhe dy lloj rakish, raki dëllinje dhe raki thane. Jam besimplotë që shpejt ky produkt “Made in Albania” do eksportohet edhe në vendet e Evropës.
 
Një këshillë për të rinjtë që e shohin ikjen nga Shqipëria si të vetmen rrugë për të punuar me krenari dhe pasur sukses?

Unë personalisht mund të jap vetëm një këshillë: që punoni shumë për ëndrrën që keni, punoni me dashuri dhe përkushtim dhe shpejt do vijë edhe realizimi i saj. Kur them punë, flas për gjithëpërfshirjen në atë që ke dëshirë të ndërtosh. Gjithashtu duhet që në mënyrë konstante të jemi në dijeni të tendencave të fundit në çdo sektor, kështu suksesi vjen shpejt. Kemi resurset më të mira në Ballkan për të bërë gjëra të mira dhe produkte shumë cilësore, sidomos në sektorin agropërpunues. Studim, punë dhe pasion duke ndjekur ëndrrën që gjithsecili prej nesh ka për një të ardhme sa më të begatë.

[gallery]21581[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Pamje nga mali i Çajupit, Rama: Transumanca pasuri e UNESCO

Pamje nga mali i Çajupit, Rama: Transumanca pasuri e UNESCO