Arkeologu: Gërmimet klandestine
ia kalojnë trafikut të drogës

Arkeologu: Gërmimet klandestine <br />ia kalojnë trafikut të drogës
"Klandestinët shkojnë para nesh në qendrat arkeologjike", thotë arkeologu që mbulon periudhat e antikitetit të vonë dhe mesjetës, prof. Skënder Muçaj. Sipas tij janë kërkuesit klandestinë të antikuarëve që bredhin fushave dhe kodrave të Shqipërisë, madje edhe duke shpenzuar para në kërkim të thesareve dhe "marrin ç'mund të marrin", duke mbjellë shkatërrimin pas. Por, pas tyre qëndrojnë porositësit dhe tregu i zi i antikuarëve. Cilat janë tregjet dhe si përfundojnë objektet antike në vilat e shtëpitë e VIP-ave në Tiranë me destinacionin objekte zbukurimi. Arkeologu i njohur pohon se në të gjitha territoret ku janë shpallur monumente ose parqe arkeologjike dhe në rrethinat që gabimisht janë lënë jashtë listës, kthehen në gropa të mëdha arkeologjike të bëra nga klandestinët. Skënder Muçaj ka punuar për vite me radhë në frontin e gërmimeve arkeologjike duke rrahur mirë gjithë territorin shqiptar nga Shkumbini deri në Sarandë. Ai thotë se tashmë këto vite ka si pikë eksplorimi qytetin antik të Bylisit. Ndërsa shkon shpesh atje, ai nuk mund të mos u bëj një inspektim zonave që i zë rrezja e atyre parqeve arkeologjike që janë në listën e Ministrisë së Kulturës, por disa rezultojnë jashtë kontrollit. Arkeologu Skënder Muçaj thotë se i ka ndjekur të gjitha publikimet për gërmimet klandestine kohët e fundit në "Shqiptarja.com" për Tumat e Bajkajve dhe ato të Finiqit, por u befasuam që lista që publikon ai në gazetën tonë për gërmimet klandestine dhe grabitjet e antikuarëve, për betonin e rrugëve mbi qytetet arkeologjike dhe për shtëpi të sapo ngritura mbi kisha antike, ua kalon lajmeve të sjella nga të gjitha mediat së bashku. Kujt i mbetet pas kësaj interviste përgjegjësia. Kur dhe kush do ta ndalë trafikuan e antikuarëve, që siç thotë arkeologu Muçaj, ia kalon edhe atij të drogës...?!

Zoti Muçaj, a keni dëgjuar për gërmimet klandestine, sidomos ato që janë në bërë kohët e fundit në zonën e Sarandës, Finiq, etj?
-I kam ndjekur të gjitha publikimet që keni bërë te "Shqiptarja.com" për këto gërmime dhe në media të tjera. Gërmimet klandestine kohët e fundit kanë marrë përmasa shumë të mëdha. Ky është viti që klandestinët i janë afruar edhe qendrave të rëndësishme arkeologjike, aty ku ka edhe parqe; që tregon se institucionet shtetërore përgjigjen për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike. Në Shqipëri drejtoritë rajonale të trashëgimisë mbulojnë vetëm qendrat, por më problem është kur gërmohet në terrene arkeologjike që nuk janë të përfshira në parqet, sepse brenda parqeve ka punonjës çdo ditë.

Kjo i lë të lirë klandestinët?
-Nuk është vetëm kjo, sepse janë prekur nga gërmimet klandestine edhe ato që janë shpallur parqe arkeologjike. Akoma më shumë janë prekur rrethinat që janë shumë në afërsi të një parku. Për shembull, kemi parkun e Bylisit që është i shpallur si i tillë, por shumë afër tij është edhe ndonjë qytet tjetër antik, i pa përfshirë në parqe siç është qyteti i Klosit.

Qytetet arkeologjike jashtë listës si Klosi nuk e kanë statusin e parqeve që të mbrohen nga shteti?
-Po dhe kjo është një politikë jo e drejtë, sepse Klosi është një qytet arkeologjik i gërmuar, por nuk është përfshirë në statusin e parqeve arkeologjike. Megjithatë atje dihet që janë kryer disa gërmime arkeologjike

Çfarë ndodh në raste të tilla?
-Drejtoria e parkut ka në detyrim vetëm qytetin e Bylisit, pa parqet e tjera që faktikisht janë ekzistuese rreth e përqark. Kjo për mua është një gabim që është bërë nga Ministria e Kulturës në atë kohë që është përcaktuar se çfarë përfshihet në listën e parqeve arkeologjike. Nuk mund të rrinë 7-8 veta vetëm roje në një qendër, duke pasur pak më tej më tej një qendër tjetër arkeologjike me jo më pak vlera. Kur vizitorin ose turistin shteti e çon deri në Bylis, mund ta çoj edhe në Klos, sepse rruga është vlerat arkeologjike janë dëshmuar. Dikur kështu ka qenë; ata që punonin në Bylis përgjigjeshin edhe për Klosin. Vinte dikush nga punonjësit njëherë në javë për pastrim ose shikonin se mos dëmtohej gjësend.

Sa dëme i janë sjellë qytetit antik të Klosit, duke mos u përfshirë si pjesë e parkut arkeologjik?
-Klosi është qytet arkeologjik ku janë bërë zbulime. Tani që s'ka njeri, përgjigjen klandestinët për të, shkojnë e gërmojnë. Po kështu në qytetin e Gurrëzës sipas të dhënave që kam nga ata të parkut të Apolonisë ka një numër të madh gërmimesh klandestine. Gërmime klandestine ka edhe në qendra të mëdha, atëherë nuk përjashtohen qendrat e vogla.

Pse klandestinët po u sulen tumave kohët e fundit?
-Tuma është një varrezë e madhe historike dhe kanë objekte me vlerë. Ata janë të interesuar për objektet metalike, por në tumë ka edhe objektet qeramike, objekte zbukurimi e kështu me radhë. Tumat janë varrezat më të pasura me objekte arkeologjike që kemi neve, jo vetëm ato prehistorike por edhe të një kohe të vonë, siç janë ato të Apolonisë që janë një pasuri kolosale edhe për Mesdheun, jo vetëm për Shqipërinë.

Përderisa ka kaq shumë klandestinë, duhet të ketë edhe një treg që i tërheq këto. Cili është tregu?
-Tregu i antikuarëve ekziston në botë, por në Shqipëri nuk ka një treg specifik, një ankand antikuarësh. Klandestinët detyrimisht i shesin jashtë. Në këtë lloj tregu ka edhe VIP-a që janë pasuruar nëpërmjet këtij biznesi, ose ka nga ata që janë në politikë dhe kanë një post të caktuar. Madje ata që kanë ndonjë vilë, ose shtëpi kanë filluar t'i zbukurojnë me objekte arkeologjike.

Cilët janë këta që e bëjnë këtë?
-Në qoftë se ata nuk i kanë nxjerrë akoma, unë di që kanë filluar të qarkullojnë të tilla. Kjo u takon instancave të tjera t'i zbulojnë.

Ju thatë që vitet e fundit janë shtuar gërmimet klandestine, pse?
-Është edhe faji i ligjit. U ndryshua në vitin '93, ku më parë thuhje se askush nuk kishte të drejtë të mbante objekte arkeologjike dhe dënohej nëse mbante. Ky ligj u kalua si pa të keq dhe shumë vetë tashmë janë bërë pronarë objektesh arkeologjike, që i vjelin prej gërmimeve klandestine dhe sot askush nuk është dënuar për këtë punë.

Interpoli nuk i ndjek këto objekte kur kalojnë jashtë?
-Interpoli është tjetër gjë. Nuk mund të ndjek të gjitha objektet kur kalojnë jashtë. Ato që duhet t'i ndjekin janë strukturat përkatëse brenda vendit.

Cilat struktura?
-Ministria e Kulturës, drejtoritë rajonale të parqeve dhe Institucioni i Monumenteve të Kulturës. Këto janë drejtoritë që përgjigjen për trashëgiminë arkeologjike të mbitokës dhe nëntokës.

E ka potencën Ministria e Kulturës, për t'iu përgjigjur një fushe kaq të gjerë siç është arkeologjia?
-Jo. Por ajo ka drejtimin dhe mund të bëjë një politikë që mbron monumentet. Ndërkohë ajo bën një qark të shkurtër me institucionet, kompromise dhe kur vjen puna nëse humbasin këto objekte, asnjë masë nuk merret ndaj përgjegjësve vartës. Ata zakonisht janë njerëz që rrinë pranë Ministrisë dhe Ministria që ka detyrë të bëjë politikat dhe të kërkojë llogari shmang kërkimin e llogarisë. Në MTKRS një pjesë e madhe e njerëzve të punësuar punojnë pa pasion, ose janë pa arsimin përkatës, ose të paarsimuar mirë dhe atyre nuk u dhemb shpirti për këto vlera që humbasin.

Problemi i gërmimeve klandestine nuk mbetet vetëm tek grabitjet, por tek edhe te shkatërrimi i atyre objekteve që mbeten pas...
-Klandestini gërmon me skrap. I fut skrapin tumës të gjithë dhe "sa të mbledh, të mbledh", mendon. Nuk e ka ai problemin e kujdesit ndaj atyre që mbeten. Atij i duhen ato objekte që ka gjetur tregun. Por tani gërmimet po bëhet si sëmundje.

Pse si sëmundje?
-Edhe nga kriza, sepse mendojnë se këto shiten miliona euro dhe njerëzit kur janë keq humbasin dhe mendjen dhe mendojnë se e gjetëm thesarin. Kanë parë edhe filmat dhe thesar-kërkuesit një gjë të tillë bëjnë. Por për mua porositësit janë më të rrezikshmit. Nuk janë ata që bredhin kodër më kodër dhe harxhojnë para. Se harxhojnë edhe para ata që gërmojnë. Më në fund edhe dalin të humbur. Atyre u është bërë sëmundje si me letrat e fatit.

Porositësit cilët janë, sepse duhet të kenë dije arkeologjike ata që i drejtojnë tek vendet e duhura?
-Porositësit janë njerëz të shkolluar. Ata nuk janë vetëm shqiptarë, janë italianë, janë grekë, janë maqedonas, janë bullgarë, janë anglezë, janë francezë, etj. Në të gjithë botën ky është një treg siç është tregu i drogës është dhe tregu i antikuarëve. Ata i kalojnë dorë më dorë. Në kufi nuk mund të kontrollohen dot dhe gjetja e tyre bëhet vetëm duke forcuar strukturat brenda, që janë pushteti lokal, të cilit nuk mund t'i shpëtoj asgjë në territorin e tij, siç i shpëton policisë tonë që është e pranishme kudo. Shërbime të tjera të sigurisë kombëtare që janë të pranishme në Shqipëri dhe institucioni që është i ngarkuar me këtë punë duhet t'i dinë këto.

Profesor, çfarë jeni duke zbuluar ju vet si arkeolog?
-Nga fillimi i vitit unë bëra një zbulim në Bylis që ka si qëllim plotësimin e pjesëve të qytetit, ku është gërmuar në ndërtesat publike, e tani kemi hyrë në banesat familjare. Zbulojmë një pas një ndryshimet e banesave e ato që ka pësuar qyteti. Pse ndryshon nga një periudhë në një periudhë tjetër, periudha ilire nga ajo romake, p.sh., dhe ky studim bëhet duke gërmuar. Gjatë kësaj pune dalin lloj-lloj objektesh. Disa kanë vlerë për shou, disa kanë vlerë shkencore. Të dyja ato së bashku përbëjnë atë pasuri arkeologjike që sjell fakte për ta kuptuar jetën e asaj kohe. Për shembull, duke studiuar një shtëpi në Bylis ne shohim se janë 20 dhoma. Ç'duhen 20 dhoma. Por e tillë ka qenë mënyra e jetesës. Një pallat, një shtëpi ka dhoma për gjithë familjen edhe për skllevërit që sot quhen punëtorët e shtëpisë. Ne për skllevërit kemi një koncept skematik, por shohim se në këto periudha kanë qenë pjesë e familjes, pavarësisht se nuk i kishte të gjithë të drejtat e familjes biologjike. Kështu ishte në antikitetin të hershëm demokratik. Pastaj vjen periudha romake dhe në antikitetin e vonë, kur Bylisi u bë rrëmujë nga ardhësit dhe u prish sistemi i rrugëve, ujësjellësve, dhe qyteti e humbet bukurinë, por edhe në antikitetin e vonë Bylisi nuk i humbet vlerat. Ka shumë për të gërmuar. Pjesën më të madhe po e bëjnë klandestinët sesa neve. Ata shkojnë para nesh.

Dhjetëra gropa arkeologjike
klandestine në Tiranë


Profesor Skënder Muçaj rrëfen me hollësi se çfarë ka ndodhur në Levan, Frakull, etj. Shtëpia mbi kishën antike në Cakran. Gropat klandestine në kishat e tjera

Profesor, sa qendra të tjera të gërmuara nga klandestinët keni parë ju vetë?
-Gjithë territoret e Shqipërisë, edhe ku janë shpallur monumente edhe ku nuk janë shpallur janë kthyer në gropa të mëdha arkeologjike të bëra nga klandestinët. Këto i kemi parë që nga Tirana e deri në Jug. Në çdo qendër arkeologjike të Tiranës po të vemi, kudo kemi gropa arkeologjike të bëra nga klandestinët. Kisha e Shën Mërisë së Brarit, që është monument në ruajtje, është sulmuar disa herë nga klandestinët. Dhe më në fund e prishi edhe një pjesë të saj kalimi i rrugës. Po kështu, në Kalanë e Dajtit, në Kalanë e Ndroqit, etj. Në të gjitha këto monumente të shpallura në Tiranë gjejmë shumë gropa të bëra nga klandestinët. Një pjesë dihen, por ka edhe që nuk dihen. Klandestinët kanë vajtur para arkeologëve dhe i kanë gërmuar shumë kisha në territorin e Shqipërisë që janë shpallur monumente kulture, që kanë vlera të jashtëzakonshme. Edhe ato janë gërmuar që nga kisha e Shën Mizës që është mbi Kinostudio dhe grabitjet vijojnë edhe në kishat më të mëdha që ka territori i Shqipërisë së Mesme, si ajo në Kumar pranë Bovillës. Aty është gërmuar në një pjesë të madhe. Po kështu, kisha e Prishtës së vogël, edhe ajo është e gërmuar në një pjesë të saj. Kudo shikohet dora e gërmuesve klandestinë, por dhe është për të ardhur keq, sepse edhe aty ku ndërtohen rrugët mungon kujdesi.

Shkatërrohet tempulli
i Nefeut të Apolonisë

Në rrugën nga Levani në Tepelenë ku dihej që ishin monumente kryesore të rëndësishme, por nuk ishin shpallur, shohim se janë ndërruar shtëpi mbi to. Është një nga monumentet më të rëndësishme, që është i studiuar, por nuk është i gërmuar, ai i Nefeut të Apolonisë. Nefeu ka qenë një orakull dhe ka pasur edhe stadium për lojërat olimpike të kësaj kohe. Ky tempull është në Frakull. Sot e merr fshati Vjosë, por quhet Frakulla e Vogël, një fshat që ka zbritur drejt fushës për në Frakullën e Madhe. Atje ka rrënoja të një kishe, janë rrënojat e tempullit. Ka rrënoja të një vendbanimi më të vonë të periudhës osmane, ka një xhami, por duke qenë jashtë vëmendjes të institucioneve përkatëse është deformuar plotësisht topografia e saj dhe nuk e merr dot më vesh se ç’ka ndodhur. Janë gërmuar rrënojat. Atje ka kolona graniti nga katër metra të lartë. Çdokush e kupton se është monument tepër i rëndësishëm. Pjesët arkitektonike të tempullit s’i gjetën përsëri në vend. Ose një rast tjetër: kur u ndërtua rruga, çau njërën nga ato kodra dhe kur ne vajtëm për kërkuar një kishë që e kishim zbuluar që në vitin 1997, pamë që një nga ata banorët e zonës në fermën e Romsit, në zonën e Cakranit e kishte ndërtuar shtëpinë mbi kishën antike. Kështu mora dy shembuj të freskët që janë verifikuar në muajin maj. Edhe Klosi është i këtij viti, kurse ato që janë folur në shtyp e në mediat, gërmimet në zonën e Sarandës, Delvinës, Bajkajt, dihen vetëm një pjesë.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut