Arkitekti i bashkisë së Durrësit
me anijen e tij trafikoi 13 kg heroinë

Arkitekti i bashkisë së Durrësit<br />me anijen e tij trafikoi 13 kg heroinë
DURRËS - Punonjësit e zyrës urbanistike në bashkinë e qytetit të Durrësit kanë mbetur të shtangur dje në mëngjes teksa 3 punonjës të policisë ja kanë behur në zyrat e tyre dhe kanë marrë me vete të arrestuar kolegun e tyre Adlei Likmeta me profesion arkitekt. Më pas është bërë e ditur që Likmeta 34 vjeç ka qenë i dënuar në Itali në mungesë me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike me plot 9 vjet e 3 muaj burg. Dhe kanë qenë pikërisht autoritetet gjyqësore italiane ata që kanë kërkuar arrestimin e tij nga homologët shqiptarë.

Dy ditë më parë kishte përfunduar në pranga edhe Besnik Ajdini nga Durrësi me profesion oficer marine,gjithashtu i dënuar në Itali po për trafik ndërkombëtar droge. Duket se që të dy emrat kanë lidhje me njëri tjetrin dhe janë pjesë e së njëjtës histori që ka ndodhur 10 vjet të shkuara.

ARRESTIMI
Dje në mëngjes një trupë e policisë së Durrësit është paraqitur në bashkinë e qytetit të Durrësit. Në duar kanë pasur një urdhër ndalimi të organit të prokurorisë në adresë të Adlei Likmetës banues në qytetin e Durrësit me punë në zyrën urbanistike të kësaj bashkie.

Pasi kanë komunikuar me Likmetën 34 vjeç i martuar me 1 fëmijë, ata e kanë marrë atë me vete me statusin e të ndaluarit. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bën të ditur se ndalimi i Adlei Likmetës 34 vjeç punonjës i administratës publike në Durrës  është kryer pasi ai ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar me datë 18 shtator 2013.Kjo pasi autoritetet italiane të drejtësisë kanë lëshuar ndaj tij një urdhër arresti.

Likmeta me vendim të Gjykatës së Apelit në Ankona me nr 1273/02 datë 31.10.2010 e ka dënuar me 9 vjet,3 muaj e 14 ditë burg për trafik lëndësh narkotike. Vetëm 2 ditë më parë po policia e Durrësit me urdhër të prokurorisë pati ndaluar edhe 49 vjeçarin Besnik Ajdini, oficer marine banues në qytetin e Durrësit. Ka qenë po Gjykata e Apelit të Ankonës ajo që kishte kërkuar arrestimin e tij pasi e kishte dënuar me 10 vjet burg për trafik narkotikësh. Duket se të dyja copat e pazllit bashkohen dhe lidhen me të njëjtën ngjarje.

HISTORIA
Rreth 10 vjet më parë,anija tregtare “Apolonia”ishte nisur nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë për transport mallrash tregtare. Kjo anije ka qenë në pronësi të Adlei Likmetës. Autoritetet italiane pas një kontrolli në anije patën gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 13 kg lendë narkotike të llojit heroinë. Kapiten i anijes në atë kohë ka qenë Besnik Ajdini. Anija pati qenë sekuestruar dhe ekuipazhi ishte lënë në arrest në anije me vendim të gjykatës së shkallë së parë. Pas disa muajve,autoritetet italiane e mbyllën njërin sy dhe ekuipazhi i anijes u kthye në Durrës me mjete të tjera lundruese. Por kur kjo ngjarje dukej se i përkiste historisë dhe ishte harruar,drejtësia italiane e risolli me 2 urdhër arrestesh për pronarin e anijes dhe kapitenin e saj.

REKRUTIMI
Pas asaj ngjarje,Adlei ndoqi studimet në universitet ne degën e arkitekturës dhe pasi i përfundoi ato aplikoi për tu punësuar në bashkinë e Durrësit. Në vitin 2009 ai u punësua në zyrën urbanistike të kësaj bashkie.

Drita Zeneli, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në bashki, sqaron se ‘Adlein e kemi njohur si një djalë korrekt dhe të zotin.Ai është djalë që na ka respektuar dhe kemi ngelur të shtangura kur morëm vesh arrestimin e tij”. Ndërkohë Zeneli sqaron edhe praktikën që ndiqet për rekrutimin e punonjësve të bashkisë. Sipas saj Likmeta është marrë në punë në bazë të kritereve të vendosura nga bashkia. Një nga dokumentet bazë është dëshmia e penalitetit. Në vitin  2009 Ministria e Drejtësisë në Tiranë e pajisi Likmetën me një dëshmi penaliteti sipas së cilës ai rezulton i pastër.

likmetaj dhe deshmia
(Në foto: Adlei Likmetaj dhe dëshmia e penalitetit ku rezultoi si i padënuar që dorëzoi në bashki)

Lajmi u perditesua

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania