Arkitektura, 3 faza testi për fituesit
Risia, konkursi do hiqet vitin që vjen

Arkitektura, 3 faza testi për fituesit<br />Risia, konkursi do hiqet vitin që vjen
TIRANE- Të 245 kandidatët që do të klasifikohen fitues në Arkitekturë dhe Urbanist edhe për këtë vit akademik do të përzgjidhen me konkurs.

Dekani i këtij fakulteti Andrea Maliqari, shpjegon se konkurset do të hiqen vitin e ardhshëm akademik, ndërsa këtë vit do të ketë dy risi: do të shtohet numri i vlerësuesve që i japin një notë secilit kandidat si dhe konkursi nuk do të zhvillohet në tre ditë, por në dy ditë, me datë 2 dhe 4 shtator.

“Ndonëse ne kemi kërkuar heqjen e konkursit të pranimit, kjo skemë e re nuk do të fillojë të aplikohet për këtë vit akademik. Edhe këtë vit ne do t’i qëndrojmë përsëri traditës së vjetër ku  përzgjedhja e fituesve bëhet përmes zhvillimit të konkursit të pranimit. Janë tre seanca testimi. Ajo që do të ndryshojë gjatë këtij viti është fakti se dy seancat e para do zhvillohen njëherësh, të mbledhura në një ditë të vetme, në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa seanca e tretë do të zhvillohet në një ditë tjetër, e cila ka të bëjë me vizatimin në natyrë që duhet të bëjë secili kandidat rreth paraqitjes grafike të një objekti të caktuar arkitektonik në perspektivë. Por kjo nuk do të ndryshojë kohëzgjatjen e testimit, ku për secilën nga seancat, përkatësisht e para dhe e dyta kandidatët do kenë në dispozicion nga dy orë për secilën, ndërsa për seaanca e fundit do të zgjasë 4 orë dhe zhvillohet në ambient të hapur”, - shpjegon dekani Maliqari.

VLERESIMI
Në rregulloren e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e konkursve të pranimit në degë të veçanta është përcaktuar se nga matura shtetërore të rinjtë hyjnë në garë me 40 për qind të pikëve, ndërsa 60 për qind të pikëve ata duhet t’i marrin nga testi special, pikë që ndahen në mënyr të barabartë për të tre seancat e testitmit, pra secila nga 20%. “Ajo që është e veçantë është fakti se, duke ditur që vlerësimi ka karakter subjektiv, ne kemi rritur numrin e vlerësuesve. Në këtë proces janë të angazhuar pedagogët e universitetit, si dhe specialistë të Bashkisë, Agjencitë Kombëtare të Urbanistikës dhe Arkitekturës, si dhe Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë”, - thotë dekani Maliqari.

TESTI
Seanca e parë, është eksterier ose interier (zgjat 2 orë). Në këtë seancë studenti do të vizatojë me dorë të lirë një objekt arkitektonik, interierin ose eksterierin e tij. Kërkohet dhënia e raporteve vëllimore të ndërtesës dhe pjesëve të veçanta të saj. Vizatimi realizohet bardh e zi, me dorë të lirë, në letër të bardhë 35 x 50 cm. Seanca e dytë, vizatimi teknik (zgjat 2 orë). Studenti duhet të ketë njohuri mbi vizatimin teknik, elementë të gjeometrisë deskriptive, gjeometrisë në plan dhe në hapsirë.

Seanca e tretë, kompozimi arkitektonik (zgjat 4 orë). Në këtë seancë studentët i nënshtrohen këtyre detyrave: kompozim hapsinor, analizë grafike ose konceptimi i një modeli të tre dimensional mbi bazën e disa të dhënave. Kompozim dy diemnsional, paraqitje grafike dy dimesionale me motive gjeometrike abstrakte ose një ide simbolike në raport me një tematikë të caktuar. Studenti duhet të ketë disa njohuri fillestare mbi simetrinë, asimetrinë, përsëritjen, raportet e vendosjes ndërmjet elementëve si dhe njohuri mbi ngjyrat dhe kombinimet e tyre. Paraqitja e detyrave mund të kërkohet bardh e zi ose me ngjyra.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, ja si parashikohet moti për fundjavën

Kthjellime dhe vranësira, ja si parashikohet moti për fundjavën