Gazeta “Liria Kombëtare” e datës 22 dhjetor 1926, në rubrikën “Lajme nga Shqipëria”, njoftoi publikun: “Varje, djegie dhe plaçkitje… Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj, Mërtur e në shumë krahina të Pukës nuk shifen veçse mijëra shtëpi të djegura, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tonë kombëtare”. Gjyqi Politik u transferua nga Tirana në Shkodër dhe vetëm ditën e parë, më 20 dhjetor 1926, shqyrtoi dosjet e 153 pjesëmarrësve në kryengritje, ndërkohë që Gjyqi Hetues përgatiti dosjet e 140 të arrestuarve të tjerë. Ndër të dënuarit me vdekje ishin edhe dy priftërinj, të cilët e kishin pranuar krenarë pjesëmarrjen e tyre në kryengritje, por Zogu u detyrua t’ua ulte dënimin për shkak të ndërhyrjes së Vatikanit dhe të përfaqësive europiane në Shqipëri. Megjithatë, gjyqi special politik i Shkodrës dënoi me varje në litar dhe ekzekutoi fshehtësisht deputetin demokrat dom Gjon Gazulli.
Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. “Dom Gjon Gàzulli, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lekë Dredha u arrestuan në Kalivare me 28 dhjetor 1926, në muzg të mbrëmjes, ndërsa po niseshin për Reps. I çuen në Orosh ku i mbajtën të burgosun deri me 5 janar, kur i kthyen në Pukë. Kapiteni katil Ismajl Osmani deshi t’i vriste qysh aty tre meshtarët, po ia ndali dorën gjakatare, që kishte ba sa masakra anë e kand Pukës, një oficer tjetër trim, aspirant Ndue Pali. Tre meshtarët u burgosën në një kthinë nën shkallë: 75 cm e gjerë , një metër e gjatë. Aty u dergjen ata për dy netë e tri ditë. Dom Gjoni u akuzua nëpërmjet një letre të sajuar nga kundërshtaret e tij pro qeveritare se para kryengritjes pati shkuar disa herë në Pukë, mbante mbledhje fliste kundër qeverisë dhe bënte komplote kundër shtetit. Letër shkruesi i pafytyrë në shërbim të regjimit formalisht u thirr përpara gjyqit por nuk pranoi të paraqitej dhe u arratis në Jugosllavi. Dom Gjoni u akuza se ju gjetën armë në shtëpi, gjatë kontrollit të banesës së tij ku ai nuk u gjet në banesë. As një fakt tjetër veç kësaj letre të sajuar nuk u sigurua që të provonte Farsat ma të neveritshme të Zogollit, akuzoi Dom Gjonin dhe shokët e tij se: kishte organizue kryengritjen; kishte shpërnda armë ndër male; kishte pre telin e telefonit nuk u vërtetuan kurrë Dom Gjon Gazulli këmbënguli në gjyq se askush nuk kishte të drejtë të dënonte një prift dhe se një drejtësi e tillë i takonte vetëm Papës” Në ditët e fundit të ecjes drejt vdekjes mendja e tij ishte plotësisht e zhytur në Zotin dhe në gjerat e tij në bisedat që bënte me shokët e fatkeqësisë, flisnin për kotësinë e të mirave të kësaj bote, mbi përgjegjësitë e gjerave hyjnore. Ndërsa ai letërshkruesi pasi dëgjoi se e kishin dënuar me vdekje, i penduar apo i shtyrë nga superiorët e tij shkroi një letër tjetër ku pohonte se nuk ishte e vërtetë ajo që kishte shkruar më pare, por kjo pendesë për shpifjen e turpshme as nuk vlejti, madje as takimi ipeshkvit me vetë Ahmet Zogun shkruan Kamiljo Lobardi në librin “Si u bë mbret Ahmet Zogu” (fq. 115). Dom Gjon Gazulli u flijua më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular qenë:
“Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rroftë Kisha Katolike, Nëna jonë! Rroftë Papa, Ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”. E varën tek “Fusha e Druve”. Ndërsa Vëllai i Dom Gjonit, dom Nikollë Gazulli, edhe ai i i burgosur, iu shpëton torturave dhe vdekjes nga Ahmet Zogu, por nuk i shpëtoi dot pushkatimit në vitin 1946 nga Enver Hoxha, i cili ndoqi të njëjtën strategji të përndjekjes së klerikëve katolikë që kishte ndjekur Ahmet Zogu. Ashtu si Zogu, qeveria hoxhiste e nisi gjyqin special me akuzat për armë në kishë, për letra të rreme dhe me dëshmitarë të rremë. Kjo strategji e dy tiranëve shkroi në kohë të ndryshme fatin tragjik të dy vëllezërve meshtarë. Dom Nikolla u pushkatua pas një gjyqi special politik në 1946-n. Ai rreshtohej ndër gjuhëtarët më të mirë. Hartoi dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës” , përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik”. Nikoll Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, fusha në të cilat boton shkrime, këngë të moçme etj.
(Foto: Portreti i Dom Gjon Gazulit dhe varja e tij në litar më 2 janar 1927 te “Fusha e Druve”)
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)