ATHINË - Athina duket tejet e shqetësuar lidhur me asgjësimin e mundshëm të armëve kimike në Shqipëri.

Nëpërmjet një artikulli e përditshmja “Kathimerini” shkruan se, nëse armët siriane do të asgjësohen në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte katastrofë ambientale, e cila rrezikon edhe grekët, veçanërisht nëse operacioni do të kryhet në jug të Shqipërisë, ku ndodhet edhe zona e Shqipërisë së Jugut, në kufi me Greqinë.

Sipas të përditshmes “Kathimerini”, rreziku i ndotjes ambientale është shumë i mundur, pavarësisht nga masat që do të marrë Tirana zyrtare dhe Perëndimi. Më pas, kjo gazetë sugjeron që qeveria greke duhet të marrë një pozicion të menjëhershëm dhe të ndërhyjë diplomatikisht, për të evituar një proces të tillë.

Sipas Kathimerinit, duhet bërë një mobilizim dhe bisedime me qeverinë shqiptare, për t`i bindur që të mos pranojnë armët kimike, pavarësisht ndihmave financiare që ofron Perëndimi për Shqipërinë.

Artikulli thotë se në Siri gjenden zona të mëdha të pabanuara, veçanërisht në zonën juglindore të vendit. Kështu, duke qenë se bëhet fjalë për armët siriane, territori sirian duhet të jetë zgjedhja e parë për shkatërrimin e tyre.

“Kathimerini” e mbyll artikullin e saj, duke thënë se SHBA-ja edhe Rusia duhet të gjejnë zona në territorin e tyre për asgjësimin e armëve, duke i ndarë ato në masa të barabarta.

Dhe eurodeputeti italian Antono Cancian tha se procesi për shkatërrimin e armëve kimike siriane është një operacion me përgjegjësi të madhe. “Rama duhet të tregohet shumë i kujdesshëm kur merr vendim për Shqipërinë. Ai duhet ta diskutojë këtë dhe të marrë mendimin dhe të vendeve fqinje e sigurisht Italisë. Italia nuk është e përjashtuar nga ky rrezik. Ne na ndan vetëm një shesh ujor. Jemi shumë afër”, tha Cancian.

Redaksia Online
(e.b./mag/shqiptarja.com)