TIRANE- Lajmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë tashmë gati të bëjnë demontimin e armëve kimike të Assadit në det të hapur tregoi se, në fakt, nuk kishte një vend të dytë si alternativë në rast se Shqipëria do të refuzonte – siç bëri – pranimin e këtyre armëve në territorin e saj. Më parë, është thënë se administrata amerikane kishte dy opsione, ose më shumë, për të siguruar vendosjen e pajisjes së demontimit, por tani del se asnjë vend tjetër nuk është prononcuar se do të ishte i gatshëm të pranonte të kryente një shërbim të tillë.

Në këtë kuadër, del se qeveria shqiptare ka vepruar në mënyrë të matur, duke pritur që të përmendej emri i një kandidati tjetër të mundshëm nga SHBA, para se të shprehej lidhur me propozimin e bërë nga Uashingtoni. Ndoshta një kandidat i tillë është kontaktuar, por nuk ka pranuar. Publiku mësoi vetëm një emër tjetër: Norvegjinë, por fjala është për një vend që nuk do të ishte i gatshëm të thoshtë lehtësisht ”po”, ndryshe nga Shqipëria, për të cilën aleatët e mëdhenj janë mësuar se pranon të gjitha propozimet që i bëhen. Edhe kur këto venë në siklet qeverinë e saj.

Këtë herë, qeveria shqiptare ka vendosur të presë deri në maksimumin e kohës, gjatë së cilës ndodhi një përhapje e protestës në gjithë vendin, që nuk mund të injorohej më. As nga qeveria, as nga ndërkombëtarët.

Siguria që ofron një bazë ushtarake në tokë është shumë më e lartë se ajo e pajisjes së demontimit që lundron në det. Por, për banorët e vendit ku dislokohet kjo pajisje siguria bie në minimum.

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)