Arma e pandershme ndaj shtypit të lirë

Arma e pandershme ndaj shtypit të lirë
Gjithçka si më parë. Qeveria e 2012 vazhdon të sillet ndaj shtypit të lirë si ajo e 20 viteve më parë. Ose më mirë, për të qenë më të saktë, mund të themi se tani është më keq. Pas vetëm shtatë muajsh nga lindja gazeta jonë, Shqiptarja. com po përballet me sulmin e drejtpërdrejtë të Shtetit. Nuk mjafton bojkotimi i reklamave shtetërore, që institucionet e kontrolluara nga Qeveria Berisha vendosin të publikojnë vetëm në gazetat proqeveritare, pra jo në tonën. Nuk mjaftojnë as favoret me konçensione liçencash, tendera publikë, që shteti... u jep pa asnjë skuqje faqeje botuesve që i shërbejnë Qeverisë. Pas tentativave për të mbytur ekonomikisht shtypin e lirë duke hequr çdo lloj financimi, Qeveria nis dhe një kontroll fiskal. Vetëm 7 muaj nga lindja, sot inspektorët tatimorë po kontrollojnë bilancet e Shqiptarja.com.

Mbërritën dje paradite, të dërguar nga Lulzim Basha (në muajt e parë të saj gazeta ishte biznes i vogël dhe bën pjesë në kompetencat fiskale të Bashkisë). Basha është një kryebashkiak mik me disa botues, mik i veçantë deri në atë pikë sa këta botues pas zgjedhjes së Lulit, janë vetëshpallur "padronët e vërtetë të Bashkisë". Aq miq, saqë, kur Shqiptarja.com i kërkoi një intervistë, u përgjigj me buzëqeshjen e zakonshme të ngrirë se "nuk mund të pranonte, pasi botuesi tjetër mund të inatosej". Pra, ky urdhër i Bashës nuk është vetëm një kontroll politik: Eshtë një veprim konkurrence të pandershme. Shteti ndërhyn në tregun e lirë duke tentuar të penalizojë një biznes, për të favorizuar një tjetër.

Inspektorët e Bashës mbërritën në zyrat tona me kërkesën për të paraqitur një listë të gjatë dokumentash: dokumenti i blerjes, dokumenti i shitjes, libri i blerjeve, libri i shitjeve, libri i inventarit, libri i shpenzimeve dhe të ardhurave, libri i aktiviteteve, faturat, kuponat, dëftesat tatimore etj. etj. Deri dhe kërkesa qesharake për të verifikuar nëse kemi vendosur tavolina në tokë publike dhe sa tavolina kemi vendosur. Sikur gazeta të ishte një kafene.

Nuk është gjë e çuditshme që një biznes t'i nënshtrohet kontrollit fiskal; zakonisht kontrollet bëhen për 5 vitet e fundit të aktivitetit. Çudia qëndron në faktin se kontrolli tatimor bëhet në një biznes të sapolindur, pa i dhënë as kohën të mbushë vitin e parë të jetës. Basha vë në lëvizje dy inspektorë për të kontrolluar 7 muajt e parë të aktivitetit tonë. Dhe kjo ndodh në momentin kur Sali Berisha shëtit në gjithë botën duke ftuar investuesit e huaj të vijnë në Shqipëri. Problemi qëndron në faktin se Berisha, tamam si Lulzim Basha, fton vetëm investitorët miq. Nëse një biznesmen është mik (pra politikisht aleat i tyre) mund të vijë këtu dhe të bëjë çfarë të dojë, falë një imuniteti absurd. Nëse një investitor është i pavarur, i japin mirëseardhjen me një kontroll fiskal: Një armë e pandershme për të goditur mediat e lira dhe bizneset konkurruese.

Këto javë ekspertët e Bashkimit Europian po shkruajnë raportin mbi Shqipërinë dhe mbi hapat që ka bërë drejt integrimit. Një nga kapitujt më të nxehtë, i nënvizuar nga Brukseli, është pikërisht respektimi i lirisë së shtypit. Edhe OSBE po ndjek me interes të madh gjendjen e mediave shqiptare dhe veçanërisht sjelljen e Qeverisë dhe të institucioneve publike ndaj mediave të pavarura. Shtetet e Bashkuara dhe ambasada e saj në Tiranë, janë gjithashtu gjithmonë të vëmendshëm ndaj këtij problemi. Nuk janë të shumta mediat e pavarura në Shqipëri dhe me krenari e themi se ne jemi mes pak mediave të pavarura që kanë mbetur. Do t'i mbajmë të informuar mbi mbarëvajtjen e peripecive tona, jo sepse kemi frikë (i paguajmë taksat deri në qindarkën e fundit dhe respektojmë ligjin), por sepse kërkojmë që principi universal i lirisë së shtypit të vlejë konkretisht edhe në Shqipëri si një e drejtë elementare për të qëndruar një shtyp i lirë. I lirë nga presionet, nga kërcënimet e shantazhet.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital