Gjithçka tjetër që nuk asht vota e lirë bjen erë mish dhijet në nji sistem demokratik, prandaj prej votës nuk mund të hiqet dorë kurrë, çkado që të thonë “mjeshtrat e këqij”, ata që duen me e ndrrue ketë armë të shenjtë me padukshmëninë e qytetarit dhe me zbythjen përpara së keqes.

Vota asht shenj i rolit pjesmarrës aktiv në shoqninë demokratike, ajo dallon nënshtetasin (subditus) prej qytetarit (cive), e ky hap i ka kushtue shumë mundime dhe përpjekje njerzimit, por edhe e ka ndihmue me u ba i vetëdijshëm për atë çka duhet të jetë.

Epoka e komunizmit e pat tjetërsue dhe asgjasue sistemin e votës në nji mekanizëm formal, sot, indiferenca ndaj politikës, e si rrjedhim ndaj së ardhmes, rrezikon me lanë në lojë vetëm falangat e militantave, të cilët, edhe po të përmbyset bota, pak prej marrisë dhe ma shumë prej interesit nuk heqin dorë jo vetëm nga vota por as nga vjedhja e kësaj.

Në qoftë se nji qytetar e anulon skedën e vet elektorale në sistemin e sotëm zgjedhor, ai nuk ban tjetër veçse amshon të keqen, i hap dyert dhe dritaret hajnave dhe maskarenjve.

Ka raste kur anulimi i nji skede elektorale ka njifarë kuptimi, por kjo gja ndodhë zakonisht vetëm në zgjedhje lokale kur ligji parashikon administrimin e njësisë bashkiake prej nji prefekti pro tempore në rastin e mungesës së nji quorum-i të caktuem.

Disa sisteme parashikojnë verbalizimin e mospranimit të votimit nga ana e qytetarit dhe marrjen parasysh të arsyeve që e kanë shty me refuzue votimin. Gjithsesi, asnji prej këtyne rrugëve nuk mund t’i afrohet dinjitetit dhe forcës shprehëse të votës.

Sot gjendja në Shqipni asht shumë ma pak kaotike sesa dukej në votimet e fundit politike. Për shembull nuk do të ishte logjike dhe koherente që nji votues i djathtë që asht i pakënaqun prej mosmbajtjes së premtimeve të qeverisë Berisha, të vijonte me i dhanë votën PD-së vetëm pse vetëquhet forcë e djathtë.

Nuk ka forcë magjike apo alkimi politike që t’i mbushin mendjen kujt se Islami apo Xhuveli të jenë të djathtë! Sot ekziston nji parti e djathtë si FRD-ja e cila meriton besimin e atyne që nuk duen kurrsesi me votue majtas.

Nga ana tjetër votuesit e majtë kanë arsye të mjaftueshme me dallue në numrin e konsiderueshëm të partive të majta vetëm PS-në si parti që ka ba premtime të arsyeshme dhe mban me të vërtetë nji peshë politike, parti relativisht e rinovueme që ka shanse me ba reformat e shumëprituna tash nji dekadë.

Por në fund të fundit mbetë gjithnji dytësore nëse nji i djathtë voton FRD-në apo PD-në, apo nji i majtë voton PS-në apo LSI-në, përpara detyrës qytetare dhe të drejtës kushtetuese të shprehjes së votës së lirë.

Me nji fjalë, ka ma pak randësi se kush fiton sesa fakti që ai që do të fitojë do të njihet si i tillë falë shprehjes së vullnetit të shumicës së votuesve, dhe jo thjesht si nji rezultat matematik i dalun prej mospjesmarrjes së qytetarëve apo prej votave të anulueme gjoja në shenjë proteste.

Në kushtet e sotme anulimi i votës favorizon vetëm ata që janë në pushtet, pse edhe nji vjedhje e mundshme do të ishte ma e lehtë me u krye në kushtet e nji numri të reduktuem votash të vlerta.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)