Armando Broja do duhet të gjejë një tjetër ekip në verë dhe kjo me destinacion final, pasi në Angli bëjnë me dije se Chelsea do bëjë një revolucion total me qëllimin për të afruar në ekip emra si Osimhen dhe Gyokeres, të aftë që të sigurojnë gola.
Daily Mail në Angli thotë se janë 11 futbollistë që trajneri Enzo Maresca nuk i sheh si pjesë e projektit, mes tyre edhe Armando Broja. Sulmuesi i Kombëtares ndodhet në huazim te Everton dhe 23-vjeçari duhet të bind në ‘Goddison’, me qëllim që klubi nga Liverpool të blejë kartonin.
Bashkë me Brojën janë nxjerrë në shtije edhe Sterling, Chilwell, Kepa Arrizabalaga, David Datro Fofana, Aksel Disasi, Joao Felix, Renato Veiga, Trevoh Chalobah, Alfi Gilkrist dhe Chukwemeka. Përveç këtyre, edhe Nkunku apo Kirnan Hall janë emrat që mund të shiten nëse ka oferta të rëndësishme në drejtim të tyre.

Komente

