Mario Mitaj, Armando Broja dhe Jurgen Uldedaj janë shpallur sot “Qytetar Nderi” nga Bashkia Malësi e Madhe, në vlerësim të rezultateve dhe kontributit të tyre në sport.
Ceremonia u organizua nga bashkia, ku kryetari Tonin Marinaj i cilësoi sportistët si ambasadorë të denjë të zonës dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Mario Mitaj, i pranishëm në ceremoni, shprehu falenderime për vlerësimin duke thënë se ky nderim i jep edhe më shumë motivim për të vazhduar përpara dhe për të dhënë maksimumin në fushë.
Në mungesë të sportistëve të tjerë, në ceremoni morën pjesë familjarët e tyre. Xhevahir Broja, babai i Armando Brojës, dhe Tonin Uldedaj, babai i Jurgen Uldedaj, shprehën mirënjohjen për këtë vlerësim.
Ky vlerësim vjen në një moment të rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, që është në prag të ndeshjes së 26 marsit ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Botërorin.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues politikë, të afërm dhe të rinj nga zona, të cilët i shohin tre sportistët si modele frymëzimi për të ndjekur rrugën e sportit.
Komente








