TIRANE - Futbollistët e ekipit kombëtar të futbollit ndodhen në udhëkryq, pasi në fund të edicionit duhet të mendojnë për ekipet e radhës ku do të militojnë pasi disave u mbaron kontrata me ekipit përkatëse, ndërsa disa të tjerë nuk po kalojnë një formë shumë të mirë. Kështu duke nisur nga kapiteni Cana, i cili po mendon largimin nga Lacio, pasi ka qëndruar më shumë në stol duke mos gjetur hapësirë në formacionin e Petkovic.

Humburgu ka filluar bisedimet, ndërsa Gallatasarai është gati ta rikthejë edhe një herë në Turqi. Ndërsa në Marsejë drejtuesit e klubit nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit në Francë të kapitenit kuqezi. Erjon Bogdani, aktualisht 36 vjeç në fund të edicionit i mbaron kontrata me Sienën dhe duhet të mendojë për një tjetër ekip. Shanset për të luajtur në Seria A janë shumë të pakta, pasi mosha bën të vetën.

Nga Sera B ka disa oferta, mes të cilave është edhe Empoli. Armando Sadiku është në qendër të markatos pasi kërkohet nga disa ekipe, por gjasat janë që të luajë në Itali, pasi është edhe vetë dëshira e sulmuesit. Në të kundërt destinacioni tjetër është Gjermani. Largimi nga Lugano është i sigurt në fund të edicionit. Mbrojtësi i Empolit që luajti me kombëtaren, Hysaj gjithashtu do të largohet nga Empoli, vlera e kartonit është 900 mijë euro.

Dëshira e tij është të luajë me Interin, por për momentin duket se nuk do të plotësohet. Portierin Berisha nga Kalmari do ta shikojmë në Angli ose në Itali. Fiorentina, Lazio, Palermo, Kiveo, por edhe Totenhemi nga Anglia po tentojnë që të bindin 'gardianin' e portës kuqezi.

Mbrojtësi Mërgim Mavraj ka deklaruar largimin nga Furthi, pasi ra nga Bundesliga. Destinacionet janë Shalke, Hamburg ose Italia. Nuk përjashtohet edhe lëvizja e Bakajt dhe Vangjelit nga Odense. Ndërsa të sigurt që nuk lëvizin janë Salihi, Basha, Ujkani, Hyka, Cani dhe Curri me Dallkun, pasi janë në fund të karrierës të Vrolska.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)