Qeveria shqiptare duket se ka shtuar dozat e ambicies në lidhje me industrinë ushtarake dhe eksportet"Made in Albania”. Madje, duke vënë edhe një afat kohor: vitin 2030. Në fjalën e mbajtur gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama i kushtoi një vëmendje të veçantë rigjallërimit të të gjithë industrisë ushtarake në Shqipëri.
Për 6 vjet eksporte ushtarake "Made in Albania”
Pasi i tha "Po” presidentit të Ukrainës Zelensky për gatishmërinë e Shqipërisë për t'iu bashkuar një bashkëprodhimi municionesh luftarake me vendin e tij dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pas pak më shumë se një muaji kryeministri shqiptar është shprehur me terma më konkretë rreth çështjes.
"Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës "Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës "Made in Albania'' – bëri të ditur Rama.
Edhe këtë herë ai përmendi sërish aleatët, pa u ndalur tek ndonjë shtet specifikisht, por duke theksuar se Shqipëria synon të jetë aksionere në këtë sipërmarrje, për të marrë dhe ajo fitimet e saj.
"Po përgatisim platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake, për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë një vend që, jo vetëm konsumon atë që taksapaguesit japin në aspektin e mbrojtjes, që jo vetëm vë në dispozicion të Forcave të Armatosura instrumente, mjete, armë të importuara, por edhe që përmes industrisë së mbrojtjes nxjerr fitime, të cilat shkojnë në funksion të mbrojtjes përsëri dhe përmes industrisë së saj ushtarake, arrijnë që të furnizojë me prodhime të këtushme sigurisht në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze të vendeve aleate, nevojat e Forcave tona të Armatosura” – tha Rama.
Platforma të reja, baza të vjetra
Platforma e re e zhvillimit të industrisë ushtarake që synon të rigjallërojë qeveria, mbështetet në bazat dhe uzinat e vjetra ushtarake që vendi ka pasur para viteve '90. Tashmë sytë janë kthyer sërish nga Poliçani, Gramshi dhe Mjekësi, ish-uzinat e ngritura rreth viteve 1960, që shërbyen kryesisht për prodhimin e armëve Kallashnikov, pushkë, mortaja, mina, granata, mina dhe municione luftarake.
Gramshi dhe Poliçani u rikthyen në vëmendjen e publikut rreth dy vite më parë, kur brenda një harku të shkurtër kohor, shtetas çekë dhe rusë të prezantuar si blogerë apo turistë, u kapën duke filmuar brenda këtyre bazave. Pas ngjarjeve, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se në të dyja këto ish-uzina të vjetra ushtarake demontohet sporadikisht armatim i lehtë i sekuestruar nga policia shqiptare gjatë operacioneve policore dhe se Shqipëria nuk kishte industri aktive ushtarake./ DW