Leonard Bashalliu e nxori pistoletën lehtësisht nga brezi dhe vrau në vend Ylber Xhahysën në një lokal në Peqin. Të tjera vrasje bëhen po kaq lehtësisht. Nëntë nga dhjetë krime në vendin tonë realizohen me armë zjarri, e cila i përket vitit të mbrapshtë 1997.

Shifrat e ngjarjeve kriminale në pesë mujorin e parë të vitit janë të frikshme. Armë, municione dhe eksplozivë, të grabitura nga depot gjatë trazirave në vitin 1997 ndodhen në duart e popullsisë civile, sidomos të grupeve kriminale dhe personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Një amnisti për armëmbajtjen pa leje, për të nxitur shqiptarët të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa i ngarkuar me përgjegjësi penale, u propozua nga deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në nentor te vitit 2020. Por nga ajo kohë asgjë nuk ka ndodhur edhe pse Policia e Shtetit thotë për një strategji të përpiluar në letër. Një vit më pas Qefalia këmbngul përseri.

“Do të jetë në interes, kur bëhet fjalë për një amnisti nuk bëhet fjalë se kërkohet një numër i thjesht votash, kërkohet numër më i madh se ç’është mazhoranca. Do të mbetet si një kërkesë që do të vij edhe legjislaturën tjetër”, shprehet deputeti Xhemal Qefalia.

Amnistia e fundit ishte 4-mujore në vitin 2017, ku u mblodhën 1604 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe me mijëra municione.

“Ka qenë një ide e diskutuar në komision nisur nga fakti që ende ka në duart e popullatës armë të ngjarjeve të hershme të ’97-ës. Ka pasur amnisti edhe më parë, por nuk është se është konkretizuar, nuk ka shkuar në zero numri i armëve”, thotë  Qefalia.

Aktualisht në duart e shqiptarëve janë 325 mijë armë zjarri në mënyrë të paligjshme. Në vitin 1997 janë grabitur afro 550 mijë armë, shumë më tepër municione dhe 16,000,000 eksplozivë. Në periudhën mars-qershor të ’97 u grumbulluan  223 mijë armë. Ajo cfarë policia ka konstatuar lidhet me vullnetin e qytetarëve për dorëzim të armëve por kanë frikë nga penalizimi. Aktualisht cdo person me armë pa leje dënohet nga gjobë deri në dy vite burg.