Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit Gianni De Biasi pas shpalljes së listës zyrtare të futbollistëve që ka ftuar për ndeshjen miqësore të 14 gushtit përballë ekipit të Armenisë ka dalë në një konferencë shtypi në ambjentet e FSHF për t’iu dhënë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me futbollistët që janë ftuar, ata që e kanë refuzuar kombëtaren, Armenisë, ndeshjet e botërorit, por edhe rinovimin e kontratës. Fillimisht De Biasi ka analizuar listën e futbollistëve që ka ftuar për ndeshjen me Armeninë duke justifikuar mungesën e titullarëve.

“Për ndeshjen miqësore janë ftuar shumë futbollistë të rinj për t;iu dhënë mundësi që të testohen dhe të shfaqin më të mirën e tyre. Gashi dhe Lejnani do të jenë dy debutuesit.  Gashin e kam ndjekur prej 13-14 muajsh, por në fillim nuk shfaqi dëshirën madhe për të luajtur me Shqipërinë, duke qenë se është aktivizuar me U-21 të Zvicrës. Rezultat e kombëtares si dhe serioziteti me të cilën po punohet e bindën për të veshur fanellën e kombëtares. Për Lenjanin vlen i njëjti diskutim.

E kemi vëzhguar që në fillim. Ndërsa Salihin nuk e kam ftuar, pasi nuk mendova se udhëtimi nga Kina për një ndeshje miqësore do të ishte dicka e mirë për të. Bogdani është në kërkim të një ekipi të ri dhe më të do të flas në javët në vazhdim. Përsa i përket Lorent Sadikut dua të them se ai nuk di akoma se për cilin ekip do të luajë. Për momentin do ta lëmë të mendojë i qetë, sepse nëse nuk ka motivimin e duhur për të luajtur me kombëtaren, më mirë të qëndrojë atje ku është” deklaroi ai. Më pas tekniku u ndal te kundërshtari në miqësore. “Ndeshja me Armeninë shërben për të parë gjendjen fizike të lojtarëve dhe për ndonjë eksperiment.

Kjo miqësore është një test i rëndësishëm, sepse Armenia është një skuadër e mirë. E kam ndjekur në ndeshjen kualifikuese me Danimarkën në transfertë ku ka fituar 4-0. Mund të siguroj që ka shumë cilësi. Armenia është një gur prove për ndeshjet me Slloveninë dhe Zvicrën”. Ndërsa në fund ka folur edhe për rinovimin me ekipin kombëtar shqiptar. “Pas ndeshjes miqësore përballë Armenisë mendoj se do të ulem dhe do të bisedoj me presidentin Duka përsa i përket të ardhmes sime në drejtimin e Shqipërisë” përfundoi italiani.

Ja lista e kombetares per miqesoren me Armenine:

1. Etrit Berisha

2. Samir Ujkani

3. Orges Shehi

4. Andi Lila

5. Renato Arapi

6. Armend Dallku

7. Lorik Cana

8. Admir Teli

9. Ansi Agolli

10. Mergim Mavraj

11. Ermir Lenjani

12. Sabien Lilaj

13. Jurgen Gjasula

14. Odise Roshi

15. Migjen Basha

16. Shkelzen Gashi

17. Amir Abrashi

18. Vullnet Basha

19. Armando Vajushi

20. Valdet Rama

21. Ergys Kace

22. Edmond Kapllani

23. Ahmed Januzi