Shqipëria ka fituar ndeshjen miqësore me Armeninë me rezultatin e pastër 2-0 në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ duke treguar se është gati për dy ndeshjet eleminatore për kampionatin botëror të Brazilit që do të zhvillohen në shtator përballë ekipit të Sllovenisë dhe Islandës. Kuqezinjtë edhe pse me shumë elementë të rinj realizuan një paraqitje shumë të mirë.
Golat për djemtë e trajnerit italian të kombëtares së Shqipërisë u shënuan nga Valdet Rama në pjesën e parë dhe Ergys Kace në pjesën e dytë. Mesfushori i talentuar, Rama që luan me ekipin e Valadolidit realizoi një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë duke shënuar një gol mjaft të bukur në minutën e 21’ të ndeshjes me një goditje fluturimthi që u devijua nga një mbrojtës mik dhe përfundoi në rrjetë. Ky ishte goli i dytë për Ramën pas atij të shënuar me ekipin e Norvegjisë më 7 qershor. Ndërsa në pjesën e dytë,
De Biasi vendos të nxjerrë nga loja Bashën për Kaçen, të cilit i mjafton vetëm një minutë në fushë për të shënuar emrin në listën e golashënuesve. Mesfushori i PAOK-ut pas një stopimi të topit jashtë zone nuk mendohet dy herë duke lëshuar një predhë jashtë zone e cila përfundon në rrjetë. Vlen të theskohet paraqitja mjaft e mirë e portierit Etrit Berisha që ka qenë vendimtar në shumë ndërhyrje, ndërsa për Abrashin dhe Gashin ka qenë një debutim pozitiv me ngjyrat kuqezi.
Në përfundim të ndeshjes trajneri i Shqipërisë, De Biasi është shfaqur i kënaqur me rezultatin,por edhe me paraqitjen e futbollistëve të rinj. Prova mund të quhet e kaluar për Gashin dhe Abrashin, por një vend titullari e ka të sigurt edhe Kace me euro golin e shënuar. Për ekipin kombëtar të futbollit në këtë ndeshje luajtën: Berisha, Cana, Teli (Mavraj 46′), Agolli, Dallku, M.Basha (Kace3 66′), Roshi (Gjasula 56′), Abrashi (V.Basha 76′), Rama (Lila 46′), Januzi, Kaplllani (Gashi 56′). Trajner: De Biazi.








