Irani i ka imponuar “humbjen dhe tërheqjen armiqve të tij”, deklaron me vetëbesim gjenerali Amir Hatami, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane. Por deklaratat pompoze nuk mjaftojnë për t’u përballur me Historinë. Fitorja nuk është kurrë përfundimtare, shkruante José Saramago, dhe ky është një mësim që Republika Islamike do ta mbajë mirë mend.
Teokracia, e udhëhequr tani nga i riu Mojtaba Khamenei, mund të mburret se i ka rezistuar superfuqisë amerikane, se ka forcuar lidhjet me Hezbollahun libanez deri në pikën që ta përfshijë milicinë nën ombrellën e saj të mbrojtjes ushtarake, si dhe se ka fituar një levë të re strategjike – kontrollin e Ngushticës së Hormuzit – duke siguruar një marrëveshje të përkohshme me disa pika në favor të saj.
Megjithatë, marrëveshja mbetet e brishtë, mbështetet mbi shumë të panjohura dhe me përfundimin e konfliktit mund të nisin problemet në frontin e brendshëm.
Kjo shpjegon pse dje drejtuesit politikë iranianë e komentuan marrëveshjen me kujdes, ndonëse duke theksuar “sukseset” e arritura.
“Është e rëndësishme për të ndalur luftën dhe për të nisur negociatat, por një marrëveshje përfundimtare ende nuk është arritur. Irani nuk do t’i nënshtrohet kurrë poshtërimit”, shkroi presidenti Pezeshkian, përfaqësues i krahut më moderat të sistemit.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili gjatë konfliktit menaxhoi një diplomaci të vështirë duke ruajtur vazhdimisht kontaktet me të dërguarin amerikan Steve Ëitkoff, është edhe më i kujdesshëm. Sipas tij, raundi i parë i bisedimeve në Gjenevë do të organizohet mbi bazën e “mosbesimit, premtimeve të pambajtura dhe përvojave të së kaluarës”.
Rreziqet nuk fshihen vetëm në dialogun me Trumpin. Në javët e fundit, përplasja e brendshme me grupet më radikale, të cilat kundërshtojnë çdo kompromis, ka qenë e ashpër dhe publike si kurrë më parë.
Deputetë si Mahmoud Nabavian, i cili kishte qenë pjesë edhe e delegacionit negociator në Islamabad, kanë drejtuar kritika të forta ndaj negociatorëve.
“Teksti fshin të gjitha përparimet ushtarake dhe mbrojtëse të arritura në fushën e betejës”, deklaroi ai për televizionin shtetëror.
Të frymëzuar nga lufta, të bindur se e detyruan armikun të tërhiqej, “skifterët” e regjimit do të kërkojnë që fondet e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare me SHBA-të të përdoren para së gjithash për riarmatimin e vendit.
Industria ushtarake dhe ajo bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga bombardimet. Por Irani ndodhet tani në një territor ekonomik të panjohur. Në prill, Teherani vlerësoi dëmet e luftës në 270 miliardë dollarë, rreth 57% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, një plagë që do të kërkojë vite për t’u shëruar.
Shumica e popullsisë iraniane nuk kërkon armë, por punë. Ajo kërkon një injektim fondesh për të ringritur ekonominë, për të frenuar inflacionin dhe për të luftuar varfërinë në rritje.
Po në muajin prill, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara vlerësoi se për shkak të luftës, varfëria – e përcaktuar si jetesa me më pak se 8 dollarë në ditë – mund të rritet me 3.9% deri në 4.6% të popullsisë, duke e çuar nivelin e përgjithshëm të varfërisë deri në 41%.
“Nuk mendoj fare për paqen, kam shumë probleme tani”, thotë Arash, një punëtor 48-vjeçar nga Mashhadi. “Shpresoj vetëm që situata ekonomike të ndryshojë.”
Gjeneralët dhe klerikët do të duhet të përballen me këtë Iran të dyfishtë: nga njëra anë ekstremistët, të gatshëm për të vazhduar betejën dhe të bindur se mund të shtypin me forcë çdo kundërshtim; nga ana tjetër miliona iranianë të lodhur nga lufta dhe kriza./La Repubblica
Komente








