Armët, drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla
fshehu pasurinë e gruas së tij

Armët, drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla <br />fshehu pasurinë e gruas së tij
TIRANE- Kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla ka fshehur burimin e të ardhurave të bashkëshortes së tij, Liljana duke mos shënuar në deklaratën e pasurisë që këto para kishin si burim dhe tregtinë e armëve, që përbën një konflikt të hapur interesi. Gazeta “Shqiptarja.com” publikon sot deklaratat e pasurisë të katër viteve të Zylës, ku vertetohet kjo shkelje e ligjit.

Që nga viti 2008 kur është emëruar në këtë detyrë të lartë e deri në vitin 2011, kur është sipas ligjit dhe deklarimi i fundit i pasurisë, në kolonën ku janë të përcaktuara të ardhurat e bashkëshortes, shënohet vetëm nga biznesi privat pa dhënë asnjë lloj përcaktimi se për çfarë biznesi bëhet fjalë dhe për më tepër që ky biznes ka të bëjë me tregtinë e armëve, duke përbërë një konflikt të hapur interesi.

Dhe nuk janë pak, por plo 52 milionë e 750 mijë lekë që në zërin biznes privat, janë të ardhura të nxjerra dhe nga tregtia e armëve, pasi është bashkëaksionerëve me dy kompani të huaja që merren me tregtinë e materialeve ushtarake dhe të armatimit. Pra bëjnë biznes pikërisht me ministrinë e Mbrojtjes, ku bashkëshorti i saj, Ylli Zyla është shef i shërbimit inteligjent të ushtrisë, çka përbën një konflikt të hapur interesi. Por me sa duket Zyla ka gjetur rrugën më të shkurtër për të shmangur hetimin për konflikt interesi, teksa ka shënuar në deklaratën e pasurisë si burim të ardhurash nga bashkëshortja Liljana thjeshtë biznes privat dhe jo tregëtinë e armëve. Ndërkohë që ai nuk ka munguar të shënojë në të gjitha deklarimet e pasurisë të ardhurat e marra nga dhënia e shtëpive me qira të bashkëshortes 1.380.000 lekë, shpenzimin e parave për blerjen e një makine po nga bashkëshortja me shumën 12 milionë lekë, si dhe të ardhurat e dala nga përqindja e interesit të parave të futura në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, duke përmendur në të gjitha rastet emrat e tyre. Si dhe trashëgiminë prindërore 36.000.000 lekë.

Vetëm të ardhurat nga biznesi i bashkëshortes nuk precizohen se nga cili biznes kanë ardhur. Pra, shefi i SHIU-t Ylli Zyla ka fshehur me qëllim dhe në deklaratën e tij zyrtare të pasurisë faktin se bashkëshortja e tij po merret dhe me tregtinë e armëve. Gazeta jonë e ka denoncuar ditë më parë këtë fakt, sipas të cilit është vertetuar me dokumente zytare se bashkëshortja e kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak Shqiptar Ylli Zyla, është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin "Për konfliktin e Interesit". Konkretisht, Liljana Zyla prej vitit 2008 është bashkëaksionare në kompaninë "Wind Sun Water Initiative", sëbashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski(shtetas polak), të cilët në të njëjtën ditë që kanë themeluar kompaninë me gruan e shefit të SHIU-t kanë krijuar edhe dy kompani të tjera në Tiranë me objekt aktiviteti tregtinë e materialeve ushtarake dhe armatimit. Dhe kjo vertetohet konkretisht se vendndodhja e zyrave të kompanisë energjetike dhe kompanisë së armëve në të njëjtin vend, nuk është një koicidencë e rastësishme. Kompania "WSWI", ku është bashkëaksionare dhe shtetasja Liljana Zyla është krijuar më datën 28 janar të vitit 2011.

Ajo ka si objekt të aktivitetit të saj operimin në sektorin energjitik. Por duket se në të njëjtën datë dhe ditë dy ortakët e Zylës Goça dhe Izdebeski kanë shkuar në QKR për të regjistruar dhe dy kompani të tjera, të quajtura UNIMESKO dhe NITRO-CHEM të cilat janë kompani që kanë si objekt të aktivitetit të tyre, tregtinë në sektorin e materialeve ushtarake dhe eksportin e armatimeve. Të dyja këto kompani rezultojnë të licensuara në Ministrinë e Mbrojtjes, ato kanë marrë lejen për të eksportuar armatime. Kështu, gazeta jonë ka shkruar ditë më parë se në të njëjtën ditë që kanë çelur kompaninë energjitike në bashkëpronësi me bashkëshorten e kreut të SHIU-t dy sipërrmarësit Goça dhe Izdebeski kanë themeluar shoqëritë UNIMESKO dhe NITRO-CHEM. Këto shoqëri janë regjistruar me adresën "Bulevardi Zhan D'Ark", Kompleksi "MATRIKS", kati i IV", që është ekzaktësisht e njëjta adresë zyrtare dhe e kompanisë tjetër "ËSËI" në të cilën është aksionere Liljana Zyla, çka tregon se kompanitë operonin në të njëjtën zyrë. Të tria kompanitë kanë patur dhe të njëjtin numër kontakti telefonik dhe ky numër ekspozohet qartë në të dhënat publike të QKR-së, që janë publikuar ditë më parë nga ana e gazetës sonë. Ndërkohë që Lorenc Goça kompaninë NITRO-CHEM e ka themeluar sëbashku me një shtetas polak, i cili quhet Tomas Ptazinski dhe që kontrollon të gjithë paketën e aksioneve të kësaj kompanie ndërsa Goça rezulton administrator i saj.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    EURO 2024/ Fillojnë ndeshjet e fundit, a mendoni se Shqipëria kalon grupin?



×

Lajmi i fundit

Nuk u aktivizua në Euro 2024, babai i lojtarit të kombëtares nuk përmbahet në rrjetet sociale: Zoti i shkatërroftë

Nuk u aktivizua në Euro 2024, babai i lojtarit të kombëtares nuk përmbahet në rrjetet sociale: Zoti i shkatërroftë