MEDISON- Ndërkohë që debati për asgjësimin e armëve kimike të regjimit sirian ka përfshirë prej ditësh Shqipërinë, ajo çka del në pah, është mungesa e një impianti, i cili do të mundësonte procesin e shkatërrimit të këtyre armatimeve të rrezikshme.
 
“A1 Report” ka mundur të sigurojë pamjet e impiantit të asgjësimit të armëve kimike në Medison në Amerikë në bazën ushtarake “Blu Grass”.
 
Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ndërtuar këtë impiant, i cili siç raportojnë mediat amerikane në këtë periudhë ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit, por për të nisur funksionimin ky impiant kërkon 5 deri 6 vite.
 
Pajimet e këtij impianti i përkasin një teknologjie të lartë, teknologji e cila në brendësi të dhomës ku do të kryhet asgjësimi mbahet sekret për mediat, por inxhineri Jeff Brubaker, i cili shpjegon për gazetarin, tregon se saktësia e këtij impianti, është në kufijtë milimetrikë. Ndërtimi i këtij projekti, bën të ditur inxhinieri, kushton 2 miliardë dollarë, ndërsa ajo çka përflitet në media se mund të përfitojë Shqipëria nëse pranon shkatërrimin e arsenalit sirian, mund të arrijë deri në 200 milionë euro, pra 1 e 10-a e asaj që duhet për të ndërtuar një impiant të tillë, i cili do të mundësonte siguri maksimale gjatë asgjësimit.
 
Veç teknologjisë nga pamjet e siguruara nga “A1 Report” bie në sy hapësira gjeografike në të cilën është pozicionuar ky impiant ende në ndërtim, ku në distancë prej qindra kilometrash nuk ka asnjë zonë të banuar.
 
E ndërsa zyrtarisht shteti shqiptar nuk disponon një teknologji të tillë, vetëm në periudhën 2004-2007 në bazën e asgjësimit të armëve kimike në Qafë-Mollë në periferi të Tiranës, një impiant portativ ka funksionuar për 3 vite. Pak ditë më parë “A1 Report” ka sjellë pamjet aktuale, ku shihet se ky impiant nuk ekziston më.
 
Megjithate ende nuk dihet nëse veç negociatave për të shkatërruar apo jo armët kimike në Shqipëri, do të ketë edhe bisedimeve për të ndërtuar apo për të sjellë në vendin tonë një impiant të një teknologjie të tillë si në Amerikë për të mundësuar shkatërrimin e arsenalit kimit të regjimit të Bashar Al Assad.
 
E ndërsa për publikun shqiptar dhe për mediat hedhja dritë mbi këto negociata është tepër e vështirë, krejt e kundërta ndodh në Amerikë ku asgjencitë e Mbrojtjes i krijojnë mundësinë medias të futen në bazë për të shpjeguar se çfarë ndodh dhe për të shpjeguar proceset e ndjekura, si në rastin e gazetarit Eric Flack, në Shqipëri kjo mundësi është “mollë e ndaluar”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)