Armiku i heshtur që 'përgjon' trupin e femrës, humbjet dhe fitoret në luftën kundër kancerit të gjirit! Historia e dy grave të guximshme

Mban emrin e lules që njofton përshëndetjen e fundit me dimrin. Midis shumëngjyrësheve e kanë zgjedhur të simbolizojë fuqinë dhe energjinë e femrës.

“Unë quhem Mimoza Groballi. Jam 51 vjeçe dhe jetoj në Fier dhe kam 3 vite që jam diagnostikuar me kancer gjiri", thotë ajo.

Mimoza nuk kishte sy për ngjyrat e stinës, duhej të përballej me luftën e panjohur që i kishte pushtuar një pjesë të trupit.

“Me thënë të drejtën më kishte dhënë trupi im një sinjal. Një ndryshim të vogël, unë e neglizhova. Gjërat u bënë më serioze. Atëherë u alarmova dhe shkova tek mjeku specialist që kemi në Fier. Me eksperiencën e tij ai e konstatoi problemin pa asnjë lloj ekzaminimi, por megjithatë bëra gjërat që duheshin bërë, analiza, mamografi. Që aty erdha në Tiranë tek Onkologjiku. Aty filloi dhe kalvari im”, tregon Mimoza.

Nuk i kishte bërë ende 50 vjeçe, nuk neglizhonte kontrollet e përvitshme, madje kanceri nuk ishte pjesë e historisë familjare, megjithatë sëmundja kishte avancuar shpejt.

“Isha një njeri që i bëja këtë kontrollet rutinë. Nuk isha që nuk shkoja njëherë tek mjeku dhe më gjeti. Në stad të tretë. Goxha të avancuar. Prandaj më erdhi keq. Po mos të kisha bërë kontrolle do thoja nuk kam shkuar tek mjeku. Por e pranova. Thashë ky është fati im”, thotë më tej ajo.

Mimoza vendosi të përballej me fatin e saj. Me vete kishte familjen.

“I kam pasur gjithmonë afër dhe mendoj se në këtë rast mbështetja e të afërmeve ka një pjesë goxha të rëndësishme. Shumë të rëndësishme madje", thekson Mimoza.

-Çfarë mendove në momentet e para kur ti konstatove që je e sëmurë?

Nuk është se mendova se ishte fundi i botës. Ndoshta ngaqë kisha ardhur nga një rrugë e vështirë. E mora me sportivitet. Me thënë të drejtën nuk kam derdhur asnjë pikë loti për këtë sepse mendova se do të ishte më keq për mua. Thashë do ja dal, jam e fortë.

-Dhe ia dole?

"Me shpresën tek zoti besoj se po.”

Diagnostikimi ishte vetëm fillimi i rrugëtimit të ri të Mimozës. La Fierin dhe erdhi në Tiranë në Spitalin Onkologjik.

“Me konstatimin e problemit, që kur erdha në Tiranë fillova procedurat. Ju jam mirënjohëse mjekëve. Personeli ishte shumë human dhe profesionistë. Njerëzit që kanë këtë problem duan mbështetje. Nuk është rrugë e lehtë. Mendoj që çdo njeri që ka problemin tim nuk duhet të demoralizohet. Nuk është e lehtë. Sepse është shumë më keq. Nëse bien në depresion gjërat dyfishohen. Unë e quajta si një gjë që më ndodhi. Do mundohem dhe do e përball”, vijon ajo rrëfimin.

Kishte ardhur koha e kimioterapisë.

Ishte vetëm e para. Pas saj do të pasonin 7 seanca të tjera. Por Mimoza që në fillim ia mbylli shtegun frikës nga ndryshimet e pashmangshme fizike.

“E kisha marrë seancën e parë të kimios. Isha në djeni se çfarë do më ndodhte. Ishte një ndjesi shumë e keqe. Mu forcuan. Unë ia eliminova vetes faktin që t’i shihja flokët të më binin në jastëk. Edhe shkova tek parukierja ime dhe i dhashë fund flokëve. Dhe u prezantova me një Mozë të re”, thotë Mimoza.

Po afronte darka e ndërrimit të viteve, bashkë me të edhe shpresa se ajo do të ishte seanca e fundit e kimioterapisë për Mimozën.

“E kujtoj fare mirë. Ka qenë 28 dhjetor e vitit 2018".

-Kush ju ka qëndruar më afër gjatë kësaj kohe që ju keni qenë e sëmurë?

Vajza ime. Ajo ka qenë në çdo hap me mua. Më vjen keq në njëfarë mënyre sepse ju desh që të shihte. Edhe njerëzit e mi të afërm.

HISTORIA E DYTË

“Jam nënë e dy djemve. I madhi 25 vjeç dhe i vogli 8 vjeç. Për pak ditë mbush 50 vjeç, Jam nënë e vetme. Me profesion jam mësuese e psikologji-kimisë në një nga gjimnazet e Tiranës. Jam mësuese prej 28 vitesh dhe 24 vite i kam në këtë gjimnaz”.

Tre vite më parë Ina Kasimati zbulon rastësisht diçka anormale në trupin e saj.

“Kur bëra dushin dallova një masë të fortë poshtë gjirit të majtë. Menjëherë kam kontaktuar mjekun që para 3 vitesh më kishte bërë ekografi në Onkologjik dhe të nesërmen kam bërë mamografinë. Mjeku më pa diçka ndryshe nga ekoja e tre viteve. Më sugjeroi të bëja vizitë tek onkologu”, tregon ajo.

Dhe pas kësaj, nisën kontrollet mjekësore njëra pas tjetrës.

Masa tumoriale kishte qenë aty prej disa kohësh.

“Ka qenë stadi i dytë. Sigurisht që nuk kam pasur histori të tjera familjare. Ishte shumë e rëndë. Kisha një djalë të vogël që po e rrisja e vetme. Fjala kancer ishte shumë e vështirë. Më bllokoi trrurin. Ka zgjatur shumë pak”, thotë Ina.

Kapja në kohë e sëmundjes bëri që Ina të refuzonte kimioterapinë. Ajo zgjodhi ndërhyrjen kirurgjikale.

Pas operacionit nisi terapinë hormonale, një metodë që ia këshilluan mjekët italianë.

“Dhe ajo ka sfidat e veta. U vërtetua pas një vizite edhe në spitalin e Barit. Atje doktoresha më konfirmoi një terapi ndryshe. Ende se kuptoj pse në Onkologjik nuk mu dha terapia e saktë”, shprehet Ina.

Të qenit nënë e vetme e ngriti në këmbë Inën. Dy djemtë e saj janë motivi për t’u përballur edhe me vdekjen.

“Fati im është që kam dy fëmijë. Në ato vite  i madhi ka qenë 22 vjeç. Shumë i ri është për t'i lënë një barrë kaq të madhe. I thash që do të të bjerë ty për të rritur vëllain. Trembja e tij. Si mundem unë. Dilemat. Nga ana tjetër djali i vogël. Kur e ndjen dhe sot e kësaj dite që unë jam e lodhur dhe vjen e më thotë që a më ke thënë që ilaçi për ty jam unë. Sytë e tij qeshin vazhdimisht. Ka qenë që në atë momente një ndryshim i asaj gjëje negative që shkrepi në atë moment të vështirë”, rrëfen ajo.

Pjesa më e vështirë ka kaluar për Inën. Sot ajo mban në vesh këshillën që i ka dhënë doktoresha në Itali, të qëndrojë aktive e të mos dorëzohet asnjë ditë të jetës së saj. Dhe mësuesja e biologjisë kështu vepron.

“Më vjen për të qarë qaj. Në se dua ti gëzohem, gëzohem. Nëse dua të protestoj. Protestoj. Nëse dua të adresoj dhe të bëhem aktiviste për të drejtat e grave, për dhunën, ku unë po njihem me histori shumë të forta të cilat më rikthejnë vite më përpara ku edhe unë e kam kaluar një situatë të tillë. Unë jam një e mbijetuar e dhunës familjare. Ndonjëherë më bllokojnë historitë, por them unë ja dal. Jam e fortë dhe ja dal”, shprehet ajo.

Mediton, bën ecje, përgatitet për të qenë çdo ditë mësuese aktive. Pas trajnimeve profesionale synon edhe lidershipin e shkollës.

Por kërkon edhe më shumë përkrahje për veten dhe shumë gra të tjera që nuk gjejnë mbështetje në ambientet e tyre të punës.

Ina e la kempin e pjesshëm me shpresën se do të mirëkuptohej në përditshmërinë e saj profesionale, gjë që nuk ndodhi sipas saj.

“Unë pata fatin të marr kempin, por është një kolegia ime që nuk arriti ta marrë kempin. Pas operacionit ajo filloi punë. Njoh mjaft kolegë të ndryshëm që mbi to nuk ka asnjë lloj lehtësire”, thotë ajo.

Me sy kritik e sheh edhe shërbimin që u ofrohet grave e vajzave të diagnostikuara me kancer në gji.

“Kur të thuhet se ti je me kancer gjiri nuk ke një shërbim psiko-onkologjik, nuk ke një shërbim dhe të terapisë së shëndetit mendor. Unë kam pasur fatin të ma bëje një mikeshë amerikane. Ma ndryshoi edhe atë ditë që mora vesh që jam me kancer”, shprehet Ina.

Këto dhe shërbime të tjera kanë nevojë për përmirësim thotë Ina Kasimati. Por pavarësisht të gjitha problematikave, më e rëndësishmja për të është ajo gruaja e sëmurë që në një çast të jetës vë në pikëpyetje gjithçka.

“E rëndësishme është që ti të kesh besimin që e para je ti dhe të gjithë të tjerët do të të japin dorën për të ecur me dinjitet”, thekson ajo.

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit.

Këto qeliza jo normale grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

“Për hir të vërtetës nuk ka një regjistër kombëtar. Ne kemi të dhëna për 2019 që janë mbi 700 gra me kancer në gji. Duhet të kemi parasysh që gjatë pandemisë jo të gjithë kanë patur mundësi që të bëjnë kontrolle kështu që numri mendohet të jetë më i lartë", thotë Donika Godaj, drejtoreshë e YWCA Albania.

Fjongo rozë është fjongoja ndërgjegjësuese e luftës kundër kancerit të gjirit. Është një fushatë që (YWCA) Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare, si pionere e luftës së kancerit në Shqipëri e zhvillon prej 13 vitesh tashmë.

“Kemi 13 vite që kemi punuar në fshatra, qytete, në zona të pa zhvilluara ku njerëzit nuk kishin dëgjuar fare se çfarë ishte kanceri i gjirit?  Mund të themi që janë mbi 3 mijë gra që kanë marrë informacion për kancerin e gjirit nga ne", shton ajo.

Që prej vitit 2019, ambasadorja e kauzës së fjongos rozë, Ermonela Jaho ju bashkua dhe së bashku organizuan një koncert bamirësie. Të gjitha të ardhurat shkuan për një qendër që ka në fokus këshillimin e grave me kancer në gji dhe të familjarëve të tyre.

“E nisëm këtë shërbim gjatë kohës së pandemisë dhe deri më tani kemi asistuar dhe ndihmuar 52 gra që kanë bërë seanca këshilluese për më shumë se 9 muaj", shprehet Godaj.

Tetori është muaji i dedikuar luftës kundër kancerit te gjirit. Por nuk duhet të mbetet periudha e vetme e vitit që gratë e vajzat të kujtohen për veten e tyre.

“Dikur thuhej se vetëm gratë mbi 40 vjeçe duhet të bëjnë vizita. Por ne kemi vite që kemi kuptuar që edhe vajzat e reja mund të preken. Vetë statistikat tregojnë se ka raste plot që nga mosha 18 vjeçe. Prandaj kontrolli është shumë i rëndësishëm", thekson Godaj.

“Me dorë në zemër unë do ju drejtohesha se nëse ato vënë re një ndryshim në trupin e tyre t'ju drejtohen specialistëve. Kapja në kohë është një mundësi me jetu gjatë dhe shëndetshëm”, bën apel Ina.

“Nuk uroj që ta ketë fatin tim askush, por edhe nëse kanë mendoj që ta marrin me sportivitet. Mos ta quajnë fundin e botës sepse është më e lehtë për të ja dalë. Jeta është shumë e bukur dhe ja vlen ta jetosh”, i drejtohet grave Mimoza.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja