Një grusht arra ose bajame në ditë mund të sjellë përfitime për zemrën dhe tensionin e gjakut. Megjithëse përmbajnë shumë yndyrna dhe kalori, këto ushqime nuk duhen shmangur nga frika se mund të na shëndoshin. Përkundrazi, kur konsumohen në sasinë e duhur dhe si pjesë e një diete të ekuilibruar, mund të jenë aleate të shëndetit.

Një analizë e publikuar në revistën shkencore British Journal of Nutrition, e cila përfshiu tetë studime me mbi 143 mijë pjesëmarrës në Europë, SHBA dhe Azi, zbuloi se personat që konsumonin më shumë fruta arrore kishin një rrezik 16% më të ulët për të zhvilluar hipertension.

Rezultatet ishin edhe më interesante për ata që konsumonin rreth 28 gramë në ditë, sasi që lidhej me një rrezik 20% më të ulët. Ndërsa te konsumi prej 30-35 gramësh në ditë, ulja e vlerësuar e rrezikut arrinte deri në 26%.

Këto shifra nuk nënkuptojnë se ngrënia e arrave e ul automatikisht tensionin me 26%, por tregojnë një lidhje mes konsumit të tyre dhe mundësisë më të vogël për të zhvilluar hipertension.

Sa është sasia e duhur?

Sipas Shoqatës Italiane të Ushqyerjes Njerëzore, një porcion prej 30 gramësh është një pikë referimi për konsumin e përditshëm.

Kjo përkthehet në rreth 6-8 arra ose 15-20 bajame.

Por kujdes me sasinë. Dietologia Monica Guglielmetti, nga Universiteti i Pavias, shpjegon për Corriere della Sera se frutat arrore mund të konsumohen çdo ditë, për sa kohë përfshihen në një regjim ushqimor që i përshtatet nevojave të secilit.

Sipas saj, nuk përbën problem nëse një ditë konsumojmë pak më shumë. Rreziku lidhet me marrjen e tepërt të kalorive për një kohë të gjatë, gjë që mund të çojë në shtim në peshë dhe në rritje të masës dhjamore, dy faktorë që ndikojnë në rrezikun kardiovaskular.

Çfarë i bën kaq të dobishme për zemrën?

Sekreti qëndron te yndyrnat e pangopura, të njohura si yndyrna të mira, por edhe te fibrat, proteinat, vitaminat dhe mineralet që përmbajnë.

Yndyrnat e pangopura ndihmojnë në ruajtjen e elasticitetit të enëve të gjakut dhe në uljen e inflamacionit. Kaliumi dhe magnezi kontribuojnë në rregullimin e tensionit, duke ndihmuar organizmin të eliminojë natriumin e tepërt.

Një tjetër përbërës është arginina, aminoacid që ndihmon në prodhimin e oksidit nitrik, substancë që favorizon zgjerimin e enëve të gjakut.

Sipas Guglielmettit, është pikërisht veprimi i përbashkët i këtyre përbërësve që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të hipertensionit.

A janë më të mira të pjekura apo natyrale?

Kur blejmë arra, bajame apo fistikë, gjëja e parë që duhet të kontrollojmë është etiketa. Idealja është që produkti të përmbajë vetëm një përbërës, pa kripë, sheqer, mjaltë, çokollatë apo aromatizues të shtuar.

Pjekja nuk e ndryshon përmbajtjen e mineraleve, por temperaturat shumë të larta dhe pjekja e zgjatur mund të pakësojnë disa vitamina të grupit B dhe të favorizojnë oksidimin e yndyrnave.

Edhe cipa e hollë e arrave dhe bajameve mund të hahet. Ajo mund të shtojë ndjesinë e ngopjes dhe, kur konsumohet rregullisht, të kontribuojë në marrjen e fibrave dhe antioksiduesve.

Ekspertët theksojnë se nuk ka një lloj të vetëm që është më i shëndetshëm se të tjerët. Mund të alternohen arrat, bajamet, lajthitë dhe fistikët, sipas preferencave.

Megjithatë, një grusht arra në ditë nuk mjafton për të mbrojtur zemrën. Përfitimet duhen parë në kuadër të një ushqyerjeje të shëndetshme, me fruta, perime, drithëra integrale, bishtajore, peshk dhe vaj ulliri, të shoqëruar me aktivitet fizik dhe shmangie të duhanit e alkoolit./CorrieredellaSera