Mund të kemi një pjatë të mbushur me ushqime të shëndetshme, të marrim vitamina dhe minerale, të kujdesemi për atë që vendosim në tryezë, e megjithatë organizmi ynë të shfaqë shenja të mungesave. Arsyeja mund të fshihet jo vetëm tek ajo që hamë, por tek mënyra se si trupi e tret dhe e përthith atë që konsumojmë.
Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, është ndalur në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, pikërisht në këtë proces që është kaq jetik për organizmin tonë.
“Në praktikën klinike bëhet shpesh dallimi mes ushqimit që konsumojmë dhe lëndëve ushqyese që arrijnë realisht në qelizat tona. Procesi nis që me përtypjen, vazhdon në stomak, kalon në zorrën e hollë dhe mikrobiomë dhe përfundon me kalimin e lëndëve ushqyese në gjak e më pas në qeliza. Zorra e hollë është një nga hallkat kryesore të këtij procesi. Muret e saj përmbajnë vile të vogla, të cilat ndihmojnë në përthithjen e lëndëve ushqyese. Kur ka probleme të aparatit tretës apo inflamatore, ky proces mund të mos funksionojë siç duhet. Kështu, edhe një dietë e pasur mund të mos përkthehet domosdoshmërisht në ushqyerje të mirë të organizmit”, u shpreh Joka.
Naturopati shpjegoi edhe rolin e zorrës së trashë.
“Edhe zorra e trashë ka një rol të rëndësishëm në ekuilibrin e organizmit dhe mikrobiomës. Aty zhvillohen procese të rëndësishme metabolike dhe eliminohen mbetjet. Prandaj, mënyra se si ushqimi përpunohet gjatë gjithë rrugëtimit në aparatin tretës është po aq e rëndësishme sa cilësia e ushqimit në pjatë”, tha Joka.
Ja cilat janë sinjalet që mund të na japë trupi, i cili nuk po i përthith vlerat e ushqimit që ne konsumojmë?
Rënia e flokëve, lëkura e thatë ose e zbehtë, çarjet në cepat e buzëve, gjuha e skuqur dhe e lëmuar, lodhja, fryrja dhe gazrat janë disa nga shenjat që mund të shoqërohen me mungesa ushqyese ose probleme të tretjes. Edhe ndryshimet në shikimin në errësirë mund të lidhen me mungesën e disa lëndëve ushqyese, ndërsa energjia e ulët, uria e shpeshtë dhe infeksionet e përsëritura mund të kërkojnë vlerësim të gjendjes ushqyese.
Megjithatë, këto shenja nuk janë specifike vetëm për keqpërthithjen. Ato mund të kenë shumë shkaqe të tjera, ndaj mungesat e vitaminave dhe mineraleve duhen konfirmuar me vlerësim mjekësor dhe, kur është e nevojshme, analiza laboratorike.
Edhe mënyra si e përgatisim ushqimin ka rëndësi
Disa përbërës të ushqimeve mund të ndikojnë në përthithjen e mineraleve. Fitatet, të pranishme në bishtajore dhe disa drithëra, mund të ulin përthithjen e disa mineraleve. Gatimi, njomja dhe metoda të tjera të përpunimit mund të ndikojnë në këtë proces.
Edhe kombinimi i ushqimeve ka rëndësi. Për shembull, vitamina C ndihmon përthithjen e hekurit nga burimet bimore. Nga ana tjetër, disa pije dhe ushqime të konsumuara në të njëjtën kohë mund ta ulin përthithjen e tij.
‘Kjo është arsyeja pse ushqyerja nuk lidhet vetëm me pyetjen “Çfarë po ha?”, por edhe me pyetjet “Si po e ha?”, “Me çfarë po e kombinoj?” dhe “Si po reagon organizmi im?”, theksoi Joka.
Përgjumja pas ushqimit, ja çfarë tregon…
Një përgjumje e lehtë pas një vakti mund të jetë normale. Por kur pas ushqimit shfaqen këputje e theksuar, mjegullim mendor ose një ndjesi e fortë plogështie, kjo nuk duhet interpretuar automatikisht si problem i përthithjes. Mund të ketë lidhje me madhësinë e vaktit, përbërjen e tij, gjumin, metabolizmin apo faktorë të tjerë dhe, nëse përsëritet, ia vlen të vlerësohet.
Stresi gjithashtu ndikon në sistemin tretës. Kur organizmi është për një kohë të gjatë nën stres, mund të shfaqen ndryshime në tretje, lëvizshmërinë e zorrëve dhe simptomat gastrointestinale. Prandaj, ushqyerja e shëndetshme duhet parë në një tablo më të gjerë, ku përfshihen edhe gjumi, aktiviteti fizik dhe menaxhimi i stresit.
Si mund ta ndihmojmë organizmin të përthithë vitaminat dhe mineralet që ne marrim nga ushqimi?
Hapi i parë është të mos hamë me nxitim. Përtypja e mirë është pjesë e procesit të tretjes. Po aq e rëndësishme është një dietë e larmishme, me ushqime të plota, perime, fruta, bishtajore, drithëra, burime proteinash dhe yndyrna të shëndetshme.
Bishtajoret mund të njomen dhe të gatuhen mirë. Ushqimet mund të kombinohen në mënyrë të zgjuar për të përmirësuar përthithjen e disa nutrientëve. Ndërkohë, konsumimi i tepërt i sheqernave të rafinuara dhe alkoolit nuk ndihmon shëndetin metabolik dhe të tretjes.
Nëse ka fryrje të vazhdueshme, diarre, humbje peshe pa arsye, lodhje të madhe ose analiza që tregojnë mungesa të përsëritura, nuk mjafton thjesht ndryshimi i dietës. Duhet kërkuar shkaku dhe, sipas rastit, të konsultohet mjeku ose gastroenterologu.
A ka ushqime që tek disa njerëz nuk përthithen?
Ushqime që përgjithësisht kanë fitate, si fasulet, thjerrëzat, bishtajoret etj., duhen zier për t’i shkatërruar fitatet.
Përgatitja ndryshon shumë, si në rastin e fermentimit. Buka me maja të thatë është e mirë, e shëndetshme.
Oksalatet marrin kalciumin dhe nuk e lënë të veprojë. Kjo mund të krijojë gurë në veshka. Ziejini produktet.
Polifenolet tek frutat e tharta të pabëra ulin 50 për qind përthithjen e hekurit.
Çaji i zi nuk duhet të konsumohet shumë shpesh.
Lektinat që gjenden tek bishtajoret, patëllxhanet, domatet dhe specat, në rastin që keni artrit, nuk duhen konsumuar sepse nuk ju lejojnë të përthithen mineralet e duhura.
Kujdes me alkoolin dhe sheqernat e përpunuara.
Koma e ushqimit, përgjumja, ja çfarë tregon!
Në momentin që kemi dobësi dhe dëshirë për të fjetur pas ushqimit, duhet të kuptojmë që energjia po shkon dëm në trupin tonë, sepse po mundohet të përballojë ushqimin që nuk po tretet siç duhet. Përgjumja e lehtë është normale, por kur kemi këputje, mjegullim mendor, duhet të shtrihemi. Kjo është problem.
Rënia dhe luhatja e sheqerit, kur në stomak apo tek zorra e hollë nuk funksionon siç duhet, karbohidratet dhe sheqernat shkaktojnë insulinë. Është problem i zorrës tënde.
Mbingarkesa nga toksinat bëjnë që të krijohen intoleranca nga ushqimi.
Nëse jemi të stresuar, ushqimi kthehet në helm.
Si ta përmirësojmë përthithjen
Kaloni nga faza e ushqimit në pjatë tek ushqimi në qelizë. Duhet të përtypni ushqimin gradualisht, mos hani me nxitim.
Optimizoni aciditetin e stomakut. Magnezi, kalciumi dhe hekuri nuk zbërthehen. Një ose dy lugë uthull molle në një gotë ujë, shmangni medikamentet antiacide.
Mbështesni tëmthin dhe mëlçinë. Hani angjinare, rrepa, vaj ulliri, xhinxher, gjalpë kullote.
Shmangni antinutrientët, bishtajoret ziejini më shumë. Kujdes me temperaturat e larta, se shkatërroni mineralet dhe vitaminat.
Konsumoni lëng kockash, merrni kolagjen, L-glutaminë. Duhet ta konsumoni, rregullon dëmtimet e zorrës.
Hiqni dorë nga sheqernat e rafinuara, mos u çoni të ngopur nga tavolina, mbani trupin në formë, mos të keni nivele të larta obeziteti.












Komente
Komento