PEQIN - Drejtoria e Përgjishme e Burgjeve urdhëron pezullimin e drejtorit të burgut të Peqinit Sajmir Salla. Vendimi u mor një ditë pasi një nga të burgosuit që vuanin dënimin në këtë burg nuk është kthyer nga leja. I burgosuri Romeo Rustemaj  me origjinë nga Selenica e Vlorës, duhej të ishte kthyer dje (12 maj) në orën 13:00  por nuk është kthyer.

Rustemaj ishte dënuar me 10 vjet për vrasje në rrethana të cilesuara të një oficeri policie. Ishte hera e parë që përfitonte një leje shpërblyese. Leja i ishte dhënë në datën 7 maj dhe sipas afatit, duhej të kthehej dje në orën 13:00. Kjo ka detyruar policinë të ushtrojë kontroll në banesë. Policia ka zgjeruar kërkimet por deri në oret e vona të mbrëmjes nuk kanë rënë në gjurmët e të arratisurit. Dyshohet se mund të jetë larguar drejt Italisë.

Burimet bëjnë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente sot në mesditë, pasi ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që 2 të burgosur pasi marrin lejen, nuk kthehen në burg, por arratisen. 

PRECEDENTI NE FUSHE KRUJE

Pak ditë më parë një tjetër i burgosur nuk u kthye nga leja. Ilir Avdillari, i njohur si anëtar i bandës së Yzberishtit ishte larguar nga burgu i Fushë Krujës me leje, por nuk ishte kthyer. Avdillari, i dënuar me 20 vjet burg, u arrestua 24 orë më vonë, (më 11 maj).  Pas lajmit të arratisë u shkarkua  drejtori i burgut.

Lajmi u përditësua
Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)