Pjesë e një plani të mirëorganizuar e ka cilësuar analisti Arben Meçe e 'ushtarit' të Çopjave Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit, ditën e sotme,

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ai tha se automjeti që e priste jashtë spitalit është provë e qartë se arratisja ishte planifikuar në bashkëpunim me persona jashtë.

 ‘Ai është person me rrezikshmëri të lartë. Ajo makina që e priste është pjesë e një plani të organizuar. Një i paraburgosur të hartojë plane arratisje me njerëz jashtë. Ai person është shoqëruar disa herë. Aty ishte në ambient publik dhe nuk lejohet që të qëllohet me armë. Ky spital ka 5 hyrje, a i plotëson kriteret për të dërguar njerëz të kësaj kategorie. Ka shumë shkelje, ne akoma nuk po kuptojmë që protokollet duhen zbatuar deri në fund. Iket me idenë që nuk do na ikë. Ai person ka burgim të përjetshëm, ça do të humb ai me këto që po bënë. Ai është i akuzuar për pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe do të ketë dënim me burgim të përjetshëm. Ngjarja duket dukshëm që është e organizuar’, tha ai.

Edhe ish-prokurori Ervin Karanxha, e cilësoi arratisjen e Ndocit si të mirëmenduar. Sipas Karanxhës, mënyra e arratisjes tregon se Ndoci e njihte mirë territorin e spitalit.

 ‘Kemi të bëjmë me një plan të detajuar. Ai është një moment që të jepet njëherë në jetë, ai mund ta ketë problemin shëndetësor por ka mbledhur forcat për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Ai duket që e njeh mirë territorin sepse ka ikur në drejtimin e duhur. Po rregullorja e burgjeve parashikon që jo për çdo gjë, pra jo për çdo problem shëndetësor të të burgosurit duhet që të informohet prokurori’, tha ai.

Eksperti i Sigurisë Faik Basha tha se në këtë rast kanë munguar masat bazë të sigurisë dhe është shkelur protokolli standard për shoqërimin e personave me rrezikshmëri të lartë.

 ‘Duhet që të kishte masa shtesë sepse s’mund të punohet me një numër kaq të vogël punonjësit. Aty ku del ai duhet që të ishte policia me makinë, pra postoblloku i policisë. Policia e shtetit qëndron para hyrjes së spitalit tek dera, nëse ke në person me rrezikshmëri të lartë si ai, duhet ta bënte shoqërimin Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këtu ka një mungesë të protokollit, policia e ka për detyrë që të njoftohet’, tha ai.

Avokati Rezart Kthupi tha se nga mënyra se si është realizuar arratisja tregon se i paraburgosuri kishte informacion të saktë për ditën e vizitës në spital, vendin ku do ta priste automjeti dhe llojin e makinës që do të përdorej.

Ai theksoi se Ndoci kishte qenë disa herë më parë në atë ambient, çka i ka dhënë mundësinë të njihej me terrenin e spitalit.

‘Duhet parë se si ka arritur që të bëjë planin për tu arratisur. Makina që e ka pritur e dinte dita që ai do të shkonte në spital dhe ai dinte vendin ku do e presin dhe ca lloj makine është . fakti që kjo është parapërgatitur ai i ka marrë masat me kohë. Ai ka shkuar disa herë aty dhe është njohur me vendin aty, hyrja dalja, shkallët. Një person me masë arresti duhet që të ketë protokoll të posaçëm spitali dhe Policia e Shtetit. Deri këtu faji është i grupit që e ka shoqëruar. Nëse policia do të kishte reaguar shpejtë do ta kishte izoluar zonën sepse spitali është pranë Drejtorisë së Policisë’, tha ai.