Arratisja e Saimir Ahmetit një ditë më parë nga gjykata e Gjirokastrës i ka kushtuar vëndin e punës dhe prangosjen dy punonjëve të policisë së burgjeve.

Ata janë Njazi Kacupaj dhe Fatjon Idrizi të cilët janë prangosur me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi ata kan rezultuar se s’kanë respektuar procedurat standarde të ruajtjes dhe shoqërimit të të paraburgosurve.

Ka qenë mosrespektimi i këtyre rregullave që ka çuar në arratinë e Ahmetit, bën me dije drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Arratia e Ahmetit ka zgjatur për 3 orë dhe më pas ai është prangosur nga policia e Gjirokastrës në bodrumin e një hoteli.

Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve 

Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar dje nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjitshme të Burgjeve është bërë verifikimi i ngjarjes së ndodhur po dje në ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër në lidhje me procedurat e ndjekura nga punonjësit e policisë të IEVP Sarandë gjatë shoqërimit të të paraburgosurve.

Pas verifikimeve të kryera, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve, Njazi Kaçupaj,  i datëlindjes 25.03.1966, lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë dhe Fatjon Idrizi, i datëlindjes 19.05.1990, lindur në Sarandë dhe banues në Sarandë me detyrë punonjës të policisë në IEVP Sarandë.

Arrestimi i tyre është bërë pasi;

Më datë 07.02.2017, gjatë shoqërimit të të paraburgosurit Saimir Ahmeti, i arrestuar për veprën penalë “Përndjekje” parashikuar nga neni 121/a i K.Penal, në ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, nuk kanë zbatuar procedurat standarde të ruajtjes dhe shoqërimit të të paraburgosurve, si pasojë e të cilave ka ardhur largimi nga ambientet e kësaj Gjykate të këtij të paraburgosuri.

Ky i paraburgosur është kapur disa orë më vonë nga forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, i ndryshuar.

Materialet i proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.

s.k/Shqiptarja.com