TIRANE- Arratisja e 7 personave nga burgu i sigurisë së Lartë, ka detyruar ministrin e Drejtësisë Nasip Naço të riorganizojë të gjitha strukturat në burgje, ku vetëm ditën e djeshme janë shkarkuar 11 persona. Nëntë prej të shkarkuarve janë punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, ndërkohë që dy të tjerë janë përgjegjës sektori. Pikërisht Pirro Dungu dhe Polikron Balliu, janë dërguar për njekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë dhënë asnjë informacion për të parandaluar një skandal të këtilla përmasave. Ndërkohë që janë liruar dhe trasferuar nga detyra Haxhi Damzi, Gjergj Luca, Besmir Paja, Eduard Hasanaj, Agron Dhoska, Etleva Babameto, Sadik Lika, Sokrat Turtulli dhe Orland Reci.

Grupi hetimor për arratisjen nga burgu i Drenovës ka zbuluar të tjera detaje për mënyrën si kanë hyrë armët në burgun e Drenovës si edhe detaje për skema e arratisjes së 7 të dënuarve. Sipas hetimeve paraprake, frigoriferi ku janë futur armët e paçmontuara, ishte prodhuar në funksion të planit të arratisjes. Armët nuk ishin fshehur në pjesët e çmontueshme të frigoriferit dhe nuk mund të viheshin re pa u shkatërruar pajisja. Sipas grupit hetimor, pjesa e pasme e frigoriferit ku ishin futur armët ka qenë e izoluar totalisht edhe me silikon. Të arratisurit e kanë shkatërruar frigoriferin kur kanë dalë për aktivitet në klasë dhe Admir Tafili ka marrë armët me të cilën ka kërcënuar gardianët dhe falë saj, 7 të arratisurit kanë mbërritur deri te informacioni.

Sipas hetimeve, të dënuarit kanë marrë me vete pesë policët e të gjithë sektorëve, të cilët më pas i kanë mbyllur në një nga dhomat e informacionit. 7 të dënuarit kanë kërcënuar me armë edhe dy punonjëset që vëzhgonin kamerat e sigurisë dhe më pas kanë prishur sistemin e kamerave që ka qenë poshtë tavolinës. Pas këtij veprimi, arratia e tyre me sukses ka qenë e garantuar dhe ata janë larguar të pashqetësuar nga burgu, ndërsa jashtë ndërtesës i prisnin dy makina me të cilat janë larguar. Por liria e katër prej tyre ka zgajtur shumë pak, ndërsa tre të tjerë vijojnë të enden të lirë.

 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)