TIRANË - Arrestimet e gardianëve në burgun e Drenovës, ka bërë që të shpallen 25 vende të lira në këtë institucion dhe 10 vende të tjera të lira në institucionet e tjera të Vuajtjes së Dënimit.

Me një njoftim të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bazuar edhe në ligjin Për Policinë e Burgjeve, ka shpallur sot - “kërkesën për rekrutim për punonjës të Rolit Bazë dhe të Mesëm në IEVP Korçë me një numër prej 25 vendesh vakante dhe në IEVP të tjera për 10 vende vakante”.

Policia e Burgjeve ka shpallur edhe “Kriteret për tu pranuar në Policinë e Burgjeve”, që duhet të plotësojnë kandidatët.
 
KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJNË KANDIDADËT
- të jenë shtetas shqiptar
- të kenë zotësi të plotë për të vepruar
- të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën
- të kenë mbaruar arsimin përkatës*
- të mos jenë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë
*Përzgjedhja sipas arsimit përkatës bazohet në Urdhrin 3714, datë 05.05.2009, “Për Përcaktimin e Arsimit Sipas Roleve në Policinë e Burgjeve” të Ministrit të Drejtësisë, ku përcaktohet se:

1- Çdo person që konkurron për të qenë punonjës i Rolit Bazë në Policinë e Burgjeve duhet të ketë përfunduar arsimin e mesëm.
2- Çdo person që konkurron për të qenë punonjës i Rolit të Mesëm në Policinë e Burgjeve duhet të ketë përfunduar arsimin e lartë.
Prioritet do të kenë personat që kanë përfunduar Akademinë e Rendit dhe atë Ushtarake, apo kanë qenë në forcat komando.

Kandidatët e kualifikuar janë të lutur të dërgojnë një CV dhe një Kërkesë për pozicionin e punës në postën elektronike të DPB: [email protected], thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)