Një prej emrave më të njohur të botës së krimit, Altin Ndoci arriti të arratiset nga Spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për vizita mjekësore. Ndoci ka një historik të gjatë në botën e krimit dhe rezulton pjesë e organizatës kriminale të Çopjave në Elbasan.

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, pas dëshmive të 3 të penduarve të drejtësisë.

Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për ngjarje të rënda kriminale, Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit. 

Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në vrasjen e 4 personave, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës po në vitin 2020 në qytetin bregdetar. 

Por në prill të 2024-ës Gjykata e Posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, që e përfshinë Altin Ndocin në këto 4 vrasje. Për shkak të deklaratave të rreme, Klevis Alla, e humbi statusin e të penduarit të drejtësisë, dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit

Megjithëse mori pafajësi për vrasjet, Altin Ndoci qëndron në paraburgim pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të një tjetër të penduari të drejtësisë, Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda. 

Sipas dëshmive, Ndoci, dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit në dhjetor 2018 në Peqin dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe armë pa leje. Kjo ngjarje kriminale dyshohet se është porositur nga organizata kriminale e dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. 

I penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, e ka akuzuar Altin Ndocin, se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit  me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Alibejt, Endrit Alibej. Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit. Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, do të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq. I riu nga Puka, ose nuk shkoi në varrim nga frika e një atentati ndaj tij, ose ekzekutorët nuk arritën ta identifikonin dot.


Lajmi kryesor:

U shoqërua nga qelia për vizitë, 'ushtari' i Çopjave arratiset nga Spitali i Durrësit! Goditi policin që e shoqëroi në tualet, efektivi qëlloi në ajër! E priti një ‘Audi A7’