DURRES - Arrest me burg është masa e sigurisë e dhënë sot nga Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës për 18-vjeçaren Fatma Buziu, e cila akuzohet se i vodhi babait të saj 88 mijë franga zvicerane dhe 40 milionë lekë të vjetër shqiptar.

Prokurorja e çështjes, Rabiana Halili kërkoi nga Gjykata që të jepet masa e sigurisë arrest me burg deri në gjykimin e çështjes, masë e cila u kundërshtua nga avokati mbrojtës duke marrë në konsideratë disa rrethana të cilat mund të çojnë në një masë më të butë.

Nga ana e saj 18-vjeçarja Buziu deklaroi se ndihet e penduar për veprën e kryer duke e pranuar dhe kërkuar një masë më të butë. Në fund të seancës gjyqtari Astrit Faqolli vendosi arrest me burg pa afat për të pandehurën Fatma Buziu.

Fatma Buziu u arrestua tre ditë më parë pas denoncimit që bënë vetë prindërit e saj, se nga banesa e tyre ishte zhdukur një shumë e konsiderueshme parash.

Pas denoncimit policia zbuloi se pas vjedhjes së 88 mijë frangave zvicerane dhe 40 milionë lekëve të vjetër shqiptar fshihej pikërisht vajza e tyre, 18-vjeçarja Fatma Buziu, në bashkëpunim me të dashurin e saj.

Ndërkohë që ditën e djeshme Policia e Durrësit ka vënë në pranga 22-vjeçari Ismail Xhindi, i cili bashkëjetonte me 18-vjeçaren Fatma Buziu. Xhindi është arrestuar nga blutë e Durrësit nën akuzën e bashkëpunimit në vjedhje me Fatma Buziun të dashurën e tij.

Dy të rinjtë pas vjedhjes spektakolare bënin një jetë luksoze. Ata kishin marrë një banesë me qira në qendër të qytetit bregdetar, që më pas e kishin kompletuar me mobilie moderne. Çifti Fatma Buziu 18 vjeçe dhe Ismail Xhindi 22 vjeç kishin shpenzuar pa kriter paratë e vjedhura për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë vënë re nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)