Gjykata e Kukësit caktoi këtë të martë (22 shtator) masën e sigurisë arrest me burg për këngëtaren Fjolla Morina e cila u arrestua pak ditë më parë për kalimin e armëve të zjarrit në kufi.

Për këtë çështje, avokati Saimir Vishaj thotë në një intervistë për Report Tv se vendimi i gjyqtares është i drejtë dhe në zbatim të plotë me ligjin. Ai thotë se hetimi do të vijojë dhe më pas do të jepet vendimi përfundimtar për këngëtaren pasi do të analizohet dhe lidhja me 2 të arrestuarit e tjerë nëse ka qenë në bashkëpunim.

"Vepër penale që pas ndryshimeve të reja nuk e ka gjykata e krimeve të rënda. Është një vendim i ligjshëm, është një kompetencë e gjykatës. Është e drejtë dhe nuk ka dhënë pafajësi. Do të thotë që ajo do të hetohet. Ne nuk duhet të paragjykojmë. Edhe pak ditë më parë SPAK-u vendosi për arrest me shtëpi për një gjykatëse për korrupsion. Mendoj se gjykata i ka analizuar të gjitha aspektet e këtij arrestimi pavarësisht se për veprën penale dënohesh deri në 20 vite. Gjyqtarja ka vepruar sipas ligjit. Me vendosjen e masës së sigurisë, arrestin në shtëpi ajo ka zbatuar ligjin. Duhet të lëmë të qetë gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë punën e tyre. Kukësi është qytet i vogël. Imagjinoni se sa i madh është presioni mbi këta. Nëse këngëtarja largohet nga banesa atëherë do i rëndojë një tjetër akuzë. Nuk ka lidhje nëse e ka pohuar vetë këngëtarja. Është hetimi që do të vendosë përfundimisht nëse ka një bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar" - tha Vishaj.

Ndërsa për raportin fals se ishte shtatëzënë, Vishaj tha se është në dorë të prokurorisë për të bërë hetimet. Ai tha se nëse vërtetohet se këngëtarja ka korruptuar mjekun për të bërë një raport fals, atëerë mbi të do të rëndojë një tjetër akuzë.

"I takon SPAK-ut për rënien e pretendimit se është shtatëzënë. Edhe mjekët duhet të japin një dokument për shtatëzaninë. Është çështje hetimi, i takon prokurorisë së Kukësit që të japë prova të tjera" - thotë Vishaj.

Për avokatin Vishaj, masa e sigurisë arrest me burg nuk është e lehtë. Ai thotë se jo çdo person që arrestohet për një vepër penale duhet çuar patjetër në burg apo në paraburgim.

"Nuk është e lehtë të qëndrosh në shtëpi, është një masë e rëndë arresti në shtëpi. Masa e sigurimit është e rëndë. Me ndryshimet e reja, garancia pasurore ka dhe një pikë tjetër që të mos dalësh jashtë shtetit. Gjendja në paraburgim nuk është e lehtë. Koronavirusi e ka rënduar më shumë situatën. Njerëzit e provuan disa kohë vetëizolimin. Masa e sigurimit është e përkohshme. Nëse është kryer vetëm, dënimi është 7 vite. Nëse do të vërtetohet që është në bashkëpunim dhe të vërtetohet se pati korrupsion për shtatëzaninë atëherë është më e rëndë dhe do jetë çështje për SPAK-un. Duhet t'i lini të qetë në vendimarrje gjyqtarët. Është një masë e rëndë për këngëtaren. Kostoja e një të paraburgosuri në muaj është 350 euro ndërsa paga e një polici është 300 mijë lekë" - tha Vishaj.