Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hequr masën e ‘arrestit të shtëpisë’ për ish-zv.drejtoreshën e AKSHI-t, Hava Delibashi.

Në vend të masës ‘arrest shtëpie’, Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj Delibashit masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë vendit’.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se kjo masë është hequr për shkak se Hava Delibashi rezulton të jetë shtatëzënë.

Numri 2 i AKSH-it, kërkoi më herët edhe informacion për hetimin 2 mujor të SPAK që e akuzon si pjesë të grupit kriminal që manipulonin tenderët publike, por Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) kërkoi të dëgjojë më parë se ku janë prokurorët me hetimet, në mënyrë që të shprehej mbi kërkesën për masën.

Kujtojmë se në kërkim për çështjen e AKSHI-t vijojnë të jenë dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe 'manipulim me tenderët' e ASHKI-t. GJKKO ka pezulluar nga detyra zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj.

Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj ndodhet në “arrest shtëpie”. Agasi dhe Beqiraj, të cilët dyshohet se e kanë lënë vendin, akuzohen se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.

------------------------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë