Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas urdhërarrestit që u lëshua ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni e dyshuar se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë. Në mbledhjen e grupit të PD, kryedemokrati Sali Berisha e bëri përgjegjës kreun e qeverisë, duke pretenduar se Hyseni çdo vendim e ka marrë me dijeninë dhe porosinë e tij. Sipas Berishës, Rama po përpiqet që komunikimet e bëra publike mes Hysenit dhe Agasit t’i paraqesë thjesht si një “aferë dashurie”.
“Edi Rama, sapo u bë publik skandali, sepse ju duhet të jeni të sigurt se ai ka qenë i informuar, ai dhe jo vetëm ai, urdhër arresti për drejtuesen e SHISH, shërbim që funksionon në një sistem bashkëpunimi të ngushtë në kuadrin e NATO-s, shërbim që në traditën e tij, ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë më kryesorë në fushën e sigurisë, shërbim real dhe me kontribute të pamohueshme. Pra, përpiqet ta paraqesë sot me ca transkripte si një aferë dashurie (love affair). E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha tha se rasti i Vlora Hysenit ka cenuar jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Qëndrimi i Hysenit është shkelmim flagranti edhe i besimit të partnerëve tanë. S’ka gjë më të turpshme, njeriu që kishte urat e bashkëpunimit me shërbimet më serioze, ishte një skllave mjerane e mafies shqiptare dhe e Ergys Agasit, e kuptoni ku katandisemi ne. Dy tre herë thoshte vlerësimet e partnerëve , i them Ramës turp të kesh, nëse këta janë pisa, ti je kryepis, nëse këta janë llum, ti je kryellum, nëse këta janë mafie, ti je padrino që bën sikur kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Ajo atje kishte gjithë sekretet e shtetit dhe NATO-s që vinin në këtë shtet”, vijoi Berisha.
Përplasja për Vlora Hysenin do të zhvendoset nesër në sallën e Kuvendit, ku deputetët do të mblidhen për seancën e radhës plenare.
“Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Kuvendi këtë çështje do ta ketë çështjen më kryesore. Ne duhet të ndërtojmë punën tonë për një qeveri legale, duhet të vazhdojmë betejën tonë në të gjitha mënyrat kundër narkoshtetit. Me partnerët tanë, ne me durim duhet të paraqesim këtë dramë të madhe që po zhvillohet në Shqipëri”, tha Berisha.
Vlora Hyseni iu dorëzua dje autoriteteve të Kosovës dhe ndaj saj është caktuar masa arrest në shtëpi, e akuzuar për “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”. Pasi mbërriti në Shqipëri ku edhe iu ekzekutua masa e sigurisë, presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH.












Komente
Komento