25 majin e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi 5 me 3 në favor të Erjon Veliajt, duke urdhëruar Gjykatën e Lartë, që të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore.
Ky vendim është zbardhur i plotë këtë të mërkurë, ndërsa argumentimet e gjyqtarëve tregojnë se në fakt qëndrimet e tyre kanë qenë edhe më të ashpra, por janë ndarë për procedurën që duhet ndjekur.
4 prej gjyqtarëve, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska kanë qenë të mendimit që çështja duhet të kthehet në Gjykatën e Lartë, edhe pse binin dakord që masa ishte jo proporcionale.
“Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit për cenimin e aspektit substancial të lirisë personale, në drejtim të proporcionalitetit të masës së sigurimit personal të lidhur edhe me të drejtën për t`u zgjedhur dhe me dinjitetin janë të bazuara, për sa i përket mungesës së arsyetimit në këtë drejtim nga Gjykata e Lartë, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht”, kanë argumentuar 4 prej gjyqtarëve.
Për të bërë shumicën kësaj katërshe iu bashkua edhe gjyqtarja Sonila Bejtja, e cila në një argumentim paralel, edhe më të ashpër, thotë se çështja duhet të shkojë në GJKKO, sepse të gjitha gjykatat kanë dështuar të argumenojnë masën e sigurisë. Sipas saj Veliaj në fakt është arrestuar pa prova të mjaftueshme.
“Kërkuesi është arrestuar në mungesë të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale për të cilat ai akuzohet, pasi gjykatat nuk janë bazuar në prova dhe fakte konkrete”, ka arsyetuar gjyqtarja Sonila Bejtja.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Marsida Xhaferllari ka thënë se mbajtja në kafazin e xhamtë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili nuk përbën rrezik, është shkelje dhe cenon dinjitetin e tij.
“Vlerësoj se mbajtja e kërkuesit të izoluar në kabinën e xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, në mungesë të verifikimit të ndonjërës prej rrethanave përjashtimore, të parashikuara nga neni 344, pika 1, i KPP-së, përbën cenim të dinjitetit”, ka thënë gjyqtarja Marsida Xhaferllari.
Po në lidhje me kafazin, edhe gjyqtarja Marjana Semini, ka argumentuar se Veliajt i është cenuar dinjiteti, duke shtuar gjatë kohës që Veliaj ka qëndruar në paraburgim, i është cenuar edhe e drejta e komunikimit me avokatin e tij.
“Duhej të ishte vendosur pranimi pjesërisht i saj dhe konstatimi i cenimit të këtyre të drejtave kushtetuese”, ka argumentuar gjyqtarja Marjana Semini.
I vetmi që ka argumentuar që kërkesa e Veliajt duhet të rrëzohet në tërësi dhe se arresti i tij është i ligjshëm, është gjyqtari Asim Vokshi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Kliko këtu për të lexuar vendimin e plotë

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar pas zbardhjes së vendimit të 25 majit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreca ka shkruar se Gjykata Kushtetuese konfirmoi problemin kryesor që, sipas tij, ishte i pranishëm që në vendimin për masën e sigurisë ndaj Veliajt: ‘mungesën e testit të proporcionalitetit.’
Ndreca ka theksuar se gjykatat kishin analizuar vetëm interesin publik për mbrojtjen e hetimit, por kishin lënë jashtë vlerësimit një tjetër interes kushtetues, të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u qeverisur nga kryetari që kishin zgjedhur me votë.
Avokati Ndreca shkroi gjithashtu se përgjegjësia tashmë kalon te Gjykata e Lartë, e cila sipas tij, duhet të zbatojë pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës:
Më shumë se një vit më parë, kur nuk isha ende avokat i Erion Veliajt, por thjesht deputet i Kuvendit dhe një vëzhgues i jashtëm i çështjes, deklarova publikisht në “Now” me Erla Mëhilli, se problemi kryesor kushtetues që lexohej në vendimin e masës së sigurisë ishte mungesa e testit të proporcionalitetit.
Thashë se gjykata kishte analizuar vetëm njërin interes publik – mbrojtjen e hetimit nga çdo ndikim – por kishte lënë jashtë analizës interesin tjetër po aq kushtetues: të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u qeverisur nga kryetari që kishin zgjedhur me votë.
Sot, pas 16 muajsh, Gjykata Kushtetuese konfirmoi pikërisht këtë.
Standardi kushtetues nuk ndryshoi gjatë këtyre 16 muajve. Vetëm njohja e tij vonoi. Dhe kjo vonesë pati një kosto reale: për qytetarët e Tiranës, për institucionin e Bashkisë, për ushtrimin normal të mandatit demokratik dhe për të drejtat individuale të Erion Veliajt.
Tani përgjegjësia kalon te Gjykata e Lartë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet pa vonesë. Çdo ditë e panevojshme shtesë zgjat një situatë që vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është shqyrtuar sipas standardeve kushtetuese.
Drejtësia mund të vonojë por standartet kushtetuese nuk e humbasin vlerën e tyre. Ato mbeten aty, derisa dikush këmbëngul që ato të zbatohen.
Komente










