Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe hetimi i saj nga SPAK, janë një çështje individuale e saj me drejtësinë, tha kryeministri Rama. Ai bëri të qartë se drejtësia e mediat duhet të kryejnë detyrat e tyre respektive me hetimin apo informimin, por jo të bëjnë dikë fajtor.

“Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e shumëpritur e drejtësisë nuk mund të shfaqet assesi si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit, si shkëputje nga të drejtat e njeriut dhe si shpërfillje ndaj etikës shoqërore.

Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë. Gjykata ka të drejtën dhe detyrën të gjykojë. Media ka të drejtën dhe detyrën të zbulojë, informojë, kërkojë llogari. Por askush nuk ka të drejtën ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit, e jo më pastaj ta dehumanizojë botërisht. Shteti ligjor provohet në çdo hap dy herë; me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe me disiplinën për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton - edhe sikur ky të jetë krimineli më i madh.

Për sa më takon, si për çdokënd tjetër, në çdo rast tjetër, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme në vetvete”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)