Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuesja politike e rrethit Sarandë, Ina Zhupa, ka reaguar në rrjetet sociale pas arrestimit të shefit të komisariatit dhe efektivëve të policisë në Sarandë, duke e cilësuar qytetin si “shembull të një grupi të strukturuar kriminal zyrtarësh”.

Edhe pse vlerëson arrestimin, Zhupa kërkoi që hetimet të mos ndalen vetëm te policia e shtetit, por të shtrihen edhe te policia bashkiake dhe IMT-ja e Sarandës, për të zbardhur përgjegjësitë mbi ndërtimet pa leje dhe skemën e dyshuar të korrupsionit.

Sipas saj, ndërtimet pa leje janë kryer për muaj me radhë në sy të institucioneve përgjegjëse, çka ngre dyshime për një mekanizëm të koordinuar.

“Saranda si shembull i një grupi të struktuar kriminal zyrtarësh. Të hetohen lidhjet me zyrtarët e policisë bashkiake dhe IMT Sarandë.

Arrestimi i shefit të komisariatit dhe efektivëve të policisë të Sarandës është një hap që duhet vlerësuar, sidomos në një kohë kur prej më shumë se një viti kam denoncuar gjendjen e rëndë të kriminalitetit në qytet. Vetë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend e evidentonte Sarandën si qytetin me nivelin më të rëndë të kriminalitetit në vend.

Por këto arrestime nuk duhet të mbeten një shoë statistikor. Ato duhet të jenë fillimi i një hetimi të thellë për gjithë skemën e ngritur në Sarandë si grup i strukturuar kriminal.

Ndërtimet pa leje nuk kanë ndodhur në fshehtësi. Ato janë ngritur në mes të ditës, për muaj me radhë, para syve të të gjitha institucioneve që kanë detyrë ligjore monitorimin e territorit. Këtë çështje e kam evidentuar dhe kur nisën shembjet në Ksamil.

Këtu lindin disa pyetje të forta:

A mund të funksiononte e vetme policia e shtetit në këtë skemë? Kur nuk ishte e vetmja qe kishte përgjegjësi monitorimin e territorit!

A është e besueshme që policia bashkiake të mos shihte ndërtimet pa leje që shtoheshin çdo ditë?

A nuk ka ajo përgjegjësi direkte për kontrollin e territorit dhe evidentimin e shkeljeve?

Po IMT-ja e Sarandës ku ka qenë? Si është e mundur që të mos konstatohej kjo masakër urbane në kohë reale?

Kur disa institucione heshtin njëkohësisht përballë të njëjtit fenomen, dyshimi është se nuk kemi të bëjmë me dështime individuale, por me një mekanizëm të koordinuar korrupsioni.

Gjasat janë që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, ku segmente të policisë së shtetit, IMT-së dhe strukturave të bashkisë kanë mbyllur sytë kundrejt ryshfetit dhe përfitimeve korruptive.

Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë jo vetëm efektivët e policisë, por edhe përgjegjësinë e bashkisë dhe institucioneve të saj. Hetimi duhet të shkojë deri te çdo zyrtar që ka bashkëpunuar, ka toleruar apo ka përfituar nga kjo skemë kriminale”, shkruan Zhupa.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?