TIRANE - Kryeministri Rama nga inaugurimi i Akademisë së Sigurisw, ka reaguar për arrestimet e autorëve të atentateve terroriste më 10 shkurt në Tiranë duke deklaruar se me Rilindjen e Policisë së Shtetit, ka perënduar dhe koha e personave të ikur në drejtim të paditur.

“ Sot Policia e Shtetit e ka nën kontroll territorin, e ka vendosur botën e krimit nën presion dhe është ne një luftë të vazhdueshme me të gjitha format e shfaqjes së krimit si kërcënim apo si veprim aktiv ndaj sigurisë së qytetarit. Vetëm në këto ditë dhe orë të fundit, Policia e Shtetit ka dhënë një tjetër provë shembullore se po shkon duke u ngushtuar ajo rruga e gjerë e ikjes në drejtim të paditur të atyre që kryejnë krime. Arrestimi i elementëve të përfshirë në veprat terroriste të pak kohëve më parë, flet për një rritje jashtëzakonisht domethënëse, të kontrollit mbi territorin dhe të profesionalizmit të Policisë së Shtetit”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama duke falenderuar Bashkimin Europian për mbështetjen financiare në projektim e akademisë, ka deklaruar se Shqipëria ka sërish nevojë për mbështetje pasi lufta me krimin e organizuar nuk është më përballje lokale.

Një ditë më parë me vendim qeverie Akademia e Policisë quhet Akademia e Sigurisë, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studime, kursi i dytë i 500 policëve të pranuar.

AKADEMIA E SIGURISE

Dhuna, Tahiri: Nuk u nxituam me ndeshkimet, pastrojmë policinë nga abuzuesit

Per ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri ndëshkimi për efektivët që kanë dhunuar qytetarët nuk është i nxituar, por ka ardhur si kundërpërgjigje e braktisjes së misionit të Policisë së Shtetit. Ai tha se efektivët që ndjekin akademinë, nuk duhet të kenë shembull policët e denoncuar duke dhunuar qytetarët.
 
“Askush nga ata nuk është modeli juaj e kam fjalën për studentët e Akademisë, përkundrazi janë modeli për tu dënuar dhe për të mësuar si duhet të ndërtojmë ndryshe Policinë e Shtetit dhe marrëdhënien me qytetarin. Kam marrë mjaft mesazhe që edhe i mirëkuptoj, prej studentëve dhe policëve, që duhet të tregohemi pak më kokëfortë dhe të mos i lëshojmë menjëherë. Ata kanë lëshuar vetveten, ligjin qytetarin dhe kanë braktisur misionin e Policisë së Shtetit. Nuk ka  asnjë motiv as për demoralizim as për të humbur vetëbesimin. Ajo që kemi bërë për të pastruar policinë e Shtetit nga abuzuesit është shumë më shumë se shfaqja disaditore e disa videove që sigurisht ndikojnë te qytetarët”, u shpreh Tahiri. Fjala e ministrit Tahiri tek Shkolla e Policisë

AKADEMIA E SIGURISE

Rama: Ligj për fillimin e studimeve të larta për efektivët, shndërrojmë policinë
“I japim fund një periudhe shkatrimtare të edukimit dhe laboratorit ku rriten dhe zhvillohen kapacitetet njerëzore në funksion të policisë.”-deklaroi kryeministri Rama nga ambientet rikonstruktuara të Akademisë së policisë ku duke folur për Ligjin për fillimin e studimeve të larta për punonjësit e policisë, theksoi se “Kemi trashëguar policinë me nivelin më të ulët arsimor në Kontinent dhe me moshën mesatare më të lartë. Kjo qendër synon transformimin e këtij realitetit duke e shndërruar me një moshë në mesataren evropiane, në një formimim me mesataren evropiane”. Fjala e Kryeministrit Rama tek shkolla e policisë 
 
Gjatë fjalës së tij Rama vlerësoi se në vitin 2014 pati 18 herë më shumë aplikime se sa një vit më parë, gjë që sipas tij ishte një sinjal i qartë i rritjes së besimit.

“Kalimi nga një epokë kur marrja në polici ishte një lëmoshë partiake, në një epokë kur futja në polici është një betejë ku mund të bësh dhe marrësh më shumë falë kontributit tënd. Nëse duam një polici të suksesshmeduhet përgjegjësi mbi supe.”- tha Rama. 

akademia e sigurise

Rama: Mirënjohje për fondet e BE, por duhet të japin shumë më tepër në luftën ndaj krimit

Kryeministri Rama ndërsa shprehu mirënjohje për fondet e dhëna nga BE për policinë e shtetit theksoi partnerët ndërkombëtarë duhet të japin më tepër, pasi  lufta kundër krimit të organizuar nuk është më lokale, por ndërkombëtare.
 
“Duhet të na japin shumë tepër, jo se ne jemi më të mirë, por se besojmë se lufta me krimin e organizuar në këtë hapësirë dhe në rajon nuk është vetëm lufta jonë pasi krimi i organizuar nuk është më lokal. Krimi sofistikohet në mënyrë të jashtëzakonshëm. Është një problem i përbashkët. Aq më tepër nëse është i implikuar me formën më barbare siç është terrorizmi. Më shumë do të bëhet për forcimin e një partneriteti me vendet e BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë që do të ketë një vlerë të dyfishtë. Me shumë mirënjohje për këtë financim të BE, me shumë dëshirë që këto të shkojnë duke u rritur. Uroj studentët të kësaj akademie sukses dhe sa më shumë vullnet për të përballuar sfidën për të qenë pjesë e një vendi që synon të bëhet pjesë e një vendi Evropian”, - tha Rama.

Redaksia Online
(Gre.M/A.H/Shqiptarja.com)