Për avokatin Indrit Sefa, avokati Ulian Barjami, i cili u ndalua më 18 tetor dhe sot u lirua, pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka gjatë seancës gjyqësore në Prokurorinë e Elbasanit, nuk ka kryer asnjë vepër penale.

I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, ai tha se avokatët janë në presion të klientëve të tyre gjatë seancave gjyqësore.

 ‘Shqiptarët e kanë të vështirë që që të pranojnë humbjen. Nuk i thua dot klientit që nuk e fiton gjyqin se mërzitet. Duan që ti thuash që do të fitosh. Humb gjyqin pastaj thonë e ka fajin gjyqtari, ose prokurori mori lekë nga pala tjetër. Pastaj këtu ke edhe institucione që nuk bëjnë asgjë. Këtu institucionet janë inekzistente. Situata është e tensionuar, avokatët janë edhe në presion të klinetëve, sepse ishin 14 persona në seancë për caktimin e masës së sigurisë, por gjuha e përdorur nga avokati është larg të qenit vepër penale. Nuk ka asnjë vepër penale të kryer nga ai. Është politika shqiptare me retorikën e saj ndaj sistemit të drejtësisë që thonë janë të korruptuar gjyqtarët dhe prokurorët, që i kanë bërë qytetarët që të humbin besimin tek drejtësia’, tha ai.

Avokati Leonard Karaj, tha se në drejtësi nuk ka barazi mes prokurorit dhe avokatit. Ai ngriti shqetësime lidhur me raportin mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe rolin e avokatit në sallën e gjyqit.

‘Në 99 të rasteve kur shkohet për masa sigurimi atë që kërkon prokurori atë vendos edhe gjykata, kush e ka fajin në këtë rast. Ca jemi ne avokatët dekor për të legjitimuar një seancë gjyqësore. Pse e do avokatin aty, ai duhet jo për të qenë orendi, por për t’i dhënë palës të drejta që ja njeh Kushtetuta dhe ligji. Dhunë në familje thotë ai 5 vite burg, se ishte në sy të fëmijës, po ajo në sy të fëmijës do të ndodhë. Nëse është rast dhune e vazhdueshme është ndryshe dhe ndryshe kur është sporadik.

Në shumë vende si Italia, prokurori dhe avokati hyjnë në sallën e gjyqit nga e njëjta derë, ashtu si edhe gjyqtari. Tek ne prokurori futet nga pas, me një status tjetër, dhe kjo tregon që nuk ka barazi mes palëve në proces. Ku është drejtësia në këtë rast? Unë kam marrë edhe masa të tjera konkrete për këtë çështje. Nuk mund të konceptohet që në një gjyq të mungojë debati i barabartë. Kush e ka fajin? Avokati? Gjyqtari? Apo mënyra si i trajtojmë palët?’, tha ai.

Gazetari Elton Metaj, tha se etika e avokatëve gjatë seancave gjyqësore duhet që të përmirësohet.

 ‘Nga ajo që dëgjuam historia nisi nga një gabim që ka bërë avokati në seancë. Etika e avokatëve duhet që të përmirësohet. Historia do të mbarojë këtu, ai ka dalë nga burgu tashmë, por nuk është kjo zgjidhja, avokatët duhet që të jenë më të ftohtë. Në rast se bien peng e kësaj furie akuzash dhe kritikash për palën tjetër, nuk është zgjidhja kjo. Ata duhet që të shohin etikën dhe është hapi i duhur për të përmirësuar gjërat. Ata duhet të gjejnë instrumente që u shërbëjnë proceseve gjyqësore’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
PD kërkon shkarkimin e Begajt/ Avokati Sefa: Nuk mjaftojnë vetëm akuzat politike, opozita të veprojë ligjërisht

 

Avokati Indrit Sefa, i ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, komentoi edhe kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj.

Sefa theksoi se ka mekanizma ligjorë për të verifikuar shkeljet e mundshme, përfshirë edhe rastet kur Presidenti mund të ketë ushtruar veprimtari të papërshtatshme gjatë mandatit të tij.

Sipas tij, presidenti nuk mund të shkarkohet me akuza politike, por duhet që të veprohet ligjërisht.

‘Kur ju mungon mandati secilit prej jush, kur i mbaron gjyqtarit në këtë apo atë datë, pse nuk është çuar dekretimi në Gjykatën Kushtetuese? Le ta shohin atje nëse do të fitojnë apo jo. Në vitin 2024, firma ka marrë 140 mijë euro. Kam parë denoncimet e grupit parlamentar. Gjithë korrupsioni për tre vite nga Presidenca është faktuar dhe dokumentuar. Dhe po e them qartë: nëse opozita merr një dekret dhe sheh që Presidenti ka punuar edhe një punë të dytë gjatë mandatit, atëherë duhet ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ajo është institucioni që vendos nëse ka shkelje të Kushtetutës apo jo. Nuk mjafton vetëm denoncimi politik duhet veprim institucional. Kushtetuta i jep mjetet opozitës për të ndërmarrë hapa konkretë’, tha Sefa.