5 anëtarët e opozitës të Këshillit të Imunitetit dhe të Mandateve, rekomandojnë deputetët e parlamentit të votojnë pro kërkesës së SPAK, për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut dhe hapjen rrugë të arrestimit të saj. Duke iu referuar standardeve të Komisionit të Venecias, në deklaratë thuhet se Kuvendi nuk mund të bëjë shqyrtim ligjor të çështjes, referuar argumenteve të palës tjetër se ‘masat e marra deri më tani për Ballukun janë të mjaftueshme’, në të kundërt do të kishim ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit.
“Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:
-“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e "Ndalimit të daljes jashtë shtetit" e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda BALLUKU”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në këtë kuptim, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrimin dhe ka krijuar standardin, sipas të cilit duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka element partiako-politik.
Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.
Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshill, mbajmë në konsideratë edhe standardin e vendosur nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit: “organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme.”. Në përputhje me këtë standard, Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e çështjes për caktimin e masës së sigurimit, llojit të saj apo kushteve për secilën masë, por ka rol vetëm në verifikimin e ekzistencës formale të përmbushjes së këtyre kushteve. Në të kundërtën ai do të bënte shqyrtim ligjor të çështjes, jashtë kompetencës së tij kushtetuese dhe në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve.
Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent sipas Kushtetutës përgjegjës për hetimin penal, nuk mund të çmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimet, apo të veprimeve konkrete që duhet të ndërmarrë prokuroria që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenuar. Kjo është një kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetin gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal”, tha ndër të tjera Bardhi.
Lajmi kryesor:
SPAK do arrestimin e Ballukut, PD dorëzon raportin: T’i hiqet imuniteti, rrezikon të prishë provat përmes të besuarve në qeveri! Protestë dhe kaos nëse Kuvendi refuzon











