TIRANE -  I distancuar nga akuzat me të cilat përballen sot disa prej drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, kreyebashkiaku Erion Veliaj mohoi çdo lidhje të pretenduar apo përfitime personale nga shkelja e ligjit, përmes tenderëve të fituara nga kompania “5D”, e që dyshohet sipas SPAK të kenë pasur përfitues fundor 2 prej ish-zyrtarëve të bashkisë.

Asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë. s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm" tha sot Veliaj.

 Përmes një deklarate të gjatë nga zyra e tij, Veliaj ua bëri të qartë  ish-bashkëpunëtorëve se betejën me drejtësinë do të duhet ta bëjnë të vetëm, pa asnjë mbrojtje politike.

"Po e nis nga vija e kuqe e Partisë Socialiste dhe e kryeministrit Rama: Çështjet që hap drejtësia e re janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë"

Veliaj foli edhe për sulmet politike nga Rithemelimi që flasin para drejtësisë, e nuk respektojnë prezumimin e pafajësisë.

"I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit!  Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori...duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe " tha Veliaj.

Akuzave që ngrihen nga 'inkuizitorët mesjetarë e sigurimsat modernë' siç Veliaj i quajti – se sa herë flitet për afera, 'kryeministri dhe ai kanë dhënë bekimin', kryebashkiaku iu përgjigj kështu:

Ku jemi këtu? Në komunizëm? T’u vëmë njerëz mbrapa? T’u fusim përgjues në makina dhe në shtëpi? T’i torturojmë?! Ne duam një drejtësi të drejtë, që të godasë djathtas e majtas dhe të shikojë e të ecë vetëm drejt, me shpatën e ligjit në dorë! Ne e shohim drejtësinë si aleate strategjike në këtë luftë dhe e mbështesim pa rezervë punën e saj, si një punë e domosdoshme për pastrimin e administratave tona nga elementët e korruptuar. ...

 Pavarësisht përballjes me drejtësinë dhe verdiktit ekskluziv të gjykatës, Veliaj i njohu ish-bashkëpunëtorëve të tij edhe kontributin e dhënë në punët e bashkisë

Mariglen Qato ka drejtuar IMT-në. Falë punës së tij  është bërë i mundur Bulevardi i Ri, çlirimi i Unazës tek Astiri. Redi Molla ka drejtuar UKT-në ..e ktheu Tiranën e vogël nga 7 orë ujë në ditë, me 20 orë ujë mesatarisht. Taulant Tusha ka drejtuar punët publike në Bashkinë e Tiranës gjer vitin e kaluar. ka ndjekur 24/7 projekte që Tirana i priste prej një shekulli 

Edhe sa i takon hetimeve të inceneratorit të Tiranës Veliaj tha se 'nuk e kam shkelur kurrë as ligjin as besimin e atyre që kanë dhënë tre herë mandatin dhe kërkoi që drejtësia të bëjë punën e vet" 

"Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia" tha Veliaj.
Ketu Fjala e Plote