Teksa ndoqi nga afër, aksionin e policisë në fshatin Orosh në Fushë Arrëz dhe u fut edhe në kullën e ngujimit të dy terroristëve, gazetari i Report Tv Armir Mehaj, ka zbuluar detaje të tjera nga arrestimi i Erzen allias Hamza Uka dhe Julian Cumraku të cilët dyshohet se po përgatisnin një sulm terrorist.

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, Mehaj tha se dy personat kanë zgjedhur atë zonë për të qenë të qetë dhe larg vëzhgimit të policisë, ndërsa gjatë negocimit për t'u dorëzuar u kanë thënë forcave të policisë: ‘Zoti do hakmerret ndaj jush'.

Gazetari zbuloi se Uka dhe Cumraku nuk kanë pasur komunikim me persona të tjerë, pasi në atë zonë mungojnë valët, ndërsa theksoi se në Fushë-Arrëz mund të kishte policë të vrarë, pasi ata kishin hapur gropë për të sulmuar.

‘Këta persona kanë qenë në vëzhgim edhe nga policia lokale, vetëm se nuk ka pasur fakte, Hamza Uka ka qenë edhe në mbikëqyrjen e antiterrorist për shkak të shkuarës së tij. Ka qenë kontroll rutinë që policia në zona të thella malore vijon. Kur ata kanë kaluar atje është parë një kalim i dyshimit i Julianit është futur brenda dhe kjo ka bërë që policia të afrohej dhe më pas kanë nisur indiciet e para se mund të kishte diçka. Është konstatuar se brenda objektit janë dy persona. Ata i kanë thënë policisë kur po negociohej për tu dorëzuar, Zoti do hakmerret ndaj jush.

Nuk është se kanë dal shumë në fshat dhe kanë frekuentuar edhe xhaminë e fshatit. Ata kanë zgjedhur atë vend jo për të bërë akte terroriste, por për të qenë të qetë dhe larg vëzhgimit të policisë. Në atë zonë janë dy banesa që janë në distancë nga njëra -tjetra. Atje s’ka valë dhe ata s’kanë pasur komunikim me botën tjetër as me rrjetet sociale. Në Fushë-Arrëz mund të kishte policë të vrarë, pasi ata kishin hapur gropë për të sulmuar’, tha ai.

Ish-prokuror i krimeve të rënda Ervin Karanxha, tha se rasti i dy personave që dyshohet se do të kryenin sulm terrorist është një rast i izoluar duke parë sipas tij edhe shpërbërjen e vet grupit ISIS.

 ‘Është një rast i shkëputur sepse edhe vet ISIS është shpërbërë. Edhe armët që ishin janë të vjetra. Nuk mendoj se fakti që është kapur edhe nga policia e rendit tregon për një rrezikshmëri më të ulët. Nëse do të ishin aq radikal ata nuk do të ishin dorëzuar. Nuk kanë qenë aq të izoluar sepse dilnin. Duhet që të mbahen në vëzhgim por s’jemi të bëjmë me një grup të strukturuar për akte terroriste që shoqëria duhet që të gjejë forma që ti riintegrojë. Edhe familjarët e vet duhet që të bëjnë më shumë me ta dhe ti afrojnë. Nuk kemi pasur asnjë akt terrorist në vend, ishte vetëm ai në ‘96 kur u vu bombë në ambient publik’, tha ai.

Eksperti për Çështjet e Sigurisë Redion Qirjazi, tha Shqipëria nuk është në zonën e rrezikut për akte terroriste.

‘Njëri prej tyre ka qenë i arrestuar ka kërcënuar një prokuror. Unë them se ka të bëjë me tipologjinë e një ujku të vetmuar dhe jo me një celul. Pra ka të raste të individëve të vetëm ose mund të ketë edhe një bashkëpuntor si në rastin konkret. Bota e tyre mbetet ajo një gjë e vogël. Është edhe elementi shoqëror, këto situata tregojnë se si feja besimi islam mund të merret peng nga individë. Që nga rilindasit tanë të hershëm, shumë nga ata kanë qenë klerik dhe kanë ditur të kuptojnë se cili është roli i fesë dhe këta individë që janë konvertuar kur nuk kanë edhe edukimin dhe monitorimin e duhur kur i shembet botkuptimi që ata kanë për atë besim, bënë që ai të izolohet. Por Shqipëria nuk është në zonën e rrezikut’, tha ai.

Për ekspertin e Sigurisë Faik Basha, njëri prej dy prej personave Hamza Uka, ka qenë pjesë e ISIS prej kohësh dhe pasi ka mbaruar misionin ka bërë edhe një udhëtim në Siri.

‘Çdo ushtarak që kryen mision merr informacione të detajuara dhe është furnizuar me informacion se çfarë është ISIS, si luftohet, pra i ka marrë këto informacione për shkak të detyrës pra në këtë rast flas për Hamza Ukën. Ai pasi është larguar nga ISIS ka bërë një udhëtim në Siri, nuk ka qëndruar për kohë të gjatë, pro se di çfarë ka bërë në Siri. Po në radhët e FA ky fenomen nuk ekziston. Ky është rast i izoluar. A kemi ushtarak në botë që bëjnë misione edhe mund të kemi. Në Amerikë ish- ushtarak kanë bërë vepra të rënda. Kurse armët që kishin ata janë të mbetura nga ’97-ta’, tha ai.