Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilën kryeministri Edi Rama ka ndërtuar ankimin, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga funksionet të numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë atribute që nuk ia njeh Kushtetuta.
I ftuar në Repolitix me Denis Mingën në Report Tv, analisti Endri Tafani tha se është absurd që drejtësia të mos ketë mundësi të marrë masa për të penguar funksionarët e lartë të shtetit që akuzohen për vepër penale, që të mos prishin provat me anë të pushtetit që i jep posti, apo të vazhdojë veprën penale.
“Po t’i kthehemi teorisë që njeriu duhet të shkojë në burg vetëm kur vërtetohet se është i fajshëm, atëherë të gjithë këta që vrasin t’i lëmë të lirë. Është absurde situata kur një person, mos të futet në burg, sepse duhet të shkojmë te shkalla e apelit. Në parim nuk mund të shkosh me idenë vetëm kur shpallet i fajshëm. Të kthehemi te pjesa e parë. A ka një arsye pse vendoset. Masa e pezullimit ka të bëjë se personi në fjalë është zv.kryeministër dhe se ka abuzuar me tenderat. Ky pretendim i akuzës është mbështetur nga gjykata. Prokuroria ka kërkuar diçka në bazë të provës që ka. Në bazë të atyre provave ka kërkuar masë të pezullimit”,- tha Tafani.
Juristi Kreshnik Spahiu thotë se me masat e kërkuara nga SPAK dhe të aprovuara nga GJKKO, për Ballukun, Prokuroria e Posaçme synom të vendosë një praktikë të re, atë të pezullimit nga detyra të zyrtarëve të lartë të akuzuar për vëpra penale.
“Po ta ndjekim kronologjinë e ngjarjeve masa ndaluese nuk është marrë menjëherë ditën kur i është komunikuar akuza si i pandehur. Prokurorët e PSSA nuk e kanë bërë rastësisht, me vonesë, sepse ndoshta kanë pritur që të ketë një dorëheqje. Masa ndaluese erdhi disa ditë më pas. E para e punës, sot Belinda Balluku nuk firmos më. Kemi të bëjmë me një moment që qoftë subjekti, e pandehura, e kanë ekzektuar vendimin. Çështja e ankimimit është proceduriale, që eksperienca penale ka treguar që 99.99% e të pandehurve dhe subjekteve e ankimojnë masën. Prokuroria në këtë strategji është munduar të shtrëngojë masat represive dhe po tenton të hapë një praktikë tjetër që zyrtarët e lartë mos t’i vërë në masa arresti. Praktika re është masa ndaluese e pezullimit nga detyra”,- tha Spahiu.
Ish-prokurori Ervin Karanxha tha se është hera e parë gjatë sistemit demokratik në Shqipëri që pushteti gjyqësor ndërhyn tek pushteti ekzekutiv.
“Diskutimi i parë uroj që ta kalojnë se është një çështje me interes për publikun, paksa e sforcuar të kapëhet. Mendoj se është diçka e rrallë, se zakonisht pushteti ekzekutiv ndërhyn te gjyqësori, tani është e kundërta’.- tha Karanxha.
Komente












