Arrestimi i gazetarit për ‘falsifikim kompjuterik’ ngre shqetësime

Arrestimi i gazetarit për ‘falsifikim kompjuterik’ ngre shqetësime

Organizatat për lirinë e medias reaguan të shqetësuara të enjten, pasi policia njoftoi arrestimin e një gazetari me akuzën e publikimit të lajmeve të rreme që sipas njoftimit të policisë i servireshin nga dy oficerë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

‘Safe Journalist’ në një deklaratë bëri me dije se po ndiqte në mënyrë aktive rastin, ndërsa u kërkoi autoriteteve të bënin transparencë.

“I bëjmë thirrje autoriteteve që të sigurojnë transparencë dhe respektim të procesit të rregullt ligjor në trajtimin e kësaj çështje. Ndërsa e njohim nevojën për llogaridhënie, nxisim që të mos përdoren masa si arrestimet e gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilat duhet të jenë proporcionale dhe të justifikuara”, shkruhet në deklaratën e Safe Journalist.

Gazetari Ervis Hasanaga u arrestua bashkë me oficeren e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rexhina Omeri, ndërsa Kushtrim Selimi – shef sektori pranë AMP-së, u shpall në kërkim.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i tha BIRN në një komunikim telefonik se të arrestuarit akuzoheshin për falsifikim kompjuterik.

“Arrestimet në flagrancë për këta shtetas janë kryer për veprën penale të falsifikimit kompjuterik e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 A i Kodit Penal”, tha Vocaj.

Kjo vepër penale parashikon ndërhyrje në sisteme kompjuterike dhe ndryshimin e të dhënave apo falsifikimin e tyre.

Megjithatë, Policia e Shtetit nuk tha se në cilin sistem ishte ndërhyrë. Po ashtu në komunikatën për shtyp u la të kuptohej se bëhej fjalë për publikimin e lajmeve me akuza ndaj zyrtarëve të lartë të policisë.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Drejtori i Policisë së Tiranës tha se palët e përfshira kishin paguar para për publikimin e lajmeve që policia i ka konsideruar të rreme. Prokurori i çështjes Arben Agovi tha se po i shqyrtonte materialet e dosjes dhe se ende nuk mund të komentonte mbi këtë rast.

Ndërkohë Policia ishte e paqartë për akuzat ndaj gazetarit, nëse ky i fundit ka ndërhyrë  në sisteme kompjuterike apo ishte vetëm fajtor për publikimin e të dhënave të servirura nga oficerët e AMP-së.

Blerjana Bino, nga Safe Journalist i tha BIRN, se nëse gazetari ishte arrestuar thjeshtë për mosverifikim të informacionit, ndalimi i tij nuk justifikohej.

“Edhe pse praktikë e dënueshme nga Kodi i Etikës, por zgjidhet me vetërregullim, jo me arrestim”, tha Bino.

Policia bën me dije se ndaj të akuzuarve dhe dy personave të tjerë ende të paidentifikuar kishte një kallëzim. Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se lajmet që policia i cilëson të rreme publikoheshin në një faqe interneti që dyshohet se financohej nga Kushtrim Selimi, shef sektori pranë AMP-së.

Në faqe gjenden kryesisht artikuj me akuza ndaj drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ndërsa identifikohet fakti se zyrtarë shtetërorë fshihen pas fushatave apo publikimeve të ngjashme./ Birn

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!