Presidenti Bajram Begaj do të thërrasë të hënën mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasi ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni u lëshua një urdhërarrest nën dyshimet se ndihmoi dhe i dha informacione sekrete Ergys Agasit në arrati. Pak orë pasi GJKKO la në fuqi masën arrest në shtëpi ndaj Hysenit, gazetarja Danjela Maloku informon se Presidenca po përgatit njoftimet për anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 08:30, kur edhe kryeministri Edi Rama do të jetë kthyer nga SHBA, ndonëse opozita ka këmbëngulur që Begaj të thërrasë Këshillin, sapo doli lajmi se ndaj Hysenit ishte lëshuar masa e sigurisë arrest në shtëpi. Opozita thotë se është cënuar rëndë siguria kombëtare dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Situatën e krijuar pas arrestimit të Hysenit, presidenti Begaj e diskutoi mesditën e sotme me tre zyrtarë të lartë të çështjes së sigurisë në vend. Ministri i Brendshëm Ervin Demo, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hitadhe drejtori i komanduar vetëm 2 ditë më parë në krye të SHISH, Elvis Lila ishin në Presidencë paraditen e kësaj të enjte.

Vetë zyra e Presidentit njoftoi shkurt takimin, ndërsa për bisedën shkroi vetëm se “në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”.

SHISH po drejtohet nga drejtuesi i komanduar Lila, ndërsa vetë Rama kur njoftoi shkarkimin e Hysenit, tha se shefin e ri do ta zgjedhin në konsultim me Presidentin.

Masa e arrestit në shtëpi ndaj Hysenit u la sot në fuqi nga GJKKO, e akuzuar për 'zbulim të të dhënave sekrete'  dhe 'përkrahje të autorit të krimit' Ergys Agasit, i akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar
Bajram Begaj – President i Republikës, njëkohësisht kryetar i Këshillit
Niko Peleshi - Kryetar i Kuvendit
Edi Rama - Kryeministër
Ermal Nufi - Ministër i Mbrojtjes
Ferit Hoxha - Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Toni Gogu - Ministër i Drejtësisë
Ervin Demo - Ministre e Punëve të Brendshme
Petrit Malaj - Ministër i Financave
Enea Karakaçi - Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Bledar Çuçi - Kryetar i komisionit parlamentar përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes
Gjenerallejtënant Arben Kingji - Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Skënder Hita - Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Elvis Lila - Kreu i komanduar i SHISH